Botë

Fitorja e Trumpit do t’i rriste tensionet gjeopolitike, thotë fondi norvegjez

Donald Trump

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një kthim i ish-presidentit, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të rriste tensionet gjeopolitike dhe do të ishte negativ për ekonominë globale jashtë SHBA-së, ka thënë të martën një zyrtar në fondin më të madh të pasurisë në botë.

Republikani Trump dhe kandidatja demokrate e zëvendëspresidentja, Kamala Harris janë në një garë të ngushtë për të fituar zgjedhjet e 5 nëntorit, teksa elektorati thotë se vendi është në rrugën e gabuar, sipas një sondazhi të ri të Reuters/Ipsos, të publikuar të martën.

"Republikani është ndoshta ai që mund të përkeqësojë më tej tensionet gjeopolitike që ne shohim”, ka thënë për Reuters, Trond Grande, zëvendësshef ekzekutiv i “Norges Bank Investment Management”, i cili operon fondin prej 1.8 trilionë dollarësh. 

“Më shumë flitet për tarifat dhe sanksionet nga njëra anë sesa nga tjetra”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse Evropa në veçanti do të ndikohej negativisht nga një fitore e Trumpit, Grande ka thënë se kompanitë evropiane që kanë lidhje të ngushta me kompanitë kineze do të dëmtoheshin më shumë nën një presidencë të Trumpit. Trumpi ka thënë se do të rrisë tarifat për produktet kineze.

Rreth 27% e investimeve të fondit mbahen në Evropë që nga 30 qershori, sipas të dhënave të fondit.

Ekonomia vendase e SHBA-së, në të cilën ndodhen gjysma e investimeve të fondit, do të mbetet përgjithësisht e njëjtë, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, sipas Grande.

"Dallimi midis një kandidati demokrat dhe një kandidati republikan, nuk do të ishte domosdoshmërisht aq i rëndësishëm për SHBA-në”, ka thënë Grande.

LEXO EDHE: