Botë

Fico i nënshtrohet edhe një operacioni, gjendja e tij mbetet e rëndë

Robert Fico

Robert Fico

Foto: Associated Press

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico i është nënshtruar të premten një tjetër operacioni, pasi ishte qëlluar të mërkurën me armë zjarri derisa po përshëndeste përkrahësit e tij në qytetin Handlova.

Zëvendëskryeministri sllovak, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak, ka deklaruar se ai vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë, raporton AP.

Fico, 59 vjeç ishte qëlluar pesë herë nga një person në afërsi, jasht një qendre kulturore, pas një takimi qeveritar që kishte pasur në Handlova.

Sulmi ka shokuar kombin sllovak dhe kombet e tjera. Liderë të shumtë botërorë kanë reaguar duke e dënuar plagosjen e Ficos.

Ndërkohë, të enjten, është ngritur akuzë për tentativë-vrasjeje ndaj të dyshuarit për plagosjen e tij.

Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë. 

Rikthimi i tij në pushtet vitin e kaluar me një platformë pro-ruse dhe anti-amerikane çoi në shqetësime midis anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s se ai do të braktiste kursin pro-perëndimor të vendit të tij.