Botë

Fermerët polakë protestojnë në kufi me Ukrainën, derdhin grurin ukrainas

Fermerët polakë kanë bllokuar pikat kufitare me Ukrainën, derdhën grurë ukrainas dhe po ashtu dogjën goma të martën, ndërsa e intensifikuan protestën mbarëkombëtare kundër importit të ushqimeve ukrainase dhe politikave mjedisore të Bashkimit Evropian, raporton agjencia “AP”.

Edhe fermerët në vendet tjera si Spanjë, Itali, Belgjikë e Greqi kanë protestuar së fundi, të shqetësuar nga plani i Bashkimit Evropian për të vendosur kufizime në përdorim të kemikaleve ndër të tjera, e po ashtu reduktim të emetimeve të gazit.

Po ashtu ka revoltë lidhur me importet jashtë shteteve të BE-së, veçanërisht nga Ukraina, prodhues i madh agrikulutror.

Fermerët polakë me traktorë kanë shkuar nëpër Gdansk, Krakovë dhe qytete tjera, duke i rënë borive në protestë të zhurmshme. Ata kanë thënë se veprimet e tyre do të bëhen edhe më dramatike nëse nuk u plotësohen kërkesat. Po ashtu në disa vende kanë bllokuar hyrjet në autostrada.

Ata kërkojnë që qeveria e drejtuar nga kryeministri Donald Tusk ta tërheqë Poloninë nga “Marrëveshja e Gjelbër” e BE-së dhe t’i ndalojë importet agrikulturore nga Ukraina.

Një mesazh i vendosur në një nga traktorët në Gdansk akuzonte qeverinë se po kujdeset më tepër për Ukrainën sesa fermerët polakë.

“Politika të tilla shkatërrojnë fermerët”, shkruhej në një mesazh tjetër.

Fermerët derdhën grurin ukrainas në Medyka, një qytet në kufirin Poloni – Ukrainë, ndërsa kjo ngjalli kritika nga ambasadori ukrainas në Poloni, Vasyl Zvarych.

“Ne dënojmë fuqishëm derdhen e grurit ukrainas nga protestuesit në Medyka”, ka shkruar Zvarych në platformën “X”.

Fermerët polakë thonë se gruri ukrainas dhe importet e ushqimeve nga Ukraina po dëmtojnë jetesën e tyre.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përmendur, në adresimin e të hënës mbrëma, protestën e fermerëve polakë.

“Në afërsi të Kupianskut, afër kufirit rus, ku një artileri e armikut nuk pushon, lajmi nga kufiri me Poloninë duket krejtësisht tallëse”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, Ukraina eksporton vetëm 5 për qind të drithërave të saja përmes kufirit pola.

“Pra, në realitet, situata nuk ka të bëjë me grurin, por më tepër me politikën”, tha Zelensky.