Nga luftimet e ashpra mes forcave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut në Liban po e pësojnë më të pafajshmit – fëmijët. Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë në Liban gjatë gjashtë javëve të fundit dhe qindra të tjerë janë plagosur. Shumë prej tyre kanë humbur gjymtyrët, kanë marrë djegie në trup. Kanë marrë plagë që u mbesin tërë jetën
I ulur në prehrin e të atit, i mbështetur gjoksin e tij, Husein Mikdad bërtet me të madhe. 4-vjeçari godet me këmbë mjekun që qëndron afër tij, dhe përpiqet ta largojë me dorën që nuk e kishte në gips.
“Baba, baba! - thotë Hussein. "Thuaji të më lë rehat!", shton ai, duke aluduar për mjekun.
Me sy të përlotur, babai e siguroi të birin dhe e afroi më pranë.
Husseini dhe babai i tij, Hassani, janë të vetmit të mbijetuar nga familja e tyre. Një sulmi ajror izraelit muajin e kaluar, në lagjen e tyre në Bejrut, vrau 18 persona, duke përfshirë nënën e tij, tre vëllezërit e motrat dhe gjashtë të afërm.
"A mund të bëjë dush tani?" e pyeti babai doktorin.
Dhjetë ditë pas operacionit, mjekët që ekzaminonin plagët e Husseinit thanë se djali po shërohej siç duhet. Ai ka shufra në kofshën e tij të djathtë të thyer dhe qepje në krahun e djathtë po ashtu. Dhimbja është qetësuar dhe Husseini duhet të jetë në gjendje të ecë përsëri pas dy muajsh.
Një prognozë për plagët e padukshme të Husseinit është shumë më e vështirë të jepet. Ai i është kthyer pelenave dhe ka filluar të urinojë në shtratin e tij. Ai mezi flet dhe nuk ka thënë asnjë fjalë për nënën, dy motrat dhe vëllain, të cilët i humbi.
“Trauma nuk është vetëm në aspektin skeletor e muskulor. Por ai është gjithashtu i lënduar në aspektin mental”, ka thënë Imad Nahle, një nga ortopedët që e ka operuar Husseinin.
Izraeli ka thënë, pa dhënë detaje, se sulmi në lagjen Mikdad goditi një objektiv të Hezbollahut. Në luftën që ka përshkallëzuar që nga shtatori, sulmet ajrore izraelite kanë goditur gjithnjë e më shumë zonat e banuara në Liban. Izraeli akuzon Hezbollahun se fsheh armatimin dhe luftëtarët e tij mes civilëve. Ai zotohet ta shkatërrojë Hezbollahun, i cili filloi sulmet në veri të Izraelit pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që edhe e nxiti luftën në Gaza.
Fëmijët janë ata që po e pësojnë.
Me sulme të vazhdueshme në zonat e banuara, mjekët po shohin më shumë fëmijë të prekur nga dhuna. Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë në Liban gjatë gjashtë javëve të fundit, dhe qindra të tjerë janë plagosur. Dhe nga 14,000 të plagosurit që nga viti i kaluar, rreth 10% janë fëmijë. Shumë prej tyre kanë humbur gjymtyrët, kanë pësuar djegie në trup familje, kanë humbur anëtarët e familjes dhe kanë marrë plagë që do t’u mbesin tërë jetën.
Ghassan Abu Sittah, një kirurg i njohur britanik-palestinez i cili po trajton gjithashtu Husseinin, sheh një rrugë të gjatë përpara.
“Na lë me një brez fëmijësh të plagosur fizikisht, fëmijë të plagosur psikikisht dhe emocionalisht”, thotë ai.
"Çfarë duan nga ne?".
Në Qendrën Mjekësore të Universitetit Amerikan të Bejrutit, e cila po merr raste të kufizuara të viktimave të luftës, Imad Nahle rrëfen se i operoi pesë fëmijë në pesë javët e fundit. Shumica u referuan nga Libani jugor dhe lindor.
Disa kilometra larg, në spitalin libanez “Geitaoui”, një nga qendrat më të mëdha Liban që merret me plagë nga djegia, e rriti kapacitetin e saj me gati 180% që nga shtatori, në mënyrë që të mund të strehonte më shumë të plagosur lufte, tregon drejtori Naji Abirached. Rreth një e pesta e pacientëve të sapo pranuar janë fëmijë.
Në një nga njësitë e intensive të qendrës së djegies shtrihet Ivana Skakye. Ajo mbushi 2 vjet javën e kaluar në repartin e spitalit. Ivana është shëruar nga djegiet që mori pas një sulmi ajror izraelit jashtë shtëpisë së saj në Libanin jugor, më 23 shtator. Izraeli nisi qindra sulme ajrore atë ditë në pjesë të ndryshme të Libanit, duke e bërë atë ditën më vdekjeprurëse të luftës deri më tani. Më shumë se 500 njerëz u vranë.
Gjashtë javë më vonë, Ivana e vogël mbetet e mbështjellë me fashë të bardhë nga koka te këmbët, përveç fytyrës së saj. Ajo pësoi djegie të shkallës së tretë në mbi 40 për qind të trupit të saj. Flokët dhe koka, ana e majtë deri te këmbët, të dy krahët dhe gjoksi i ishin djegur. Shtëpia e familjes u dëmtua, tavani u dogj. Gjërat me vlerë të familjes, të paketuara në veturën e tyre ndërsa po përgatiteshin të largoheshin, u dogjën gjithashtu. Motra e madhe e Ivanas, Rahaf, 7 vjeçe, është shëruar më shpejt nga djegiet në fytyrë dhe duar.
Fatima Zayoun, nëna e tyre, ishte në kuzhinë kur ndodhi shpërthimi. Zayoun ishte hedhur për t’i kapur vajzat që po luanin në tarracë.
“Ishte sikur diçka më ngriti lart që të mund t’i kapja fëmijët e mi. Nuk e kam idenë se si kam arritur t'i tërheq dhe t'i hedhi nga dritarja”, ka thënë Zayoun.
Ajo ka folur nga njësia e djegieve në spitalin “Geitaoui”.
“Hiri i zi i mbuloi...Ivana ishte pa flokë. I thashë vetes: ‘Kjo nuk është ajo’”, tregon Zayoun.
Tani, fashat e Ivanës ndërrohen çdo dy ditë. Mjeku i saj, Ziad Sleiman, ka thënë se ajo mund të lirohet brenda disa ditësh. Ajo është kthyer përsëri për të thënë "Mama" dhe "Bye” – një shprehje për dëshirën për të dalë.
Ashtu si Husseini, Ivana nuk ka shtëpi ku të kthehet. Prindërit e saj kanë frikë se strehimoret kolektive mund të shkaktojnë kthimin e një infeksioni.
Pasi i pa fëmijët e saj “të shtrirë në dysheme nga dhimbja”, Zayoun, 35 vjeçe, tha se edhe nëse shtëpia e tyre riparohet, ajo nuk do të dëshiron të kthehet.
“E pashë vdekjen me sytë e mi”, është shprehur ajo.
Zayoun ishte 17 vjeç herën e fundit kur Izraeli dhe Hezbollahu ishin në luftë, në vitin 2006. E zhvendosur me familjen e saj atëherë, ajo tregonte se atëherë pothuajse i pëlqente përvoja, duke u larguar nga fshati në një kamion plot me gjërat e tyre, duke u përzier me njerëz të rinj, duke mësuar gjëra të reja. Ata u kthyen në shtëpi kur mbaroi lufta.
“Por kjo luftë është e vështirë. Ata po godasin kudo. Çfarë duan nga ne? A duan të lëndojnë fëmijët tanë? Ne nuk jemi ata që kërkojnë”, ka thënë ajo.

Sulmet në shtëpi - të vështira për t'i përballuar fëmijët
Kirurgu Abu Sittah ka thënë se shumica e lëndimeve të fëmijëve janë nga shpërthimet ose rrënojat e ndërtesave të shkatërruar. Ky sulm në një hapësire ku ata presin të jenë të paprekshëm mund të ketë efekte të vazhdueshme.
“Fëmijët ndihen të sigurt në shtëpi. Lëndimi i bën ata për herë të parë të humbin ndjenjën e sigurisë, ndjenjën se prindërit i mbajnë të sigurtë, se shtëpitë e tyre janë të pathyeshme dhe papritmas shtëpitë e tyre bëhen jo aq të pathyeshme”, ka thënë Sittah.
Në një nga mëngjeset, fëmijët po luanin në oborrin e një shkolle profesionale të kthyer në strehë në Dekwaneh, në veri të Bejrutit, ku tani jetojnë gati 3,000 njerëz të zhvendosur nga jugu. Prindërit ishin të zënë duke u munduar të rregullojnë një banjë, në katin e një ndërtesë ku gjenden afro 700 njerëz.
Vetëm koha e lojës i bashkon fëmijët nga fshatra të ndryshme në jug. Ata u ndanë në dy ekipe, të moshave nga 6 deri në 12 vjeç, duke garuar se cilët po marrin të parët shaminë.
Një vajzë e vogël përqafonte dhe shtrëngonte duart me të huajt që kishin ardhur në strehë.
“Unë jam nga Libani. Mos i trego askujt”, pëshpëriti ajo në veshët e tyre.
Loja u prish kur dy vajza në fillim të adoleshencës u përleshën mes vete. Filluan shtyrjet dhe fyerjet. Pasuan lotët dhe tërbimet. Vajza e vockël u largua e shtangur.
Maria Elizabeth Haddad, menaxhere e programeve të mbështetjes psikosociale në Bejrut dhe zonat fqinje për Korpusin Mjekësor Ndërkombëtar me bazë në SHBA, ka thënë se prindërit në strehimore raportuan shenja të rritjes së ankthit, armiqësisë dhe agresionit midis fëmijëve. Ata nuk i marrin parasysh fjalët e prindërve dhe injorojnë rregullat. Disa kanë zhvilluar pengesa në të folur. Njëri nga ta është duke shfaqur shenja të hershme të psikozës.
“Do të ketë simptoma që do të shfaqen edhe kur të rriten, veçanërisht lidhur me aftësitë e lidhjes, me ndjenjën e sigurisë. Është një traumë brezash. E kemi përjetuar më parë me prindërit tanë... Ata nuk kanë stabilitet ose kërkojnë stabilitet shtesë. Kjo nuk do të jetë e lehtë për t'u kapërcyer”, ka thënë Haddad.
Fazat e reja të jetës
Fëmijët përfaqësojnë më shumë se një të tretën e mbi 1 milion njerëzve të zhvendosur nga lufta në Liban dhe pas njoftimeve izraelite për evakuim, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë. Më shumë se 60,000 njerëz janë zhvendosur nga Izraeli verior.
Qindra mijëra në Liban kanë mbetur pa ndjekur mësimet, pasi shkollat janë bërë të paarritshme.
Babai i Husseinit thotë se ai dhe djali i tij duhet të fillojnë së bashku nga e para. Me ndihmën e të afërmve, të dy kanë gjetur një strehë të përkohshme në një shtëpi, dhe për babanë, kjo është një ndjenjë e shkurtër lehtësimi.
“Falënderoj Zotin që nuk po kërkon nënën dhe vëllezërit e motrat e tij”, ka thënë babai 40-vjeçar, Hassan Mikdad.
Ai nuk ka asnjë shpjegim për djalin e tij, i cili pa familjen të vdiste në shtëpinë e tyre. Dy motrat e tij, Celine, 10 vjeç dhe Cila, 14 vjeç, u nxorën nga rrënojat të nesërmen. Nëna e tij, Mona, u nxor tri ditë më vonë. Ajo është gjetur në përqafim me djalin e saj 6-vjeçar, Aliun.
Sulmi i 21 tetorit shkaktoi gjithashtu dëme në një nga spitalet kryesore publike të Bejrutit, duke thyer panelet diellore dhe dritaret nëpër barnatore dhe njësinë e dializës. Hassan Mikdad mbijetoi sepse kishte dalë për kafe. Ai po ashtu humbi dyqanin, motoçikletat dhe veturën e tij - të gjitha dëshmitë e jetës së tij familjare 16-vjeçare.
Miku i tij, Hussein Hammoudeh, mbërriti në vendngjarje për ta ndihmuar në kërkimin nën rrënoja. Hammoudeh dalloi gishtat e të voglit Hussein Mikdad në errësirë në një rrugicë pas shtëpisë së tyre. Në fillim ai kishte menduar se ishin gjymtyrë të prera, derisa kishte dëgjuar britmat e djalit. Ai e nxori Husseinin, i cili kishte një xham të futur në këmbë dhe një shufër metalike në shpatullën e tij.
Hammoudeh tha se nuk e njohu djalin. Ai mbajti në vend kyçin e dorës pothuajse të prerë të fëmijës.
Në spital tani, Hussein Mikdad pinte një lëng ndërsa dëgjonte të atin dhe mikun e tij. Babai i tij u kthye nga ai, duke e pyetur nëse donte një lodër “Spiderman” – në një përpjekje për ta parandaluar një shpërthim të ri lotësh. Ai ka thënë se i blen Husseinit një lodër çdo ditë.
“Ajo që po jetoj më duket si një gënjeshtër e madhe. ...Mendja nuk mund ta kuptojë. Falënderoj Zotin që kam Husseinin”, ka thënë ai.