Botë

FDA-ja jep lejen për kombinimin e vaksinave COVID dhe për dozat përforcuese të Modernas e J&J

Agjencia Federale e SHBA-së për Ushqim dhe Barna (FDA) ka dhënë dritën e gjelbër për doza përforcuese të vaksinës anti-COVID për amerikanët që kanë marrë vaksinën e Modernas apo të Johnson & Johnson, dhe ka thënë se të gjithë që kanë të drejtë të marrin dozën shtesë, mund të marrin të një marke tjetër, ndryshe nga ajo që morën fillimisht, raporton agjencia AP.

Vendimi i FDA-së shënon një hap të madh para drejt zgjerimit të fushatës për dozën e tretë të vaksinës në SHBA, e cila nisi fillimisht me vaksinën e Pfizerit muajin e kaluar. Mirëpo, para vendimit final, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, do të konsultojë të enjten një panel të ekspertëve. Më pas do të finalizohen rekomandimet se cilët do të kenë të drejtë të marrin doza përforcuese dhe kohën se kur mund të marrin ato.

Lëvizjet e fundit do të zgjeronin në dhjetëra miliona numrin amerikanëve që mund të marrin doza përforcuese dhe do të lejonin zyrtarisht “që të bënin përzierjen” – duke e bërë më të lehtë të marrin dozën përfocuese, veçanërisht për njerëzit që kishin efekt anësor nga vaksina e një kompanie, por që ende duan të mbrohen.

Në mënyrë të veçantë, FDA-ja ka autorizuar dozën e tretë të Modernas për të moshuarit dhe të tjerët që janë në rrezikshmëri të lartë, për shkak të problemeve të tyre shëndetësore, punës apo kushteve të jetesë – gjashtë muaj pas dozës së dytë.

Një ndryshim i madh: doza përforcuese e Modernas do të jetë përgjysmë më e vogël se që ishte në dy vaksinat e para, duke u bazuar në të dhënat e kompanisë.

Sa i përket vaksinës Johnson & Johnson, FDA-ja ka thënë se gjithë amerikanët, pavarësisht moshës, do të mund të marrin dozën e dytë, së paku dy muaj pas vaksinimit fillestar.

Sa për kombinim, FDA-ja ka thënë se është në rregull të përdoret çdo markë e vaksinës përforcuese pavarësisht se cilën vaksinë e kanë marrë fillimisht qytetarët. Kjo pritet të shpejtojë fushatën e vaksinimit, veçanërisht në shtëpitë e kujdesit.