Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA është duke e kërkuar një spiun iranian të pretenduar. FBI-ja dyshon se ai është i përfshirë në komplote për të vrarë zyrtarë dhe ish-zyrtarë qeveritarë të SHBA-së, raporton “BBC” të martën.
Agjencia akuzon Majid Farahanin (42) se po komplotonte për vrasje hakmarrëse. Donte të nxjerrtë hak për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani.
Soleimani, komandant i forcave “Quds” të Iranit, u vra në një sulm amerikan me dron në Irak në janar të vitit 2020.
FBI-ja thotë se Farahani kishte vepruar në emër të Ministrisë së Inteligjencës së Iranit.
Në një njoftim të postuar të premten, FBI-ja tha se e kërkonte Majid Dastjani Farhanin për ta marrë në pyetje në lidhje me rekrutimin e individëve për operacione në SHBA.
Zyrtarët thanë se Farahani udhëton mes Iranit e Venezuelës dhe se ka rekrutuar aleatë për “aktivitete të mbikëqyrjes të fokusuara në objekte fetare, biznese dhe objekte tjera” në SHBA.
Në dhjetor të vitit 2023, Farahani dhe një zyrtar tjetër i supozuar i inteligjencës u sanksionuan nga Thesari i SHBA-së.
BBC-ja ka kontaktuar zyrtarët iranianë në Washington e New York për të marrë një koment.
Zyrtarët iranianë janë zotuar të hakmerren për vrasjen e Soleimanit, që shihej gjerësisht si personi i dytë më i fuqishëm në Iran. Ai u vra në aeroportin e Bagdadit së bashku me disa iranianë. Urdhri për sulm ishte dhënë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump.