Liderë perëndimorë janë solidarizuar të shtunën me Ukrainën, duke qëndruar në Kiev, në përvjetorin e dytë të luftës. Nga kryeqyteti, ata janë zotuar se nuk do të ndalen së mbështeturi Ukrainën deri në liri të plotë. Ndërkaq, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se ukrainasit nuk do të lejojnë që shteti i tyre të shuhet
(Reuters) - Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është zotuar se Evropa do ta mbrojë Ukrainën derisa ajo të jetë plotësisht e lirë, teksa bashkë me tre liderë të tjerë perëndimorë qëndruan të shtunën në Kiev, për të shprehur solidaritetin me shtetin ukrainas në përvjetorin e dytë të pushimit në shkallë të plotë nga Rusia.
Vizita nga Von der Leyen dhe kryeministrat e Italisë, Kanadasë dhe Belgjikës – Giorgia Meloni, Justin Trudeau dhe Alexander De Croo – ka shpërfaqur mbështetjen, në kohën kur Ukraina po përballet me mungesë të furnizimeve ushtarake që po e dëmtojnë në fushëbetejë. Von der Leyen ka premtuar mbështetje për Ukrainën edhe me pajisje ushtarake.
“Më shumë se kurrë, ne qëndrojmë fuqishëm me Ukrainën. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe moralisht. Deri sa shteti të jetë më në fund i lirë”, është shprehur Von der Leyen, e cila arriti në Kiev gjatë natës, me një tren nga Polonia.
Deklaratën Von der Leyen e ka thënë teksa liderët evropianë e vizituan aeroportin Hostomel, ku në nisje të pushtimit u zhvilluan beteja të ashpra me forcat ruse që tentonin pushtimin e kryeqytetit Kiev. Për rëndësinë e kësaj beteje ka folur edhe kryeministrja italiane, Meloni.
“Jemi këtu për t’i falënderuar ato gra dhe burra të cilët më 24 shkurt të dy vjetëve më parë, nuk u larguan dhe në vend të kësaj luftuan. Ky vend është simbol i dështimit të Moskës, simbol i krenarisë së Ukrainës”, ka thënë Meloni.
E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se Ukraina do të jetë e lirë. Ai ka thënë se ukrainasit s’do ta lejojnë Ukrainën që ajo të përfundojë.
“Dy vjet më parë ne u përballëm këtu me zjarrin e trupave armike, dhe dy vjet më vonë, po takojmë miqtë tanë, partnerët tanë këtu. Secili njeri normal dëshiron që lufta të përfundojë. Por asnjëri nga ne nuk do të lejojë që Ukrainë të përfundojë. Fjala ‘pavarësi’ do të qëndrojë përgjithmonë pranë fjalës Ukrainë në historinë e të ardhmes”, ka deklaruar Zelensky.
Jashtë Kievit, hyrje të vitit të tretë të agresionit rus, luftimet nuk u ndalën.
Dronët rusë kanë sulmuar portin e Odesës për të dytë natë me radhë, duke goditur një ndërtesë banimi, duke lënë të vrarë një person, sipas një kryebashkiaku rajonal. Në Dnipro, një dron rus ka goditur një ndërtesë banimi, derisa një operacion shpëtimi zbuloi dy të vdekur.
Në ndërkohë, një burim në Kiev ka thënë se dronët ukrainas kanë shkaktuar shpërthim në një fabrikë çeliku, të cilën një zyrtar rus e identifikoi si në Lipeptsk, rreth 400 kilometra larg nga Ukraina, që është përgjegjës për rreth 18 për qind të prodhimit rus.
Perëndimi e sheh pushtimin si akt të pajustifikuar agresioni i cili duhet të zmbrapset, derisa Italia, e cila është kryesuese aktuale e G7-s, ka thënë se është jetike për të sfiduar perceptimet se Ukraina është e lodhur nga konflikti dhe se Rusia po fiton.
Teksa lufta hyn në vitin e tretë, pengesat në lindje e kanë bërë ushtrinë e Ukrainës të duket e pambrojtur.
Duke kërkuar të ruajë fokusin perëndimor në Ukrainë, Zelensky ka paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të mos ndalet në kufijtë e Ukrainës nëse del fitimtar. Mirëpo Putini ka hedhur poshtë pretendime të tilla dhe e konsideron luftën si një luftë më të gjerë me Shtetet e Bashkuara, për të cilën ai thotë se synon ta shpërbëjë Rusinë.
Organizime për përvjetor ishin planifikuar në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë një shërbim për t’i përkujtuar ata që vdiqën në Bucha, në veri të Kievit - skena e disa prej krimeve më të rënda të supozuara të luftës.
Ukraina ka bërë të ditur të premten se kishte nisur hetimet për më shumë se 122 mijë krime të dyshuara lufte në dy vjetët e fundit, të cilat Rusia mohon t'i ketë kryer.