Familjet e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi u bënë thirrje të gjitha palëve që të pranojnë menjëherë një propozim të detajuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, për t’i dhënë fund luftës gati 8-mujore dhe për të sjellë të afërmit e tyre në shtëpi. Por, qeveria izraelite njoftoi se kushtet për një armëpushim duhet ende të përmbushen.
Bisedimet për armëpushimin u ndalën muajin e kaluar pas një shtytjeje të madhe nga SHBA-ja dhe ndërmjetës të tjerë për të siguruar një marrëveshje me shpresën për të shmangur një pushtim të plotë izraelit të qytetit jugor të Gazës, Rafah. Izraeli bëri të ditur se operacioni në Rafah është jetik për çrrënjosjen e luftëtarëve të Hamasit, përgjegjës për sulmin e 7 tetorit në Izraelin jugor që shkaktoi luftën.
Izraeli të premten konfirmoi se trupat e tij po operonin në pjesët qendrore të qytetit. Sulmi tokësor ka çuar në një eksod të rreth 1 milion palestinezëve jashtë qytetit dhe ka sjellë në trazira operacionet humanitare të OKB-së me bazë në zonë, raporton AP.
Pas fjalimit të Bidenit, familjet e pengjeve thanë se koha po kalon teksa ende po presin që Izraeli e Hamasi ta pranojnë marrëveshjen.
“Ne duam t’i shohim njerëzit që kthehen nga Gaza të gjallë dhe sa më shpejt”, tha Gili Roman.
Motra e tij, Yarden Roman-Gat, u mor peng dhe u lirua gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, por kunata e Yardenit, Carmel, mbahet ende peng.
“Ky mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar jetë. Prandaj, gjendja aktuale duhet të ndryshohet dhe ne presim që të gjithë t’i përmbahen thirrjes së Bidenit për pranimin e marrëveshjes në tryezë, menjëherë. Nuk ka rrugë tjetër drejt një situate më të mirë për të gjithë. Lidershipi ynë nuk duhet të na zhgënjejë. Por kryesisht, e gjithë vëmendja është te Hamasi”, tha ai.
Propozimi erdhi pas asaj që familjet e pengjeve thanë se ishte një takim zhgënjyes të enjten me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Izraelit, Tzachi Hanegbi, i cili u tha atyre se qeveria nuk ishte gati të nënshkruante një marrëveshje për të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi dhe se nuk kishte plan B.
Hanegbi ka theksuar këtë javë se pret që lufta të zvarritet edhe për shtatë muaj të tjerë, në mënyrë që të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.
Netanyahu ka premtuar një “fitore të plotë” që do ta largonte Hamasin nga pushteti, do të shpërbënte strukturën e tij ushtarake dhe do të kthente pengjet, dhe të shtunën, qeveria njoftoi se kushtet e saj për t’i dhënë fund luftës nuk kishin ndryshuar. Vendosja e një armëpushimi të përhershëm përpara se të plotësohen kushtet nuk është pika fillestare, tha ai.
Shumë familje të pengjeve fajësojnë qeverinë izraelite për të siguruar një marrëveshje për lirimin e pengjeve.