Botë

Familja e ngrirë, mijëra kilometra larg shtëpisë

Disa prej banorëve e dinin për planin e Patelit. Thonë se në Kanada shkuan me viza të vizitorëve. Të afërmit u shqetësuan fort kur ndaluan mesazhet nga familja, vetëm një javë pas largimit të tyre.

Në natën kur Vaishaliben Patel, bashkëshorti i saj Jagdish dhe dy fëmijët po prisnin në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, ishin veshur me rroba të trasha dimri dhe çizme bore. Temperaturat gjatë ecjes së tyre në Emerson të Manitobas ishin 35 gradë nën zero.

Familja e re ndoshta kurrë nuk ka përjetuar temperatura të tilla më parë. Edhe në ditët më të ftohta, fshati i familjes Patel në perëndim të Indisë kurrë nuk do të arrinte temperaturat nën minus 10 gradë Celsius.

Gjatë ecjes, ndoshta për dy-tri orë, ose edhe më shumë – erërat e acarta përplasnin borën dhe akullin gjatë shtegut të tyre, duke reduktuar pamjen e tyre.

Policia kanadeze gjeti të katërtit – Vaishaliben, 37-vjeçare, Jagdishin, 39-vjeçar, vajzën Vihangi, 11-vjeçare dhe të birin Dharmik, 3-vjeçar. Ishin pranë njëri-tjetrit. Të ngrirë në një lëndinë më 19 janar. Vdiqën vetëm 12 metra larg kufirit të SHBA-së.

Rasti misterioz i familjes së re që nga fshati i vogël i Indisë arriti në Manitoba të pjesës tjetër të botës, ka lënë gojëhapur kanadezët dhe indianët. Ky rast ka shpërfaqur problemet e rënda ekonomike që shtyn familjen drejt tragjedisë.

Zyrtarët besojnë se vdekja e familjes është rast i trafikimit njerëzor. Autoritetet në SHBA dhe Kanada, ende janë duke tentuar të mësojnë se si familja Patel arriti Emersonin dhe kush i solli deri aty, fatkeqësisht në vdekjen e tyre. Fshati Dingucha në perëndim të Indisë është larg sa s’bëhet. Diku 12 mijë kilometra larg Emersonit, qyteti është strehë e 3 mijë e 500 banorëve. Shumica e tyre merren me bujqësi dhe blegtori.

Jeta në fshat

Në këtë fshat, familja Patel jetonte në shtëpinë dykatëshe me ballkon në çati. Shtëpia e tyre ishte e renditur me shtëpi të tjera me tulla. Krejt të ngjyrosura me ngjyra të verdha, vjollce dhe të bardhë.

Disa prej banorëve e dinin për planin e Patel. Thonë se në Kanada shkuan me viza të vizitorëve. Të afërmit u shqetësuan fort kur ndaluan mesazhet nga familja, vetëm një javë pas largimit të tyre. Më 12 janar ose rreth kësaj date, familja Patel arriti në Kanada me aeroplanin drejt Torontos, para se të udhëtonte 2 mijë kilometra në perëndim të Manitobas.

Policia ende nuk ka përcaktuar se si arriti në Emerson – nga toka apo qielli – ani pse nuk ka asnjë të dhënë nga ata për fluturimet brenda Kanadasë.

Rrugëtimi me automjet do të kishte qenë shumë i gjatë – 22 orë në autostradën mes dy shteteve. Dyshohet se familja ka arritur në afërsi të kufirit, duke ecur mbi liqenet e ngrira në jug të Ontarios, para se të arrinin në fushat e gjera, në të cilat erërat bartin borën, siç bart ajri tymin.

Deri më 18 janar, ata arritën në Emerson. Kështu, familja ia shtoi edhe katër banorë qytetit të vogël me popullsi prej 700 banorësh.

Qyteti ka një farmaci, një dyqan ushqimor, një shkollë. Shtëpitë janë modeste me garazhe për një makinë dhe oborre të mëdha. Banorët e quajnë qytet pensionistësh - vend i këndshëm për të jetuar, pa shumë për të bërë.

Nëse Patelët do të kishin qëndruar në një nga dy motele në kufi të Emersonit, do të kishin pamje të SHBA-së, Dakotën Veriore në të djathtë, Minesotan në të majtë. Nga këtu, në skajin jugor të Manitobës, mund të jetë e vështirë të dallosh rrafshin e bardhë të fushave të ngrira nga qielli me borë.

Qëndrimi jashtë në dimrin e Emersonit është pothuajse i padurueshëm, pavarësisht nga shtresat e leshit në rroba. Ajri djeg mushkëritë në çdo frymëmarrje edhe kur është 15 gradë më i ngrohtë se dita kur Patelët u përpoqën të ecnin përtej kufirit.

I ftohti ndihet “si një qen që të kafshon dorën dhe nuk të lë të shkojë”, thotë George Andrawess, i cili drejton farmacinë e vetme në Emerson, pesë minuta larg kufirit. “Lotët të ngrijnë në sy”, thotë ai.

Në një fotografi të Patels, që tani qarkullon në internet, familja duket e lumtur, të katërt duke buzëqeshur në objektivin e kamerës, si për një kartolinë urimi për festa. Dharmik, vogëlushi, përshtat të atin me një jelek bardhezi me lule. Vihangi, 11 vjeç, mban të njëjtin buzëkuq si nëna e saj.

Si Jagdish, ashtu edhe Vaishaliben ishin të arsimuar, thonë media lokale. Të dy punonin si mësues. Patelët kishin një shtëpi të dytë aty pranë, në qytetin më të afërt të klasës së mesme, Kalol. Jagdish kishte ndihmuar vëllain e tij në biznesin e veshjeve.

Prindërit e tyre ishin shpesh aty pranë, duke e ndarë kohën mes Kalol dhe Dingucha. Megjithatë, pavarësisht paraqitjes së një jete të mirë në Indi, diçka i detyroi Patelët të largoheshin. Në Dingucha kjo është e zakonshme, thonë banorët për BBC.

“Çdo fëmijë këtu rritet me ëndrrën për të ikur në një vend të huaj”, thotë një politikan në Dingucha.

Ëndrra amerikane

Shumë vendas folën për një presion social intensiv dhe të përhapur për të lëvizur jashtë vendit, me status social të përcaktuar nga lidhjet në vendet e huaja. Ata që qëndrojnë shihen si të paaftë për të mbledhur fondet për t'u larguar, të gjithë të tjerët ecin përpara, thonë disa.

“Ka raste që djemtë në moshë martese nuk mund të gjejnë një vajzë të përshtatshme, sepse nuk kanë të afërm të afërt në asnjë vend të huaj”, thotë një person.

Dhe ndoshta kishte pikëpamje të idealizuara të jetës jashtë vendit. “Ka shumë njerëz edhe më herët që kishin shkuar në SHBA pa dokumentacion të duhur dhe shumë prej tyre janë mirë”, thotë një tjetër.

Në Winnipeg, indo-kanadezët thanë se e dinin mirë “çmendurinë” e lëvizjes jashtë vendit midis indianëve të klasës së mesme dhe të mesme të lartë.

“Njerëzit mendojnë se këtu ka pemë dollarësh”, thotë Mitesh Trivedi. “Këtë e kisha në mendje kur erdha, isha 26 vjeç”.

Trivedi, tani 59 vjeç, u vendos në Kanada tri dekada më parë me një vizë martese dhe u bë shtetas në vitin 2000. Në shumë mënyra, jeta e tij është ajo që emigrantët ekonomikë indianë aspirojnë jashtë vendit: Zotëron një restorant fitimprurës, ka krijuar familje dhe dy vajzat e tij janë të diplomuara në mjekësi.

Megjithëse ai ishte me arsim të lartë në Indi - Trivedi është inxhinier nga trajnimi - lëvizshmëria në rritje do të ishte e kufizuar atje. “Kam lindur në klasë të mesme të ulët. Nëse do të kisha qëndruar, do të kisha vdekur nga klasa e ulët e mesme”, thotë.

Sipas Trivedit dhe indianëve të tjerë, dëshpërimi për të emigruar ka shkaktuar një industri nëntokësore të “emigrimit të parregullt”, duke iu referuar kalimeve kufitare SHBA-Kanada midis porteve zyrtare të hyrjes.

Kalimet në të zezën

Ai dhe emigrantët e tjerë në Winnipeg përshkruan rrjete klandestine udhëtimesh, plane të heshtura mes kontakteve në Indi, Kanada dhe SHBA, që lehtësojnë këto kalime, me të afërmit ose miqtë që u kontrabanduan me sukses, duke u bërë “referenca” për kontrabandistët e veçantë.

“Është fjalë goje”, thotë Trivedi. “Nuk ka asgjë në letër”.

Ka dëgjuar për njerëz që e kanë bërë kalimet. Kalimi në këmbë apo fshehja në bagazhe makinash “nuk është e re”.

Këto rrjete mund të nxisin streha të sigurta jashtë vendit, me emigrantët indianë të dokumentuar që ofrojnë një vend për të qëndruar ose punësim në të zezën për të sapoardhurit.

Sipas Bordit të Emigracionit dhe Refugjatëve të Kanadasë, vendi po përjeton një fluks emigrimi të parregullt. Shumica e këtyre vendkalimeve janë në drejtim të veriut - me emigrantë që përpiqen të kalojnë në Kanada nga SHBA-ja.

Vitin e kaluar, rreth 4,000 njerëz u gjetën duke u përpjekur të hynin në Kanada në këtë mënyrë, krahasuar me 900 që kaluan në SHBA, thotë profesoresha e Universitetit Perëndimor, Victoria Esses, e cila studion politikën e imigracionit. Përpara kufizimeve të udhëtimit Covid-19, të dy numrat ka të ngjarë të ishin më të larta, tha ajo.

Ndoshta udhëtimi duket i thjeshtë – kalimi i një kufiri që nuk shihet fare, mirëpo në natën e kalimit të familjes indiane, ai shteg me borë nuk ka ofruar asgjë veç tmerrit.

Nuk e kaluan kufirin. Në momentet e tyre të fundit, ata ndoshta nuk e kanë ditur se ku ishin.