Një dështim në këto sisteme mund të shpjerë te një katastrofë e ngjashme me termocentralin e Fukushimas në Japoni, kur tërmeti dhe cunami në vitin 2011 shkatërruan sistemet ftohëse, duke nxitur shkrirjen në tre reaktorë. Ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se sulmi rus në termocentralin bërthamor mund të kishte shkaktuar shpërthim të barabartë me atë të 1986-s në Chernobyl
Rusia ka kërcënuar sigurinë e krejt Evropës, kur në orët e para të 4 marsit ushtria sulmoi termocentralin më të madh bërthamor të kontinentit.
Sulmi ndaj termocentralit në Zaporizhzhia ka shqetësuar botën, ndërkaq Evropës i ka ngjallur kujtimet e katastrofës bërthamore të Chernobylit.
Zjarrfikësit kanë arritur të lokalizojnë zjarrin, ndërkaq ekspertët e termocentralit kanë bërë të ditur se nuk pati rrezatime, mirëpo kanë sqaruar se katastrofa mund të ndodhë në çdo moment.
Rregullatori bërthamor i Ukrainës ka bërë të ditur se nëse ushtria ruse ndërpret furnizimin me energji elektrike të termocentralit bërthamor, do të detyrohen të përdorin gjeneratorët me naftë, me qëllim që të operojnë sistemet ftohëse.
Një dështim në këto sisteme mund të shpjerë te një katastrofë e ngjashme me termocentralin e Fukushimas në Japoni, kur tërmeti dhe cunami në vitin 2011 shkatërruan sistemet ftohëse, duke nxitur shkrirjen në tre reaktorë.
Ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se sulmi rus në termocentralin bërthamor mund të kishte shkaktuar shpërthim të barabartë më 1986 në Chernobyl.
“Ushtria ruse sulmoi termocentralin bërthamor, më të madhin në Evropë. Është i rrezikshëm sa ai më 1986 në Chernobyl. Tanket ruse e dinin se po sulmonin termocentralin. Ky është një terror në nivele të paprecedentë”, ka thënë Volodymyr Zelenskyy.
Të premten gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë cilësuar si krim lufte sulmin ndaj termocentralit bërthamor Zaporizhzhia. Ambasada amerikane në Kiev e ka quajtur krim lufte sulmin rus ndaj termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia.
“Është një krim lufte të sulmosh një central bërthamor. Bombardimi i centralit bërthamor më të madh të Evropës nga Putini e çon sundimin e tij të terrorit një hap më tej”, thuhet në reagimin e ambasadës. Tre ukrainas kanë mbetur të vdekur nga sulmi në termocentralin e Zaporizhzhia.
Ndërkaq Këshilli i Sigurimit i OKB-së është mbledhur në New York pasi shtetet anëtare kërkuan një takim urgjent pas bombardimeve ruse në centralin bërthamor në Ukrainë, që tani është nën kontrollin e saj. Ndërtesat në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë - më i madhi në Evropë - janë dëmtuar dhe Ukraina thotë se ka të vdekur dhe të plagosur.
Përfaqësuesja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë në takim se veprimet e Rusisë ishin "të pamatura" dhe "të rrezikshme".
“Bota shmangu për pak një katastrofë bërthamore mbrëmë. Ne të gjithë prisnim të nxirrnim frymën ndërsa shikonim situatën e tmerrshme të shpalosej në kohë reale”, ka thënë ajo. Ajo ka shtuar se forcat ruse janë 32 km larg nga një tjetër objekt bërthamor dhe se "rreziku i menjëhershëm" vazhdon.
“Nuk ka rrjedhje radioaktive”
Nuk ka pasur “asnjë rrjedhje të materialit radioaktiv” nga centrali bërthamor i Zaporizhzhia që u sulmua nga forcat ruse, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, gjatë një konference për shtyp.
Pentagoni nuk mund të flasë se në çfarë statusi funksional është termocentrali tani ose nëse rusët kanë kontrollin e termocentralit, tha Kirby.
Departamenti i Mbrojtjes po ndihmon Departamentin e Energjisë në reagimin e SHBA-së ndaj incidentit, shtoi Kirby.
"Për shkak se ne kemi përvojë në drejtimin e centraleve bërthamore në Departamentin e Mbrojtjes, ne jemi pjesë e asaj përpjekjeje duke ofruar disa këshilla për Departamentin e Energjisë", tha Kirby.
Kirby e quajti sulmin "tepër të rrezikshëm".
“Sulmi i një centrali bërthamor është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të kishte shkaktuar shumë më tepër dëme dhe shkatërrim për popullin e Ukrainës dhe ndoshta edhe për vendet fqinje, nëse kjo do të kishte shkuar në një mënyrë tjetër”, deklaroi Kirby.
Sekretarja e Energjisë e SHBA-së, Jennifer Granholm, postoi të premten në Twitter se “forcat ruse janë në kontroll të centralit bërthamor të Zaporizhzhia” dhe i bëri thirrje Rusisë “të lejojë operatorët ukrainas të vazhdojnë të operojnë në mënyrë të sigurt – duke përfshirë lejimin e ndryshimeve të ndërrimit në Zaporizhzhia dhe Chornobyl”.
Në një seri postimesh, Granholm ka vlerësuar gjithashtu operatorët ukrainas për "jashtëzakonisht të përgjegjshëm në mënyrën se si ata iu përgjigjën sulmit të tmerrshëm të djeshëm duke hequr në mënyrë të sigurt dy nga reaktorët jashtë linje".
Granholm ka treguar se një reaktor aktualisht "po funksionon me kapacitet të pjesshëm për të mbajtur rrjetin elektrik të qëndrueshëm".
Granholm gjithashtu ka thënë se si termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia "është projektuar për t'u bërë ballë granatimeve ose bombardimeve të konsiderueshme".
Sulmet ndaj Kievit
Edhe të premten, forcat ruse janë përqendruar në rrethimin e Kievit. Pjesa më e madhe e kapaciteteve ushtarake gjendet vetëm 60 kilometra larg kryeqytetit ukrainas.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se lufta në Ukrainë "po shkonte sipas planit", pavarësisht vlerësimeve nga vendet e tjera se pushtimi i Kremlinit nuk ka shkuar sipas planit.
Ushtria ukrainase ka thënë të ketë vrarë 9 mijë e 200 ushtarë rusë, ndërkaq Rusia ka konfirmuar vrasjen e vetëm 498 ushtarëve të saj qëkur filloi pushtimin e Ukrainës.
Zyra për të Drejtat e Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara ka thënë se 331 civilë janë vrarë deri më tani nga sulmet ruse në Ukrainë. Sipas kësaj zyre, kanë mbetur të plagosur edhe 675 civilë. Sulmet ruse në Ukrainë kanë hyrë të premten në ditën e nëntë.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq po paralajmëron se Ukraina përballet me një "krizë shkatërruese humanitare", pasi shifrat e viktimave po rriten dhe spitalet po luftojnë për ta përballuar numrin e madh të të plagosurve nga bombardimet.
Në një deklaratë nga Gjeneva, KNKK thotë se qasja për të përmbushur mandatin e saj sipas Konventave të Gjenevës duhet të jepet tani dhe "të mos vonohet deri në një armëpushim të mundshëm në të ardhmen".
Deklarata parashtron detyrimet e palëve ndërluftuese sipas Konventave të Gjenevës, duke përfshirë ndalimin e sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, qasjen në kujdesin shëndetësor, mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë, mbrojtjen e të plagosurve ose të burgosurve dhe qasjen e KNKK-së ndaj atyre i ndaluar.
Ndërkaq organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë bërë të ditur se më shumë se 1 milion ukrainas kanë braktisur vendin e tyre. Shumica e ukrainasve kanë ikur në drejtim të Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke.

“Neutraliteti” i Serbisë
Në qendër të Beogradit të premten në mbrëmje një numër i madh serbësh ka dalë për të protestuar në mbështetje të Rusisë, pas pushtimit që ky shtet nisi ndaj Ukrainës.
Përderisa i gjithë Perëndimi është mbushur me protesta që kundërshtojnë veprimet e Vladimir Putinit, në Serbi ka ndodhur e kundërta.
Me këngë e mesazhe mbështetëse, serbët i kanë ofruar përkrahje pushtimit ushtarak rus të Ukrainës. Protesta u organizua nga organizatat e ekstremit të djathtë.
Në protestë organizatorët e kanë cilësuar presidentin rus, Vladimir Putin, si burrështetasin më të fortë e më të guximshëm në botë. Sipas organizatorëve, “Rusia po e çliron krejt botën nga kërcënimet e NATO-s”.
Ata kanë kritikuar presidentin Aleksandar Vuçiq, pasi që Serbia votoi pro një rezolute në Kombet e Bashkuara për të dënuar agresionin rus.
“Rusi, Rusi”, “Serbët e rusët janë vëllezër përgjithmonë”, “tradhti, tradhti” dhe “Vuçiq Šiptari, e tradhtove Serbinë”, ishin thirrjet e protestuesve.
Serbët gjatë protestës kanë shkelur flamurin e Bashkimit Evropian.
Serbia dhe Bjellorusia janë dy vendet e vetme në Evropë që kanë dalë kundër vendimeve të Perëndimit për të sanksionuar ekonomikisht Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
Të enjten, presidenti ukrainas ka deklaruar se 16 mijë vullnetarë të huaj gjatë ditëve të ardhshme do të hyjnë në Ukrainë për të luftuar kundër ushtrisë ruse, ndërkaq atasheu i mbrojtjes për Ambasadën kroate në Moskë është ftuar nga Ministria Mbrojtëse e Rusisë. Zëdhënësi rus i Ministrisë, Igor Konashenkov, ka thënë se atasheu Zeljko Akrap është informuar në lidhje me akuzat për veprime të jashtëligjshme të shtetasit kroat, Denis Seler. Moska ka deklaruar se Seler mori pjesë në luftën e vitit 2015 kundër forcave ruse në Ukrainë.
Seler dyshohet se ka mbledhur një grup të mercenarëve kroatë për t’iu bashkuar ukrainasve në luftën e tanishme kundër Rusisë. Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se 200 mercenarë kanë udhëtuar nga Kroacia në Ukrainë për të luftuar pushtimin rus.

Izolimi i Rusisë
Rusia është shkëputur nga bota. Në një javë, një komb prej 145 milionë banorësh është mbyllur hermetikisht. Me pothuajse asnjë kundërshtim nga Duma e Putinit.
Ata miratuan "operacionin e tij special" në Ukrainë dhe shtypjen dhe censurën e tij masive në vend. Rusia mori vendim që të bllokojë hyrjen në toprrjetet sociale, si Facebook, Twitter dhe së fundmi edhe Youtube.
Sipas Kremlinit, kjo po bëhet për shkak të kufizimit të këtyre rrjeteve sociale ndaj mediave shtetërore ruse, por edhe për lejimin e dizinformatave. Rusia gjithashtu detyroi mbylljen e mediave neutrale në vend, përfshirë edhe BBC-në.
Ndërkaq Duma e Rusisë ka miratuar Ligjin që dënon me burgim deri në 15 vjet të gjithë ata që publikojnë informacione të rrejshme për aksionet ushtarake. Ligji i ri është miratuar në kohën kur autoritetet ruse kanë shtypur mediat e lira dhe kritikët që raportuan për pushtimin e Ukrainës.
Ligji tani kalon në dhomën e lartë të Dumës, por kjo do të jetë veç formalitet, para se Vladimir Putini zyrtarisht ta nënshkruajë si ligj. Duma ruse ka bërë të ditur se ligji do të hyjë në fuqi nga e shtuna.
Përhapja e informacioneve, të cilat regjimi rus i cilëson si të rrejshme, mund të dënohet deri në tre vjet burgim ose 15 vjet nëse lajmi cilësohet se ka pasur pasoja për shtetin e Rusisë.
Për më pak se dy orë pas miratimit të ligjit, portali i pavarur rus, Znak, ka konfirmuar mbylljen. Është arsyetuar se ligji e ka bërë të pamundur punën e mediave në Rusi. Të mërkurën, radiostacioni EkhoMoskvy është mbyllur, ndërkaq televizioni i pavarur Dozdh ka ndalur punën për shkak të kërcënimeve me mbyllje nga regjimi i Rusisë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar ata që kundërshtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë "të mos e përkeqësojnë situatën" duke vendosur më shumë kufizime ndaj vendit të tij.
Këtë deklaratë, Putini e ka bërë në një takim qeveritar të transmetuar në kanalin e lajmeve të kontrolluar nga shteti, Rossiya 24.
"Ne nuk kemi qëllime të këqija kundër fqinjëve tanë”, ka deklaruar Putini.
Ai ka thënë se "nuk ka nevojë" që fqinjët e Rusisë të ndërmarrin veprime të mëtejshme që do t'i "përkeqësojnë marrëdhëniet tona".
"Unë mendoj se të gjithë duhet të mendojnë se si të normalizojnë marrëdhëniet, të bashkëpunojnë normalisht dhe të zhvillojnë marrëdhëniet normalisht", shton ai.
Deklarata e tij vjen në kohën kur ministrat e Jashtëm perëndimorë janë mbledhur në Bruksel për të shqyrtuar se si ta mbajnë presionin ndaj Rusisë.
Putini gjithashtu ka ripërsëritur pretendimin e tij të mëparshëm se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ushtria ruse deri më tani janë bërë "ekskluzivisht në përgjigje të disa veprimeve jomiqësore kundër Federatës Ruse".
Scholzi kërkon dorëheqjen e ish-kancelarit nga kompanitë ruse
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga ish-kancelari Gerhard Schroeder që të japë dorëheqje nga postet në kompanitë që janë në pronësi të Rusisë. Schroeder, 77-vjeçar, është cilësuar si mik i moçëm i presidentit rus, Vladimir Putin. Kjo lidhje e vjetër ka nxitur kritika në Gjermani, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës. Schroeder është drejtor i bordit mbikëqyrës të “Rosneft”, kompani energjetike, pronë e Rusisë. Ai gjithashtu kishte pozita në projektet e rrjeteve të gazit NordStream 1 dhe 2. Tubat pritej të furnizonin Gjermaninë direkt me gaz nga Rusia, duke anashkaluar Ukrainën. Schroeder gjithashtu është kritikuar për pozitën e tij në Gazprom, korporatë, pronë e Rusisë. Scholzi ka deklaruar se lidhjet e Schroederit me kompanitë ruse nuk janë çështje private për shkak se është ish-kancelar. Schroeder, që drejtoi Gjermaninë mes viteve 1998-2005, për një kohë të gjatë është kritikuar për lidhjet e tij me Rusinë.