Në shumë shtete evropiane, hyrja nëpër kafene dhe restorante lejohet vetëm nëse posedohen dëshmitë si: certifikata e vaksinimit me dy doza, dëshmia e tejkalimit të virusit apo testi negativ. Pankhania alarmoi se dëshmitë përkatëse mund të mos jenë edhe aq të sigurta pasi që edhe njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar mund të infektohen - edhe pse mundësia e tyre për të vdekur është minimalisht e vogël
Në qytetin holandez të Utrehtit, babadimri duket se nuk do ketë mirëpritjen tradicionale. Në Koln të Gjermanisë, festimet e një karnavali u deshën të anuloheshin për shkak se udhëheqësi i karnavalit u infektua me koronavirus. Ndërkaq, Austria po konsideron mbylljen e njerëzve të pavaksinuar.
Pas afërsisht dy vjetëve që nga kriza globale e koronavirusit që mori jetën e mbi 5 milionë njerëzve, numri i rasteve të reja ka filluar të rritet në disa shtete të Evropës Perëndimore, rajon që ka shkallë relativisht të lartë të vaksinimit dhe sistem të qëndrueshëm shëndetësor, por në të cilin masat e mbylljes janë gjëra që i takojnë së shkuarës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se vdekjet nga koronavirusi janë rritur për 10% në Evropë gjatë javës së fundit, dhe sipas një agjencie zyrtare, kontinenti i Evropës “u kthye të jetë epiqendra e pandemisë”. Arsye për këto rritje mundë të jetë vala e re e infektimeve ne Rusi dhe Evropën Lindore ku shkalla e vaksinimit duket të jetë e ultë, por shtetet perëndimore si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar regjistruan një nga valët më të mëdha të infektimeve në botë.
Pavarësisht se shtetet në Evropën Perëndimore kanë shkallë të lartë të vaksinimit me mbi 60% të popullatës së vaksinuar - madje disa shtete si Portugalia e Spanja që kanë përqindje edhe më të lartë, ende mbetet numër i theksuar i njerëzve që nuk janë imunizuar.
Efekti i lirimit të masave
Doktor Bharat Pankhania, ligjërues klinik në Universitetin Exeter të Mjekësisë dhe Shëndetit, ka thënë se kombinimi i faktorëve si, popullata e pavaksinuar, rifillimi i pakontrolluar i shoqërimit në distanca të afërta pas masave shtrënguese dhe rënia e imunitetit te njerëzit që janë vaksinuar muaj më parë, ka bërë që të ketë rritje të vrullshme të rasteve.
Spitalet ne Evropën Perëndimore nuk po përballen me gjendjen e njëjtë si në fillimet e pandemisë, kjo kryesisht për shkak të vaksinimit, mirëpo shumë prej tyre ende po ballafaqohen me numrin në rritje të pacientëve me COVID-19, e në të njëjtën kohë disa spitale detyrohen të kryejnë operacione me staf të stërlodhur ose të sëmurë. Madje, edhe vendet në rajonet që po përjetojnë shpërthimet më serioze, regjistruan mesatare dukshëm më të vogël të vdekjeve në katër javët e fundit në krahasim me Shtetet e Bashkuara, thuhej në një raport të Universitetit Johns Hopkins.
Dilema është që nëse shtetet përkatëse mund ta ulin trajektoren në rritje pa u detyruar të marrin masa shtrënguese që shkatërruan ekonomitë, ndërprenë shkollimin dhe që e rënduan shëndetin mendor. Ekspertët thonë se kjo ka gjasë të ndodhë, mirëpo autoritetet nuk mund t’i shmangin këto masa dhe duhet ta rritin shkallën e vaksinimit.
“Mendoj se periudha e izolimit ka kaluar, sepse tani ne kemi mjetet e duhura për menaxhimin e koronavirusit, siç janë testet, vaksinat dhe terapitë”, ka thënë Devi Sridhar, anëtare e forumit të shëndetit publik global nga Universiteti i Edinburghut. “Shpresoj se njerëzit t’i respektojnë masat që janë në fuqi, siç është bartja e maskës”, ka shtuar ajo.
Në shumë shtete evropiane, hyrja nëpër kafene dhe restorante lejohet vetëm nëse posedohen dëshmitë si: certifikata e vaksinimit me dy doza, dëshmia e tejkalimit të virusit apo testi negativ. Pankhania alarmoi se dëshmitë përkatëse mund të mos jenë edhe aq të sigurta pasi që edhe njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar mund të infektohen - edhe pse mundësia e tyre për të vdekur është minimalisht e vogël.

Problemet e Austrisë
Mirëpo, masat shtrënguese nuk po preferohen këto ditë, ani pse raportohet se qeveria holandeze po e konsideron mbylljen dyjavore, kurse ligjbërësit gjerman po nisin një ligj që mundëson hapjen e rrugës për një sërë masash të reja. Kancelari austriak, Alexander Schallenberg, këtë javë ka deklaruar se sipas të gjitha gjasave, një mbyllje për njerëzit e pavaksinuar duket të jetë “e pashmangshme” dhe në të njëjtën kohë nuk dëshiron që të imponojë ato masa edhe ndaj njerëzve të vaksinuar.
Austria po përballet me një nga shpërthimet më serioze të virusit në Evropën Perëndimore, njëjtë si Gjermania e cila raportoi për një numër rekord të infektimeve ditëve të fundit.
“Po përballemi me një situatë vërtet emergjente”, ka thënë Christian Drosten, shef i departamentit të virologjisë në spitalin “Charite” në Berlin, që ka filluar t’i anulojë terminët për ndërhyrje kirurgjike.
Spitali Universitar i Dusseldorfit raportoi që reparti tyre i intensives është i mbushur, edhe pse shumë klinika të tjera po përballen më shumë me mungesë të ekipeve mjekësore sesa mungesë të shtretërve.
Drosten nënvizoi që Gjermania duhet që sa më shpejt ta kalojë shkallën e vaksinimit në mbi 67%. Por, zyrtarët gjermanë janë penguar nga mandati për porositjen e vaksinave dhe dëshirojnë të shmangin ndonjë mbyllje të tërësishme.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, parashikoi që vendi i tij mund t’i përmirësojë masat shtrënguese të kontrollit ndaj koronavirusit.
“Nëse certifikata ime e vaksinimit kërkohet më shpesh brenda ditës në Rome se sa që kërkohet brenda 4 javëve ne Gjermani, atëherë mendoj që ka hapësirë për përmirësim”, ka thënë së fundmi ministri Spahn.
Holanda është në të njëjtën trajektore: Vendi deklaroi për të enjten si ditën me numrin më të lartë të rasteve të reja që nga fillimi i pandemisë, spitalet po paralajmërojnë që situata mund të përkeqësohet, por zyrtarët shtetërorë janë dyshues ndaj këtyre paralajmërimeve. Si rezultat i këtyre shqetësimeve, organizatorët ne Utrecht thanë që nuk ua lejon ndërgjegjja të mbledhin mijëra njerëz në pritjen e babadimrit në ndejën vjetore të Sinterklass, aq shumë të dashur nga fëmijët.
Për dallim nga Holanda, qytetet në Gjermani vazhduan me festimet nëpër rrugë të karnavalit - mirëpo kryetari i partisë së Kolnit, Princi Sven I, anuloi daljen publike pasi që rezultoi pozitiv.
Jeta me virusin
Në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka larguar masat kufizuese në korrik dhe që është përballur me rritje dhe ulje të rasteve që atëherë, kryeministri Boris Johnson insiston që vendi mund “të jetojë me virusin”. Ai ka shtuar se “Qeveria e tij do t’i rikthejë masat vetëm nëse shërbimi shëndetësor ballafaqohet me situatë “të papërballueshme”.
Spanja, në anën tjetër, një nga shtetet më të goditura nga pandemia, po ofron shembull sa i përket menaxhimit të rreziqeve.
Ajo ka vaksinuar 80% të popullatës së saj, dhe, ani pse bartja e maskave në ambiente të hapura nuk është obligative, shumë njerëz vazhdojnë t’i mbajnë ato. Derisa infektimet janë rritur kohëve të fundit, Rafael Bengoa që është një nga ekspertët më të njohur të shëndetit publik, tha se “marrë parasysh shkallën e lartë të vaksinimit, virusi nuk do të mundë të na mposhtë përsëri”.
Shtetet e tjera shpresojnë se nëse arrijnë të shtyjnë përpara procesin e vaksinimit, edhe ato do të arrijnë në nivelin e Spanjës. Gjermania planifikon t’i rihapë qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin në mënyrë që ta rritë shkallën e vaksinimit. Ndërkohë, që Franca shpresat e saj po i mban në rritjen e shkallës së vaksinimit dhe bindjen e njerëzve skeptikë që të marrin dozat e vaksinës. Italia gjithashtu po zgjeron programit e vet të vaksinimit pasi që numrat e rasteve po shënojnë rritje.
Pankhania këmbëngul se asnjë masë nuk do ta vërë nën kontroll pandeminë.
“Që ta keni nën kontroll atë, ju duhet të kujdeseni në shumë mënyra… Shmangni grumbullimet, qëndroni larg vendeve që janë pak të ajrosura, vaksinohuni dhe mbani maskën”, ka thënë ai.
Përktheu: Sokol Berisha