Botë

Evropa i druhet fitores potenciale të Trumpit, Kina e sheh si mundësi

“Pa marrë parasysh si ndryshon bota, Kina, si vend i madh përgjegjës, do të mbajë parimet dhe politikat e saja themelore të pandryshueshme dhe stabile dhe do të shërbejë si forcë e vendosur për stabilitet në botë”, ka thënë kryediplomati kinez Wang Yi gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Munchen

Kryediplomati i Kinës, Wang Yi, pati një mesazh për homologët evropianë gjatë fundjavës: pa marrë parasysh se si ndryshon bota, Kina do të jetë “konsistente dhe stabile” – një “forcë për stabilitet”.

Pretendimi të cilin Wang e dha gjatë Konferencës së Sigurisë në Munchen të shtunën, erdhi teksa liderët evropianë janë duke pritur nën ethe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA – të shqetësuar që rikthimi potencial i Donald Trumpit mund ta përmbysë partneritetin me Washingtonin.

Këto shqetësime nisën gjatë javës së kaluar, pasi ish-presidenti Trump, ka thënë se nuk do t’i mbronte aleatët e NATO-s që nuk shpenzojnë para të mjaftueshme për mbrojtje. Madje tha se do ta inkurajonte “Rusinë të sulmonte” këto vende “delikuente”.

Ky kërcënim erdhi ndërsa Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës.

Fjalët e Trumpit erdhën në moment të përsosur për Wangun, i cili po e viziton Evropën teksa Pekini po përpiqet t’i riparojë lidhjet jo aq të mira me bllokun – përpjekje e bërë urgjente nga betejat e saja të brendshme ekonomike dhe fërkimet e vazhdueshme me SHBA-në.

“Pa marrë parasysh si ndryshon bota, Kina, si vend i madh përgjegjës, do të mbajë parimet dhe politikat e saja themelore të pandryshueshme dhe stabile dhe do të shërbejë si forcë e vendosur për stabilitet në botë”, ka thënë Wang gjatë fjalimeve në Munchen, teksa bënte thirrje që Kina dhe Evropa të “qëndronin të qarta nga shpërqendrimet gjeopolitike dhe ideologjike” dhe të punojnë së bashku.

Por teksa fjalimi i Wangut arriti në veshët e disa kryeqyteteve evropiane, ku liderët shpresojnë të stabilizojnë aspekte të marrëdhënieve me Kinën, Pekini ka gjithashtu problem të madh kur vjen fjala të krijimi i progresit për të rregulluar marrëdhëniet, thonë analistët, por edhe te çështja e marrëdhënieve me Moskën.

Këto sfida janë theksuar në fjalimin në Munchen, ku konferenca e sigurisë u mbush me tronditje dhe zemërim ndërsa u shfaq raporti për vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny.

Liderët fajësuan regjimin e Vladimir Putinit për vdekjen e Navalnyt. E zemërimet u bënë më të mëdha pasi Ukraina humbi pjesë të rëndësishme të territorit të saj nga Rusia.

“Mesazhi i Wangut për homologët evropianë është se ndryshimet gjeopolitike nuk duhet të lejohen të ndërhyjnë në bashkëpunimin e ngushtë”, ka thënë Noah Barkin, bashkëpunëtor i lartë think-tankun Fondi Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara (GMF). “Çka nuk është thënë është se Kina nuk është përgatitur të ndryshojë pozitat dhe politikat që i shqetësojnë evropianët më së shumti, për shembull marrëveshjet e thella me Rusinë dhe praktikat deformuese tregtare”.

Marrëdhënia me Rusinë

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia dy vjet më parë, Putini dhe lideri kinez, Xi Jinping, kanë thelluar marrëdhëniet mes vendeve, teksa të dy ballafaqohen me tensione në rritje nga Perëndimi. Kina – e cila nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë dhe pretendon paanshmëri në këtë konflikt – është shfaqur gjithashtu si rrugë kryesore shpëtimi për ekonominë ruse të goditur nga sanksionet.

Në Evropë, kjo ka rritur shqetësimet për ambiciet globale të Kinës dhe ka luajtur rol në shtyrje të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për t’i rishikuar politikat ndaj Kinës.

Në një panel diskutimi në Munchen të shtunën, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vendosur një paralele në mes të agresionit të Rusisë dhe Kinës, duke thënë se përkrahja e vazhdueshme amerikane për Ukrainën do të “dërgonte mesazh” te Xi, duke e dekurajuar përdorimin e forcave në Tajvan.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përsëriti "pritshmërinë e bllokut që Kina të shmangë mbështetjen e Rusisë", në një takim me Wang të premten.

BE-ja konsideron të vendosë kufizime tregtare ndaj tri firmave kineze si pjesë e një raundi të propozuar masash që synojnë të pengojnë përpjekjet ruse për luftë, ka raportuar Bloombergu javën e kaluar.

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se "kundërshton me vendosmëri sanksionet jo të ligjshme" kundër Kinës nën pretekstin e “bashkëpunimit Kinë-Rusi" dhe se "shkëmbimet normale" midis ndërmarrjeve kineze dhe ruse "nuk janë në shënjestër të asnjë pale të tretë".

Wangu ka bërë përpjekje për të adresuar shqetësimet për marrëdhëniet e Kinës me Rusinë gjatë fundjavës, duke thënë në Munchen se marrëveshja është si pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të bashkëpunuar me “vendet kryesore” për të adresuar sfidat globale.

“Rusia është shteti fqinj më i madh i Kinës”, ka thënë Wangu, duke përsëritur deklaratat se marrëdhënia e tyre nuk është aleancë dhe nuk “i shënjestron palët e treta”. “Dhe si e tillë ‘marrëdhënia Kinë-Rusi që rritet ngadalë... takon interesat e njëjta të të dy vendeve’ dhe ‘shërben stabilitetin strategjik i Azi-Paqësorit i botës’”, ka thënë ai.

Kur është pyetur nga kryetari i Konferencës, Christoph Heusgen, në një diskutim publik nëse Kina duhet të bëjë më shumë për ta frenuar Rusinë, Wangu është kundërpërgjigjur duke supozuar se janë përpjekje “për të fajësuar Kinën ose për të zhvendosur përgjegjësinë për zgjidhjen e krizës së Ukrainës te Kina”.

Diplomati përsëriti këto edhe gjatë takimit me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba, të shtunën, duke cekur se Kina nuk “shet armë vdekjeprurëse për zona të konfliktit” dhe se “nuk do të dorëzohej nga përpjekjet” për të rikthyer paqen.

Por, nuk janë realizuar shpresat evropiane që Kina ta përdorë fuqinë ekonomike të konsiderueshme dhe komunikimet e rregullta me Rusinë, duke përfshirë ato mes Xi-së dhe Putinit, për ta ndaluar konfliktin në një mënyrë që respekton integritetin e territorit të Ukrainës.

Në vend të kësaj, shtytja nga Pekini për ta vendosur veten si paqebërës potencial në konflikt, nuk ka treguar rezultate. Plani për një "zgjidhje politike" të konfliktit i paraqitur nga Pekini në atë kohë u kritikua si mundësi për të ndihmuar Moskën të arrinte përfitimet e saja territoriale, pasi ajo bëri thirrje për armëpushim pa tërheqjen e trupave ruse paraprakisht.

Është e paqartë nëse Pekini do të jetë pjesë e Samitit të ardhshëm Global të Paqes në Zvicër të përkrahur nga Ukraina. Kuleba e ngriti çështjen në takimin e tij me Wangun, sipas një deklarate të diplomatit ukrainas në platformën X. Pekini nuk e përmendi ngjarjen.

“Faktori Trump”

Vëzhguesit thonë se përpjekjet e dukshme të Wangut për t’i minimizuar shqetësimet evropiane sa i përket pozicionit të Kinës në lidhje me luftën në Ukrainë, mund të kenë pak ndikim brenda BE-së.

“Për sa kohë që vazhdon lufta në Ukrainë, politikat e BE-së ndaj Kinës do të shkojnë në një linjë më të ngushtë me SHBA-në. Me siguri, evropianët do bashkohen me SHBA-në për të dyfishuar kufizimet e eksportit mbi teknologjitë kritike, duke pasur parasysh se siguria ekonomike e BE-së është parësore”, sipas Yu Jie, studiues i lartë në think-tankun “Chatham House” në Londër.

Blloku po konsideron një mori masash që do të ndihmonte të “ulte rrezikun” e zinxhirëve të furnizimit evropian nga Kina, të sigurojë teknologjinë kritike dhe të ruajë tregun prej çka sheh si mallra false të lira kineze. Pekini sheh politikën evropiane si të ndikuar nga SHBA-ja.

Wangu gjithashtu u përpoq të parandalonte këto masa në Munchen, duke paralajmëruar se “kushdo që përpiqet të lërë anash Kinën në emër të ‘uljes së rrezikut’ do të bëjë gabim historik”.

Diplomati kinez u takua me një numër të homologëve evropianë në margjina të Konferencës së Sigurisë, para se ta vazhdonte vizitën për në Spanjë. Ai gjithashtu do ta vizitojë Francën këtë javë.

Wangu mund të gjejë më shumë sukses në stabilizimin e marrëdhënieve me anëtarë individual të BE-së të interesuar në rritjen e lidhjeve ekonomike – dhe ata që i shohin me pasiguri zgjedhjet e ardhshme të SHBA-së, sipas vëzhguesve.

“Në takimet e tij evropiane, Wangu mund të përdorë ‘faktorin Trump’ për të treguar se anësimi i plotë me SHBA-në nuk është në interesin më të mirë të vendeve evropiane”, ka thënë Liu Dongshu, profesor në Universitetin e Hong Kongut, në departamentin e çështjeve publike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Si president, Trumpi, jo vetëm që shprehu skepticizëm ndaj sistemit të aleancave amerikane në Evropë, por nxiti tarifat për çelikun dhe aluminin evropian, duke shkaktuar masa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane nga Evropa.

“Wang Yi mund të theksojë se... nëse Trumpi bëhet president do të ketë probleme nëse Evropa nuk ka marrëdhënie të mira me Kinën... Ai dëshiron të shtyjë vendet evropiane të jenë më neutrale”, ka thënë Liu.

Pekini ka bërë progres sa i përket zbutjes së marrëdhënieve me vendet evropiane vitin e fundit, duke përfshirë një vizitë në Kinë nga presidenti francez Emmanuel Macron pranverën e kaluar – një zhvillim që Wangu shpreson ta vazhdojë.

“Në kryeqytetet do të ketë fokus më të madh në mbajtjen e marrëdhënieve me Pekinin të qëndrueshme, pjesërisht për të shmangur rrezikun e një konflikti tregtar me Pekinin dhe Washingtonin, nëse kthehet Trumpi në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Barkini i GMF-së, i cili është gjithashtu këshilltar i lartë.

“Makthi më i keq i Kinës është një front i bashkuar transatlantik për tregti, teknologji dhe probleme sigurie ... Kina do të përdorë fjalët e Trumpit për të përforcuar mesazhin në kryeqytetet evropiane se Washingtoni nuk është partner i besueshëm”, ka thënë ai.

Përktheu: Latra Gashi