Botë

EUFOR: Do të vazhdojmë mbështetjen dhe ruajtjen e sigurisë në Bosnjë

Pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar njëzëri zgjatjen e mandatit për EUFOR-in në Bosnjë, ky mision ka dalë me qëndrimin se do të vazhdojë të ofrojë siguri në këtë shtet edhe për 12 muaj të tjerë.

Përmes një komunikate për media, EUFOR-i njofton se do të vazhdojë të mbështesë autoritetet lokale në ruajtjen e një mjedisi të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencitë e Zbatimit të Ligjit dhe Forcat e Armatosura të Bosnjës.

“Në rinovimin e mandatit të EUFOR-it, Komuniteti Ndërkombëtar ka dërguar gjithashtu një mesazh të qartë mbështetjeje dhe besimi, duke njohur arritjet e Operacionit "Althea" gjatë 17 viteve të fundit, veçanërisht kontributin e EUFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë”, thuhet në komunikatë.

EUFOR shprehet i gatshëm të vazhdojë të kryejë dhe të përmbushë të gjitha detyrat e tij në mbështetje të një mjedisi të sigurt sipas mandatit dhe me përkushtim 100% ndaj Bosnjës, qytetarëve të saj dhe rrugës së vendit drejt integrimit në BE.

“Kjo përfshin gjithashtu mbështetjen për Masterplanin e Bosnjë-Hercegovinës për Municionet, armët dhe eksplozivët, çminimin dhe stërvitjen kolektive me Forcat e Armatosura të saj', përfundon njoftimi.

Për situatën e krijuar ditëve të fundit në Bosnjë, ka reaguar të shtunën edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, i cili ka thënë se po përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit politike në këtë shtet.

“Polarizimet e skajshme etnike dhe tensionet në rritje, të nxitura nga retorika toksike, politikat konfliktuale e jo-integruese si dhe veprimet provokative të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin dhe integritetin territorial të saj, dhe minojnë stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë. Në Bosnje-Hercegovinë është shpërfaqur episodi më tragjik i historisë së përgjakshme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të shkaktuar nga politikat hegjemoniste dhe genocidit të Serbisë së Millosheviçit. Faktet historike nuk munden dhe nuk duhet të heshten. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare se tolerimi i politikave separatiste dhe gjuhës së urrejtjes rrezikon seriozisht përsëritjen e skenarëve të errëta të viteve 90′ në Ballkan”, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u ka bërë thirrje gjithashtu udhëheqësve politikë të vendeve të rajonit që të kundërshtojnë haptazi dhe pa ekuivoke çdo tendencë për minimin e funksionalitetit dhe integritetit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Millorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, në fillim të muajit tetor ka deklaruar se entiteti serb i këtij shteti, Republika Srpska, do të tërhiqet nga institucionet shtetërore, për të krijuar autonominë e saj të plotë – në kundërshtim me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.

Deklarimet e tij kanë ngritur shqetësime të shpërthimit të një lufte.