Botë

Eskalon situata në Universitetin e Kolumbisë, kërkohet dorëheqja e presidentes së tij

Protestat pro-palestineze

Protestat pro-palestineze

Foto: Associated Press

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan të martën dorëheqjen e menjëhershme të presidentes së Universitetit të Kolumbisë, Dr. Minouche Shafik, duke thënë se ajo ka "humbur kontrollin e plotë" të kampusit të saj mes protestave pro-palestineze në rritje.

"Udhëheqja e Universitetit ka humbur kontrollin e plotë. Është një turp dhe kjo është e paqëndrueshme. Dhe ne si republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve do t'i mbajmë ata përgjegjës”, ka thënë Elise Stefanik, nga Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, raporton AP.

Dhjetëra protestues pushtuan ndërtesën e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork të martën herët, duke barrikaduar hyrjet dhe duke shpalosur një flamur palestinez nga një dritare, në përshkallëzimin e fundit të demonstratave kundër luftës Izrael-Hamas, që janë përhapur në kampuset e kolegjeve në mbarë vendin.

"Ajo që po bëjnë këta studentë është mbyllja e kampuseve, ju e dini, duke marrë kontrollin e ndërtesave. Ata po kërcënojnë jetën e studentëve. Ata po brohorasin ‘Vdekje Amerikës’. Në një moment kalohet kufiri dhe ata e kanë bërë”, ka deklaruar kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

"Kjo nuk është fjalë e lirë e mbrojtur. Ajo që kjo po bën është shkelje e të drejtave të të tjerëve. Përgjegjësia e parë e një administratori në kampusin universitar është siguria e studentëve të tyre. Nëse, dikush dështon në atë detyrim, ata kanë dështuar plotësisht. Kolumbia është jashtë kontrollit”, ka shtuar Johnson.

Izraeli dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar protestat universitare si antisemite, ndërsa kritikët e Izraelit thonë se ai përdor akuza të tilla për të heshtur kundërshtarët.

Edhe pse disa protestues janë kapur në kamera duke bërë komente antisemite ose kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve janë hebrenj, thonë se kjo është një lëvizje paqësore që synon mbrojtjen e të drejtave palestineze dhe protestën kundër luftës.