Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka thënë se dëshiron t’u dërgojë mesazh qytetarëve të këtij vendi se nuk do të ketë luftë.
“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai do të mbërrijë në Bosnje dhe Hercegovinë më 7 nëntor.
Tensionet në Bosnje janë në rritje pasi entiteti i Republikës Serbe ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen të Republikës Serbe - entitet i banuar me shumicë serbe.
Ai ka thënë se për kërcënimet e Dodikut për ndarje, duhet të diskutohet me ambasadorin e SHBA-së para se të vendosen sanksionet.
“Dua të diskutoj me ambasadorin tonë para se të shpallim sanksione të reja. Kjo është në tryezë. Por, unë dua t'i them popullit të Bosnjës: nuk do të ketë një luftë tjetër, ne, bashkësia ndërkombëtare jemi të bashkuar me partnerët tanë në Evropë, dhe ajo që ne duam është të sigurohemi se angazhimet tona për paqen dhe sigurinë e njerëzve në rajon janë plotësuar. Por, sa i takon dobësimit të institucioneve qendrore, do të jem shumë i sinqertë, arsyeja për këtë është në të vërtetë korrupsioni. Ajo që po bën Millorad Dodiku është se ai po përpiqet të gjejë rrugë për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e tij. Kështu që, unë po u kërkoj njerëzve që të mos ia mundësojnë atij ta bëjë këtë”, ka deklaruar ai.
Escobari ka thënë se SHBA-ja po e mbështet në Serbi nismën e “Ballkanit të Hapur”, të cilën ka thënë se e shohin si zhvillim pozitiv në rajon.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Escobar ka thënë se SHBA-ja është e koordinuar me Bashkimin Evropian si lehtësues./REL