Takimi me liderin e Hamasit

Erdogani thotë se Izraeli do të paguajë për shtypjen që ua bën palestinezëve

Recep Tayipp Erdogan dhe Ismail Haniyeh

Recep Tayipp Erdogan dhe Ismail Haniyeh

Foto: Associated Press

Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka pritur të shtunën në Stamboll liderin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Pamjet e publikuara nga presidenca turke treguan Haniyeh dhe udhëheqës të tjerë të Hamasit duke pozuar për foto me Erdoganin, raporton AP.

Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidentit turk thuhet se Erdogani i ka thënë Haniyeh se Turqia vazhdon të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar për "shtypjen e palestinezëve" dhe nevojën për një "armëpushim të përhershëm urgjent në Gaza".

“Presidenti Erdogan deklaroi se një ditë Izraeli do të paguajë çmimin për shtypjen që ua bën palestinezëve, se Turqia do të vazhdojë të shpjegojë masakrat në Gaza në çdo terren dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet për të krijuar shtetin e pavarur të Palestinës, që është çelësi i paqes rajonale dhe për të sjellë paqe të përhershme në rajon”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Erdogani përsëriti ngushëllimet e tij për sulmin e Izraelit që vrau djemtë dhe nipërit e Haniyeh.

Turqia nuk e njeh Hamasin si një organizatë terroriste dhe lejon liderët e grupit të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit.

Erdogani e ka përshkruar Hamasin si një "grup çlirimtar" dhe e ka takuar Haniyeh disa herë në vitet e fundit.