Zgjedhjet lokale në Turqi

Erdogani synon ta rimarrë Stambollin

Zgjedhjet lokale ne Turqi, nje burre duke mbajtur femijen ne dore voton ne Ankara

Foto: Associated Press

Në Turqi të dielën po mbahen zgjedhjet lokale, ku presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po synon ta rimarrë kontrollin e Stambollit nga rivali i tij Ekrem Imamoglu.

Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kishte mposhtur Erdoganin dhe partinë e tij AKP, në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Humbja e Stambollit ishte goditja më e madhe për udhëheqësin turk dhe partinë e tij pas dy dekadash në pushtet. Por, Erdogan u kundërpërgjigj më 2023, duke u rizgjedhur në postin e presidentit dhe partia e tij mori shumicën në Parlament.

Rezultatet e së dielës mund të përforcojnë kontrollin që Erdogan ka ndaj Turqisë – shtet anëtar të NATO-s – ose të sinjalizojnë një ndryshim në skenën politike. Një fitore e Imamoglut mund të shihet si ushqim ndaj pritshmërive që ai të bëhet një udhëheqës kombëtar në të ardhmen.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 në lindje të Turqisë, ndërkaq në 8:00 në pjesën tjetër të vendit. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote mbi 61 milionë persona. Vendvotimet mbyllen në orë 17:00 dhe rezultatet e para priten në orën 22:00, sipas kohës lokale.

Në Stamboll, qytet që i jep shtytje ekonomisë turke dhe ka 16 milionë banorë, sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë mes Imamoglut dhe kandidatit të partisë së Erdoganit, Murat Kurum. Kurum në të kaluarën ka mbajtur post ministror.