Botë

Erdogani propozon mbajtjen e një samiti paqeje ndërmjet Ukrainës e Rusisë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka ofruar gjatë një vizite të premten të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Stamboll, që të organizojë një samit të paqes ndërmjet Ukrainës e Rusisë.

Erdogan, i cili ka diskutuar në mënyrë të përsëritur ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje, ka thënë në një konferencë shtypi në Stamboll pas takimit të tij me Zelenskyn se ai shpresonte se Rusia do të ishte pjesëmarrëse pas ofertës së Turqisë, raportoi AP.

“Që nga fillimi, ne kemi kontribuar aq sa mundëm në përfundimin e luftës përmes negociatave. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të presim një samit paqeje në të cilin do të përfshihet edhe Rusia”, ka deklaruar Erdogan.

Ukraina mbetet e vendosur të mos angazhohet drejtpërdrejt me Rusinë në bisedimet e paqes dhe Zelensky ka thënë disa herë se iniciativa në negociatat e paqes duhet t'i përkasë vendit që është pushtuar.

Zelensky ka thënë po ashtu se çdo negociatë paqeje duhet të përputhet me një plan prej 10 pikash që ai ka sugjeruar më parë, i cili përfshin sigurinë ushqimore, rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, tërheqjen e trupave ruse, lirimin e të gjithë të burgosurve, një gjykatë për ata që janë përgjegjës për agresionin dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.