Erdogani, përveç Stambollit, ka pësuar një goditje tjetër në kryeqytetin Ankara, qyteti i dytë më i madh i vendit, ku kryebashkiaku aktual i opozitës, Mansur Yavas, shpalli fitoren ndaj kundërshtarit të tij të AK-së, në më pak se tri orë pasi u mbyllën qendrat e votimit në zgjedhjet lokale mbarëkombëtare
(AP) - Partia kryesore opozitare e Turqisë i është afruar fitores në disa nga qytetet më të mëdha të vendit, përfshirë edhe Stambollin, nga zgjedhjet që u mbajtën të dielën.
Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili fillimisht e fitoi qytetin në zgjedhjet e 2019-s, ka thënë se është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës duke deklaruar se është “shumë i lumtur” deri më tani.
“Bazuar në të dhënat që kemi mbledhur, mund të them se është konfirmuar mbështetja dhe besimi që kanë qytetarët tanë ndaj nesh”, ka thënë Imamoglu.
Me gati 60% të kutive të votimit të numëruara, Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane, ose CHP, kryeson në Stamboll, qyteti më i madh dhe qendra ekonomike kryesore e Turqisë, sipas transmetuesit shtetëror TRT. Mansur Yavas, kryebashkiaku i kryeqytetit Ankara, ka mbajtur po ashtu vendin e tij me një diferencë të madhe në vota, tregojnë rezultatet.
CHP kryeson në 36 nga 81 rajonet e Turqisë, sipas rezultateve të raportuara nga TRT.
Partia AK e Erdoganit duket se ka pasur më shumë sukses në zonat e juglindjes të shkatërruar nga tërmeti i dyfishtë i shkurtit 2023. Ishte përpara në qytetet Kahramanmaras dhe Gaziantep.
Humbja e Stambollit shënon një disfatë të re për presidentin Recep Tayyip Erdogan, një vit pasi fitoi mandatin e tretë si president. Ai e kishte bërë synim kryesor rifitimin e qytetit ku u rrit dhe u bë kryetar bashkie.
Erdogani ka pësuar një goditje tjetër, në kryeqytetin Ankara, qyteti i dytë më i madh i vendit, ku kryebashkiaku aktual i opozitës, Mansur Yavas, shpalli fitoren ndaj kundërshtarit të tij të AKP-së, në më pak se tri orë pasi u mbyllën qendrat e votimit në zgjedhjet lokale mbarëkombëtare.
Yavas dhe Imamoglu shihen si kandidatë të mundshëm për të kandiduar për presidencë në vitin 2028.
Zgjedhjet e së dielës janë parë nga analistët si matës i mbështetjes për Erdoganin dhe opozitën e tij në anën tjetër.
Erdogani, i cili e ka udhëhequr Turqinë për më shumë se dy dekada, ka bërë fushatë intensive në mënyrë që partia e tij ta rimarrë udhëheqjen e Stambollit nga Imamoglu.
Ai ka premtuar një epokë të re në qytetin më të madh të Turqisë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 në lindje të Turqisë, ndërkaq në 8:00 në pjesën tjetër të vendit. Në këto zgjedhje kishin të drejtë vote mbi 61 milionë persona. Vendvotimet u mbyllën në orë 17:00.