Botë

Erdogani i gatshëm për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi në Gaza

Recep Tayyip Erdogan

Foto: Associated Press

Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan ka përshëndetur të mërkurën marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah.

Ai ka thënë se Turqia pret që të gjitha palët, dhe veçanërisht Izraeli, të përmbushin detyrimet "drejt ruajtjes së paqes në terren", raporton AP.

Duke iu drejtuar anëtarëve të partisë së tij të mërkurën, Erdogani ka shprehur gatishmërinë e Turqisë që të kontribuojë në përpjekjet drejt një armëpushimi të përhershëm edhe në Gaza.

Armëpushimi Izrael-Hezbollah parasheh një ndërprerje fillestare dy-mujore të luftimeve dhe kërkon që Hezbollahu t'i japë fund pranisë së tij të armatosur në Libanin jugor, ndërsa trupat izraelite do të kthehen në anën e tyre të kufirit.

Armëpushimi ka sjellë lehtësim në të gjithë vendin dhe vjen pas disa ditësh të sulmeve ajrore dhe përleshjeve më intensive që nga fillimi i luftës.

Izraeli ka thënë se do të sulmojë nëse Hezbollahu thyen marrëveshjen e armëpushimit, e cila u njoftua të martën.