Botë

Erdogani fajëson Izraelin për përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme

Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar vendet perëndimore për standarde të dyfishta, për gjoja se kanë folur kundër Iranit për sulmin ndaj Izraelit, por nuk e kanë dënuar sulmin e Izraelit ndaj Konsullatës së Iranit në Siri, më herët. 

Në një fjalim televiziv të mbajtur pas një takimi të kabinetit qeverisës, Erdogani ka thënë po ashtu se qeveria e tij do të vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike për të ulur tensionet në rajon, raporton “Associated Press”.

“Synimi i Izraelit ndaj konsullatës iraniane në Damask, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës, ishte pika e fundit”, është shprehur Erdogan.

“Përveç disa vendeve, askush nuk reagoi ndaj qëndrimit agresiv të Izraelit që shkelte praktikat ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Erdogani ka thënë se ata që kishin qëndruar të heshtur ndaj "qëndrimit agresiv të Izraelit u përpoqën menjëherë të dënonin përgjigjen e Iranit".

Ai e vuri përgjegjës kryesor për tensionet në rajon kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Udhëheqësi turk e ka akuzuar Netanyahun se ka përshkallëzuar tensionet për të zgjatur jetën e tij politike.