Vizita e Dodikut vjen mes tensioneve të ngritura në Bosnjë përgjatë vijave etnike midis boshnjakëve dhe serbëve. Në korrik, përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnjë, Valentin Inzko, propozoi ndryshime në kodin penal të vendit, që do të prezantonte dënime me burg deri në pesë vjet për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u takua të martën me Milorad Dodikun, anëtari serb boshnjak i Presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Vizita e Dodikut vjen mes tensioneve të ngritura në Bosnje përgjatë vijave etnike midis boshnjakëve dhe serbëve.
Në korrik, përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnjë, Valentin Inzko, propozoi ndryshime në kodin penal të vendit, që do të prezantonte dënime me burg deri në pesë vjet për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Dodik dhe përfaqësues të tjerë politikë serbë të Bosnjës ishin shumë kritikë ndaj ndryshimit të mundshëm dhe që atëherë ka kërcënuar se do të ndërmarrë hapa për të minuar Marrëveshjen e Daytonit, që i dha fund luftës së Bosnjës.
Lufta e Bosnjës filloi në vitin 1992, kur serbët e Bosnjës, me ndihmën e ushtrisë jugosllave, u përpoqën të krijonin territore etnikisht të pastra me synimin për t'u bashkuar me Serbinë fqinje.
Më shumë se 100.000 persona u vranë dhe miliona u dëbuan gjatë luftës më të përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e viteve 1992-1995 vuri kundër njëri-tjetrit boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë, serbë dhe kroatë dhe përfundoi me marrëveshjen e paqes të sponsorizuar nga SHBA-ja, që krijoi dy rajone - Republikën Srpska dhe Federatën Boshnjako-Kroate.
Të dy rajoneve iu dha autonomi e gjerë, por disa institucione të përbashkëta u mbajtën, duke përfshirë ushtrinë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore.
Përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë ka paralajmëruar se shteti është në rrezik të madh për shpërbërje, dhe se ka rrezik real të rikthimit të luftës.
Në një raport të Kombeve të Bashkuara, të parë nga “The Guardian”, Christian Schmidt, përfaqësuesi i lartë për Bosnjë- Hercegovinë, ka thënë se nëse separatistët serbë vazhdojnë të rikrijojnë ushtrinë e tyre, e duke ndarë forcat e armatosura në dysh, më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë duhet të dërgohen në vend për të parandaluar një luftë të re.
Forcat ndërkombëtare në Bosnjë janë me rreth 700 trupa. NATO-ja mbetet me bazë në Sarajevë. Mandati pritet të rinovohet këtë javë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por Rusia ka kërcënuar që do të bllokojë një rezolutë, përderisa të gjitha referencat për përfaqësuesit e lartë të largohen, duke minuar autoritetin e Schmidtit, si mbikëqyrës i marrëveshjes së paqes së vitit 1995.
Në raportin e parë që nga gushti, Schimdti, një ish-ministër gjerman, ka paralajmëruar se Bosnja përballet me “kërcënimin më të madh të ekzistencës në periudhën e pasluftës”.
Dodik po kërcënon vendin me dalje nga institucionet dhe krijim të ushtrisë kombëtare brenda mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe rindërtimin e një force serbe. Më 14 tetor, Dodiku ka thënë se do të detyrojë ushtrinë e Bosnjës të tërhiqet nga Republika Serbe dhe nëse Perëndimi tenton të intervenojë ushtarakisht, ai “ka miq” që i kanë premtuar përkrahjen e kauzës serbe, duke iu referuar lidhjes me Rusinë.
Policia serbe e Bosnjës ka kryer ushtrime “antiterrorizëm” muajin e shkuar, në vendin nga ku forcat serbe bombarduan Sarajevën në periudhën 1992-1995.