Botë

Amerika afër vaksinës së dytë anti-COVID

Një panel i jashtëm i ekspertëve në Agjencionin Amerikan të Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka rekomanduar përdorimin e vaksinës anti-COVID të Modernas.

Ky konsiderohet hap i madh për SHBA-në që të zgjerojë vaksinimin në të gjitha zonat, pasi tashmë ka nisur vaksinimi me vaksinën e “BioNTech/Pfizer”.

Siç shkruan “New York Times”, paneli i ekspertëve ka votuar me 20 vota pro dhe vetëm një abstenim për rekomandimin që të aprovohet vaksina për përdorim emergjent.

Vendimi formal pritet të merret të premten nga FDA-ja. Kjo do t’i hapte rrugës për 5.9 milionë doza që do të shpërndaheshin që nga fundjava që po vjen.

Moderna do të bëhej kompania e dytë të cilës i mundësohet shpërndarja në publik pas autorizimit që kishte marrë javën e shkuar “Pfizeri” dhe partneri i vet gjerman “BioNTech”. Vaksina e Modernas mund të shpërndahet më lehtë pasi mund të mbijetojë edhe në temperatura normale të ftohjes, ndërsa vaksina tjetër i kërkohet temperaturë tejet e ulët.

SHBA-ja është vendi më i prekur nga COVID-19 me më shumë se 17 milionë të infektuar e 310 mijë të vdekur.