Tre ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë i janë bashkuar më shumë se 600 ekspertëve ligjorë në thirrjen që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar t’i japë fund shitjes së armëve në Izrael, raporton BBC.
Në një letër drejtuar kryeministrit, ata kanë kërkuar që Mbretëria e Bashkuar të mos eksportojë më armë në Izrael, sepse vendi rrezikon të shkelë të drejtën ndërkombëtare për “rrezik të mundshëm të gjenocidit” në Gaza.
Të martën, kryeministri i vendit, Rishi Sunak ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka një regjim “shumë të kujdesshëm” sa i përket licencimit të armëve.
Shitjet nga Mbretëria e Bashkuar janë më të ulëta se ato të vendeve të tjera, duke përfshirë këtu Gjermaninë dhe Italinë, apo ato nga furnizuesi më i madh i armëve, Shtetet e Bashkuara.
Ndalimi i shitjes së armëve nga Mbretëria e Bashkuar do të shtonte presionin diplomatik dhe politik mbi Izraelin.
Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Lady Hale, është në mesin e më shumë se 600 avokatëve, akademikëve dhe gjyqtarëve të lartë të dalë në pension, që e kanë nënshkruar letrën prej 17 faqesh.
Në letër thuhet se ky “veprim serioz” është i nevojshëm që “të shmanget përfshirja e Mbretërisë së Bashkuar në shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë shkeljet e mundshme të Konventës së Gjenocidit”.
Thirrjet për pezullimin e licencave të eksportit në Mbretërinë e Bashkuar vijnë pasi shtatë punonjës të organizatës bamirëse Kuzhina Qendrore Botërore, përfshirë tre shtetas britanikë, mbetën të vdekur si pasojë e një sulmi ajror izraelit në Gaza të hënën.
Pas incidentit, Sunak ka bërë thirrje për një hetim të pavarur për rastin, por nuk ka thënë se shitja e armëve duhet të ndalet.
Mbretëria e Bashkuar ka licencuar armë për Izraelin me vlerë mbi 574 milionë funte që nga viti 2008, sipas grupit Fushata kundër Tregtisë së Armëve (CAAT).
Licencat e eksportit të armëve, të cilat jepen nga departamenti i biznesit, nuk mund të lëshohen nëse ekziston rrezik i qartë që armët mund të përdoren në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar.