Si pasojë e luftës në Ukrainë, zjarret dhe tymi ndotin ajrin. Toksinat depërtojnë në tokë dhe ujë. Habitatet për jetën e egër zhduken. Ekspertët e quajnë atë “ekocid”
Kostot njerëzore të luftës së Rusisë në Ukrainë janë të mëdha, të matura nga numri i varrezave masive, sulmeve me raketa, fëmijëve të traumatizuar dhe qindra mijëra ushtarëve të vdekur ose të plagosur.
Por mjedisi i Ukrainës po shkatërrohet gjithashtu. Lufta mund të përfundojë, por dëmet nga predhat e artilerisë, minat, dronët dhe raketat do të zgjasin për dekada, thonë ekspertët, me degradimin e industrive si ajo bujqësore dhe minerare, duke rrezikuar shëndetin publik dhe duke gërryer bukuritë natyrore.
Fushat janë të mbushura me kratere predhash, e toka është e kontaminuar me mbetjet e eksplozivëve. Depozitat e djegies së karburanteve lirojnë ndotje në ajër dhe zjarret e pakontrolluara digjen në zonat e luftimit. Uji është derdhur nga rezervuarët e digave të shkatërruara, duke shkaktuar thatësira në rrjedhën e sipërme dhe përmbytje poshtë tyre.
Ndërkohë që lufta hyn në vitin e saj të katërt, autoritetet ukrainase po mbledhin me kujdes prova të një lloji të ri krimi lufte të njohur si ekocid.
Siç është gjenocidi për njerëzit, ekocidi është për mjedisin. Ukraina po kërkon drejtësi për dëmin ekologjik, në gjykatat e Ukrainës dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Prokurorët kanë filluar shqyrtimin e 247 rasteve kundër Rusisë lidhur me krimet mjedisore.
Prokurorët klasifikojnë 14 nga 247 rastet si ekocid sipas kodit penal të Ukrainës për shkak të specifikave të dëmit, si shkatërrimi masiv i florës dhe faunës. Zyrtarët ukrainas vlerësojnë koston totale të dëmeve mjedisore në më shumë se 85 miliardë dollarë.
Shanset për t’i ndjekur penalisht rusët janë të vogla, pasi nuk ka pothuajse asnjë perspektivë që Rusia të bashkëpunojë. Por Ukraina është e vendosur t’i gjejë autorët e këtyre krimeve.
Për të raportuar dëmin ekologjik të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, gazetarët e “The New York Times” vizituan vijën e frontit dhe zonat përreth për katër muaj, duke intervistuar më shumë se tridhjetë njerëz duke përfshirë zyrtarë ushtarakë, ekspertë mjedisorë dhe zyrtarë lokalë.
E vërteta është në mënyrë të pashmangshme e paplotë. Nuk ishte e mundur të vizitoheshin zonat e Ukrainës të cilat i ka pushtuar Rusia, për shembull. Dhe Ukraina nuk po përpiqet të dokumentojë dëmin mjedisor që ka shkaktuar ushtria e saj në Rusi, ku ka shënjestruar rafineritë e naftës, duke ndezur skëterrë që lirojnë shtëllunga tymi të zi në ajër.

Uji
Ai që dikur ishte një rezervuar peshku në kryqëzimin e lumit Konka afër rezervuarit të Kakhovkas është shndërruar në thatësi.
Një nga goditjet më shkatërruese të luftës, për mjedisin e Ukrainës, ndodhi në qershor të 2023-tës kur diga e Kakhovkas u hodh në erë. Kjo shkaktoi përmbytje në lumin Dnipro, liroi mbetje toksike dhe triliona litra ujë të freskët në Detin e Zi, dhe shkatërroi kështu ekosistemet bregdetare gjatë një periudhe kulmore riprodhuese për organizmat detarë.
Rezervuari kishte siguruar ujitje për pjesën më të madhe të Ukrainës jugore. Shumë shpejt, toka bujqësore në rajon filloi të thahej.
“Ishte bukur”, tha Serhii Buhay, 52 vjeç, nga oborri i tij i pasmë në fshatin Malokaterynivka, ku dikur shijonte një pamje të rezervuarit. “Një ditë gjithçka ndryshoi. Nuk ka mbetur asgjë”.
Të korrat e lulediellit prodhuan vetëm një të dhjetën e asaj që kishin prodhuar vitin e kaluar, tha Serhii Verhovskyi, 38 vjeç, fermer në fshatin Pershe Travnya, rreth 16 kilometra larg rezervuarit. “Ne kemi shumë nevojë për ujë, na duhet shumë. Ky sezon ka prekur shumë fermerë”.
Një hetim i “The New York Times” zbuloi se Rusia ishte me shumë gjasa përgjegjëse për sulmin në digë. Në atë kohë, Rusia akuzoi Ukrainën se kishte sabotuar vetë digën, dhe në përgjithësi Kremlini ka mohuar që forcat e tij të kenë kryer krime lufte.
Bimësia vendase rikuperoi shpejt pellgun djerrë të rezervuarit të Kakhovkas. Tani ai kryesisht është i mbuluar nga plepi dhe shelgu, disa më shumë se 10 metra të lartë.
Nga pikëpamja ekologjike, diga është diskutuar prej kohësh. Mbushja e rezervuarit në vitin 1956 dhe transformimi i mëpasshëm i kullotave të thata në toka bujqësore pjellore dëmtuan ekosistemet vendase, thonë disa ekspertë. Madje shumë ekologë thonë se tani diga nuk duhet të rindërtohet.
Diku tjetër, në Ukrainën lindore janë ujërat nëntokësore ato që po rrezikohen si pasojë e luftës.
Rajoni është i mbushur me miniera qymyri, dhjetëra prej të cilave kanë rënë nën kontrollin e Rusisë. Autoritetet ruse mbyllën minierat e vjetra, në vend që të vazhdojnë t’i subvencionojnë ato.
Ekspertët kanë frikë se ato miniera u mbyllën në mënyrë të rastësishme, duke lejuar që ujërat nëntokësore të përmbytin tunelet dhe të lirojnë toksinat. Kjo bën që ujërat nëntokësore nga puset të jenë të papijshme, të derdhen në lumenj, duke ndotur ujërat sipërfaqësore dhe më pas edhe tokën.

Toka
Ukraina krenohet me disa nga tokat më pjellore në botë, të njohura si “chernozem”, apo toka e zezë. Toka e zezë është “mbreti i dherave”, thotë Sviatoslav Baliuk, drejtor i Institutit Sokolovsky për Studimin e Tokës dhe Agrokimisë në Kharkiv. Kjo tokë shtrihet në pjesën më të madhe të fushëbetejës.
Miliona predha artilerie lëshojnë mbetje shpërthyese në ajër dhe tokë. Ka qenë problem edhe në luftërat e kaluara.
“Edhe një shekull pas Luftës së Parë Botërore, toka në Francë është ende e ndotur me metale të rënda mbi nivelet e sigurta për njerëzit”, tha përmes një email-i, Naomi Rintoul-Hynes, eksperte e tokës në Universitetin Canterbury Christ në Britaninë e Madhe. “Veçanërisht nëse të korrat kultivohen në vendet ku janë zhvilluar beteja të mëdha”.
Rreziku i kontaminimit të kulturave ushqimore si pasojë e metaleve të rënda dhe ndotësve të tjerë, do ta dëmtojë bujqësinë e Ukrainës, një nga industritë e saj më të rëndësishme.
Më shumë pasoja ekologjike vijnë nga eksplozivët e fuqishëm dhe gërmimi i llogoreve dhe fortifikimeve të tjera. 30 mijë kratere predhash artilerie goditën një zonë prej 241 kilometrash katrorë në juglindje të Kharkivit. Shkencëtarët përdorin termin “bombë” për të përshkruar këtë proces të dëmtimit mekanik.
Rreth 10 për qind e një parku kombëtar ukrainas, është dëmtuar nga hendeqet e gërmuara nga ushtarët ukrainas.
“Do të duhen më shumë se 100 vjet për ta rikthyer atë në gjendjen e mëparshme”, tha Serhii Lymanskyi, drejtor i parkut.
Ajri
Minat e vendosura në pyllin pranë Dolynas në Ukrainën lindore e bënë zjarrin atje të papërballueshëm për zjarrfikësit.
Disa nga luftimet më të ashpra që kanë përfshirë Donbasin janë zhvilluar mes pyjeve me pisha të thata. Derisa eksplozivët shkaktojnë disa zjarre aksidentalisht, të tjerët janë vendosur qëllimisht për t’i sulmuar ushtarët.
Ky shekull i keqmenaxhimit të pyjeve, duke lejuar prerjen dhe rimbjelljen e drurëve në distancë të ngushtë, po e përkeqëson shpërndarjen e flakëve, tha Brian Milakovsky, ekspert amerikan i pyjeve që jetoi në Ukrainën lindore për vite të tëra, përpara pushtimit.
Studimet tregojnë se qindra dhe ndoshta mijëra kilometra katrorë pyje janë djegur që nga pushtimi rus i Ukrainës. Një raport vlerësoi dëmin në 18 miliardë dollarë.
Pas një vere të nxehtë dhe të thatë, sezoni i zjarreve në Ukrainë i vitit 2024 ishte më i keqi i regjistruar ndonjëherë, me më shumë se 7 mijë zjarre aktive të regjistruara vetëm më 7 shtator.
Ndotja bërthamore është një tjetër shqetësim. Në fillim të pushtimit, një sulm në një qendër kërkimore bërthamore në qytetin lindor të Kharkivit çoi në atë që është deri tani i vetmi rast i ekocidit i paraqitur kundër komandantëve të emëruar rusë, pesë kolonelëve dhe gjeneralëve të akuzuar për urdhërimin e sulmeve me raketa. Objekti ka pësuar dëmtime nga më shumë se 100 pika goditjeje, por nuk ka liruar rrezatim, thanë zyrtarët.
Në shkurt, një dron goditi një mburojë mbrojtëse në objektin bërthamor të Chernobilit. Ukraina e përshkroi atë si një sulm të qëllimshëm rus, një akuzë që Kremlini e mohoi. Nuk u zbuluan rrjedhje rrezatimi, por ekspertët po studiojnë dëmet përpara se të ndërmarrin veprimet e mëtejshme.

Bota e egër
Ndërsa një shi i ftohtë binte një mëngjes të hershëm dhjetori, rreth njëzet burra veshën jelekë fluoreshentë, u ndanë në dy grupe dhe dolën nëpër pyll.
Pavarësisht nga atmosfera, misioni i tyre ishte serioz: të vrisnin derrat e egër, kaprojtë, dhelprat dhe ujqit, të cilët të gjithë janë shumuar gjatë tre vjetëve të luftës për shkak të kufizimeve të rrepta për gjuetinë. Shtimi i popullsisë së këtyre kafshëve ndihmoi në përhapjen e sëmundjeve të tilla si tërbimi.
Përpjekja për t’i vrarë kafshët atë mëngjes nuk ishte e suksesshme. Madje u qëlluan pak prej tyre.
Viktor Chervonyi, president i Shoqatës së Gjuetarëve të Ukrainës, citoi statistika që tregojnë një rritje prej pesëfish të popullsisë së dhelprave në njërin rajon.
Sipas një studimi, 20 për qind e kësaj popullsie ishin të tërbuar, si rezultat i një dështimi në përpjekjet për kontrollin e tërbimit.
Mediat ukrainase kanë raportuar për civilë dhe ushtarë që vdesin si pasojë e tërbimit, megjithëse statistikat zyrtare nuk janë të qasshme. Fushatat e vaksinimit kundër tërbimit për kafshët e egra janë kufizuar nga pasojat e luftës, siç është rasti i pyjeve të minuara.
Fati i një kolonie flamingosh ofron edhe një tjetër histori. Pasi luftimet shqetësonin foletë e tyre në rajonin Kherson dhe Krime, ato u zhvendosën në vitin 2023 në Parkun Natyror Kombëtar të Lagunave Tuzlovsky përgjatë bregut të Detit të Zi.
“Viti i kaluar ishte relativisht i suksesshëm, me rreth 200 zogj të lindur në park”, tha Ivan Rusev, kreu i departamentit shkencor të parkut, duke iu referuar sezonit të vitit 2023.
Shtëpia e tyre e re, megjithatë, është zonë ku dronët rusë sulmojnë Ukrainën nga Deti i Zi.
“Kur flamengot dëgjojnë këta dronë, ato largohen nga foletë e tyre”, tha Rusev. “Gjatë kësaj kohe, pulëbardhat me këmbë të verdha, që janë zogj shumë agresivë, hyjnë dhe vjedhin vezët, duke shkatërruar përfundimisht koloninë. Asnjë zog i vetëm nuk mbijeton”.
Nuk e pësojnë vetëm flamengot. Nga gjetjet e tij dhe të dhënat e kolegëve nga vende të tjera të Detit të Zi, Rusev vlerësoi se deri në 50 mijë delfinë mund të jenë vrarë në vitin 2022. Ai fajësoi hidrolokatorin nga luftanijet ruse.
E ardhmja
Edhe pas luftës, do të ketë kosto mjedisore për asgjësimin e rrënojave nga më shumë se 210 mijë ndërtesa që janë shkatërruar. Po bëhen përpjekje të hershme për riciklimin e rrënojave në disa qytete pranë Kievit.
Këto përpjekje, megjithatë, mbeten në shkallë të vogël dhe janë komplikuar nga pengesat burokratike dhe vështirësitë në ndarjen e mbeturinave të ripërdorshme nga municionet e pashpërthyera ose asbesti. Asbesti është përdorur në rreth 70 për qind të ndërtesave publike dhe rezidenciale të Ukrainës.
Ukraina dëshiron që mbrojtja mjedisore të përfshihet në çdo marrëveshje paqeje, por lidhjet më miqësore të administratës së Donald Trump me Moskën i lënë Kievit pak ndikim në këtë çështje.
Iryna Vykhrystiuk, drejtoreshë e Parkut Kombëtar të Lagunave të Tuzlovskyt, shqetësohet se një fund i luftës do të sillte një sërë problemesh të ndryshme ekonomike dhe mjedisore.
“Në sfondin e këtyre humbjeve të mëdha”, shtoi ajo, “ne duhet të kërkojmë çdo fragment të natyrës së gjallë dhe ta mbrojmë atë”.