Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris zgjodhi të martën Tim Walzin si kandidatin për zëvendëspresident. Burime pranë ekipit të kandidatit republikan Donald Trump i thanë CNN se Walzi ishte zgjedhje shumë më e mirë se Josh Shapiro, i dyti në garën për zëvendëspresident në listën e Harrisit.
Siç shkruan CNN, bashkëpunëtorët më të afërt të Trumpit janë jashtëzakonisht të lumtur që Josh Shapiro, guvernatori i shtetit të Pensilvanisë, nuk u zgjodh si kandidati për zëvendëspresident.
Walzi konsiderohet si “i majtë radikal”, i cili, për më tepër, nuk vjen nga një shtet federal ku Trumpi mund të kishte fituar zgjedhjet e nëntorit. Walzi është guvernatori i Minnesotas, ku Harris ka avantazh prej tetë për qind sipas sondazheve të fundit.
Për ta fituar shtetin federal të Pensilvanisë, ku guvernator është Shapiro, do të ketë luftë të madhe mes Trumpit dhe Harrisit.