Egjipti ka paraqitur një propozim të ri që synon rifunksionalizimin e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, kanë thënë burimet e sigurisë për Reuters të hënën, pasi autoritetet shëndetësore palestineze kanë thënë se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 65 njerëz në enklavë në 24 orët e fundit.
Propozimi, i bërë javën e kaluar, pason një përshkallëzim të dhunës pasi Izraeli ka rinisur operacionet ajrore dhe tokësore kundër Hamasit të martën e kaluar, duke i dhënë fund një periudhe dymujore të qetësisë relative.
Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se Izraeli ka vrarë rreth 700 palestinezë që kur rifilloi sulmet e tij, duke përfshirë të paktën 400 gra dhe fëmijë.
Grupi islamik Hamas ka njoftuar se disa nga zyrtarët e tij të lartë politikë dhe të sigurisë janë vrarë gjithashtu.
Plani egjiptian parasheh që Hamasi të lirojë pesë pengje izraelite çdo javë, e Izraeli të zbatojë fazën e dytë të armëpushimit pas javës së parë, kanë thënë dy burime të sigurisë.
Hamasi mban ende 59 pengje, ku 24 prej tyre mendohet se janë ende gjallë.
Si SHBA-ja ashtu edhe Hamasi kanë rënë dakord me propozimin, sipas burimeve të sigurisë, por Izraeli ende nuk është përgjigjur.
Burimet kanë thënë se propozimi egjiptian përfshin gjithashtu një afat kohor për tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, të mbështetur nga garancitë e SHBA-së, në këmbim të lirimit të pengjeve.
Hamasi ka akuzuar Izraelin për thyerjen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit të janarit, por ka thënë se është i gatshëm të negociojë një armëpushim dhe po studion propozimet nga i dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff.
Izraeli thotë se rifilloi operacionet e tij ushtarake për të detyruar Hamasin të lirojë pengjet e mbetura që mban në Gaza.
LEXO EDHE: