Botë

Egjipti kërcënon me tërheqje nga ndërmjetësimi i bisedimeve për armëpushim në Gaza

Diaa Rashwan

Diaa Rashwan

Foto: Associated Press

Egjipti ka kërcënuar të mërkurën me tërheqje si ndërmjetës në negociatat për armëpushimin në Gaza, pasi CNN-i raportoi se inteligjenca egjiptiane ndryshoi kushtet e propozimit të fundit të armëpushimit dhe prishi një marrëveshje.

“Qëllimet për të shkaktuar dyshime dhe për të ofenduar përpjekjet e Egjiptit si ndërmjetës, vetëm do të dërgojnë në më shumë komplikime të situatës në Gazë dhe në tërë rajonin, dhe mund ta shtyjë Egjiptin që të tërhiqet tërësisht nga ndërmjetësimi në konflikt”, ka thënë Diaa Rashwan, kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror të Egjiptit, në një deklaratë, raporton Reuters.

Duke cituar tri burime të afërta me diskutimet, CNN-i ka raportuar të martën se inteligjenca egjiptiane ka ndryshuar kushtet e një propozimi për armëpushim, me të cilin Izraeli ishte pajtuar në fillim të majit.

Mirëpo, kur Hamasi njoftoi më 6 maj se pranoi marrëveshjen, nuk ishte propozimi që ndërmjetësuesit e tjerë nga SHBA-ja dhe Katari menduan se iu dorëzua Hamasit për shqyrtim, sipas CNN-it.

Ndryshimet e bëra nga inteligjenca egjiptiane shkaktuan zemërim dhe akuza midis zyrtarëve të SHBA-së, Izraelit dhe Katarit dhe shkaktuan një bllokim në bisedime, thuhet në raportin e CNN-it.

CIA, drejtori i së cilës, William Burns, ka udhëhequr përpjekjet e ndërmjetësimit të SHBA-së, nuk pranoi të komentojë mbi raportin.

Rashwan ndërkaq ka thënë në deklaratë se pjesëmarrja e Kajros si ndërmjetës rezultoi nga "kërkesat dhe këmbënguljet e përsëritura" nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Tensionet janë rritur midis Egjiptit dhe Izraelit lidhur me operacionin ushtarak izraelite në Rafah në skajin jugor të Rripit të Gazës, pikërisht përtej kufirit me Egjiptin.

Që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, Egjipti ka shprehur shqetësimin se fushata e Izraelit mund të shtyjë banorët e enklavës palestineze përtej kufirit të saj, ku ka forcuar sigurinë.