Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock është vënë në shënjestër të propagandës ruse për shkak të qëndrimeve stoike kundër agresionit të Moskës në Ukrainë. Ajo këmbëngulë që do ta përkrahë Ukrainën “pa marrë parasysh çka thonë zgjedhësit gjermanë”. Në një fjalim para diplomatëve gjermanë Baerbock ka bërë thirrje që Gjermania të qëndrojë e pamposhtur para shantazheve ruse.
Më 18 janar të këtij viti ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock vizitoi Moskën. Ishte vizita e saj e parë në kryeqytetin rus si kryediplomate gjermane. Rusia po përgatitej për luftë kundër Ukrainës.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, një diplomat cinik, pasi filloi dreka e përbashkët e dy delegacioneve i ofroi ministres gjermane vodkë.
Baerbock refuzoi dhe tha se kur kishte qenë në Moskë para disa viteve, njerëzit i kishin thënë se nëse nuk e kalon testin e vodkës, nëse nuk i qëndron pijes, atëherë s’mund të bëhet politikane udhëheqëse.
Baerbock iu kundërpërgjigj Lavrovit duke i treguar se ajo edhe pa alkool është bërë politikane e nivelit të lartë.
“Nëse pirja e vodkës është test i qëndrueshmërisë... Unë i kam lindur dy fëmijë”.
Annalena Baerbock gjendet prej muajsh në shënjestër të propagandës ruse. Për dallim nga disa politikanë gjermanë që vazhdojnë të sillen si argatë të Vlladimir Putinit, Baerbock është e pakompromis.
Së fundi ajo tha se do ta përkrahë luftën e Ukrainës për liri “për aq kohë sa kjo është e nevojshme” dhe “pa marrë parasysh çka thonë zgjedhësit e mi gjermanë”. Pas kësaj deklarate nisi një fushatë e gjerë e mediave të Kremlinit kundër Annalena Baerbock. Fushatës iu bashkuan edhe politikanë ekstremistë gjermanë nga e majta dhe e djathta.
Në fjalimin e mbajtur tani në konferencën e ambasadorëve gjermanë në Berlin, Annalena Baerbock deklaroi: “Ne kurrë nuk kemi marrë gaz të lirë nga Rusia, por e kemi paguar dyfish me sigurinë tonë nacionale. Rusia dëshiron të na shantazhojë dhe po e kërcënon sigurinë tonë energjetike, andaj ne njëherë e përgjithmonë do të çlirohemi nga kjo varësi”.
Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga diplomatët gjermanë.
Baerbock ka qenë njëra nga politikanët e rralla gjermane që në fushatën elektorale të vitit të kaluar saktësisht e ka demaskuar politikën ruse. Në retrospektivë fjalimet e saj duken profetike dhe vizionare.
Për dallim nga kandidatët për kancelar Armin Laschet (CDU) dhe Olaf Scholz (SPD), të cilët i shmangeshin qëndrimeve të qarta dhe e mbronin gazsjellësin rus Nordstream 2, i cili anashkalon Ukrainën, Baerbock paralajmëronte se Rusia do ta përdorë këtë gazsjellës si instrument politik.
Pas agresionit rus kundër Ukrainës, kjo ndodhi: Rusia po e përdor furnizimin me gaz si instrument për të shantazhuar vendet europiane. Baerbock ishte po ashtu ndër politikanet e rralla gjermane që i merrte seriozisht shqetësimet e fqinjëve lindorë të Gjermanisë lidhur me gazsjellësin rus.
Në fjalimin e saj para diplomatëve gjermanë Baerbock bëri thirrje për të luftuar “narracionet e rrejshme” dhe “fake news” nga Moska dhe nga qendrat e tjera autokratike. Ajo kërkoi nga diplomatët gjermanë që të reagojnë më shpejtë dhe më guximshëm kundër lajmeve të rrejshme.
Baerbock nënvizoi se komunikimi “është thelbi i diplomacisë sonë në shekullin e 21- të”. Në rast se përhapen lajme të rrejshme, atëherë duhet të ketë “kundërkomunikim”, tha ajo, duke shtuar se qëndrimi gjerman duhet të jetë i zëshëm.
Ajo pyeti: “Nëse ne në ndonjë moment nuk jemi të zëshëm, çka domethënë kjo për vendet më të dobëta, të cilat nuk mund të jenë të zëshme?”
Duke aluduar në shqiponjën që stolis flamurin gjerman, Baerbock tha se “nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos i hapim krahët”.
Periudha e pasluftës në Gjermani, sipas saj, u karakterizua me lutje për falje dhe pajtim, më vonë vendimtare qenë qetësia dhe stabiliteti. Sot, sipas saj, Gjermania bashkë me partnerët e saj duhet të ruajë dhe forcojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ministrja e Jashtme tha: “Ne jemi të gatshëm që për këtë të marrim edhe përgjegjësi”.