Botë

E kaluara e Trumpit me Rusinë e Ukrainën përgatiti skenën për shpërthimin ndaj Zelenskyt

Vladimir Putin - Donald Trump

Foto: Associated Press

Ndërsa takimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky kaloi në një shpërthim befasues, presidenti amerikan u mbështet në një refren të njohur për ta shpjeguar lidhjen e tij unike me liderin rus Vladimir Putin, shkruan agjencia “AP”. 

“Putini kaloi në shumë ferr me mua”, tha Trump të premten, duke e ngre zërin dhe duke bërë gjeste me duar teksa rrëfente sagën e përfunduar prej kohës të një hetimi federal, në të cilin ai dhe presidenti rus ishin protagonistët kryesorë. 

“Ai kaloi nëpër një gjueti të rreme shtrigash ku e përdorën atë dhe Rusinë. Rusia, Rusia, Rusia, keni dëgjuar ndonjëherë për atë marrëveshje?”- tha Trump. 

Referenca ndaj hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2016 nënvizoi shkallën e zemërimit të Trumpit ndaj asaj ngjarje, ku atë hetim e kishte quajtur vazhdimisht “mashtrim”. Ai hetim ende i mbetet në kokë edhe pas tetë vjetëve. 

Ai po ashtu tregoi se pikëpamja e tij për luftën të cilën e filloi Rusia tre vjet më parë kundër Ukrainës është e ngjyrosur jo vetëm nga marrëdhënia e tij me Putinin dhe aleanca që ai beson se ata ndajnë, por edhe nga e kaluara e tij me presidentin ukrainas Zelensky, që ishte një nga protagonistët kryesor të njërit nga dy kallëzimet ndaj Trumpit gjatë mandatit të tij të parë. 

Ja një vështrim se çfarë mendon presidenti amerikan kur thotë “Rusia, Rusia, Rusia”:

Hetimet për lidhjet me Putinin

Pyetjet mbi lidhjet e Trumpit me Putinin e ndoqën presidentin amerikan gjatë mandatit të tij të parë dhe qëndruan mbi të gjatë asaj periudhe. U nxitën hetime nga Departamenti i Drejtësisë dhe Kongresi si dhe u angazhua një prokuror i posaçëm që ngriti padi penale kundër shumë aleatëve të Trumpit. 
Ndërsa kandidoi, Trump hodhi dyshime mbi idenë se hakerët e angazhuar nga qeveria ruse kanë vjedhur “emaila” të demokratëve, përfshirë të rivales së tij të vitit 2016, Hillary Clinton, dhe orkestruan publikimin e tyre në një përpjekje për ta rritur kandidaturën e Trumpit dhe për ta dëmtuar atë të Clintonit. 

Më pas, si president, edhe kur e pranoi me paqartësi se Rusia mund të ishte përgjegjëse për sulmin, ai thoshte se fajtori mund të ishte një “gjeni 180 kilogramësh i ulur në shtrat që po luante me kompjuter”. 

Në korrik të vitit 2018, ndërsa u takua me Putinin në Helsinki, Trumpi u duk se u pajtua me kundërshtimet e liderit rus mbi konkludimet e zyrtarëve të inteligjencës amerikane. 

“Kam besim të madh te njerëzit e mi të inteligjencës, por do t’ju them se presidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fortë dhe i fuqishëm sot në mohimin”, tha Trump. 

Ai shtoi se “nuk sheh arsye pse Rusia do ta bënte këtë”. 

Gjatë gjithë kohës ai shprehte zemërimin për hetimin, duke e quajtur “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”, siç bëri javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë duke thënë vazhdimisht “Rusia, Rusia, Rusia”. 
Hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller përfundoi në vitin 2019 dhe nuk la asnjë fije dyshimi se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe kriminale dhe se fushata e Trumpit e kishte mirëpritur ndihmën. Por, hetimi nuk gjeti prova të mjaftueshme për të dëshmuar se dy palët në mënyrë të paligjshme kishin bashkëpunuar për të dhënë informacion mbi rezultatin e zgjedhjeve.

“Na bëri një nder”

Nëse historia e Trumpit me Rusinë duket se ka kontribuuar në botëkuptimin e tij për konfliktin aktual në Ukrainë, këtu ka kontribuuar edhe e kaluara e tij me Ukrainën. 

Ai pati një telefonatë në vitin 2019 me presidentin ukrainas Zelensky dhe e shtyu atë të hetonte akuzat për korrupsion kundër rivalit të tij demokrat Joe Biden dhe djalit të tij Hunterit para zgjedhjeve të vitit 2020, zgjedhje të cilat Bideni i fitoi. 

Thirrja – e cila do të përfshinte fjalinë e paharrueshme të Trumpit: “Megjithatë do të doja të na bënit një nder” – iu kumtua udhëheqësve të Kongresit dhe një mbikëqyrësi të qeverisë, nga një ish-zyrtar i CIA-s i kthyer në sinjalizues. Ai tha se presidenti po kërkonte ndërhyrje nga një vend i huaj në zgjedhjet në SHBA. 

Pas telefonatës së Trumpit me Zelenskyn, Shtëpia e Bardhë ndaloi përkohësisht ndihmën e SHBA-së për aleatin në vështirësi që po përballej me forcat armiqësore ruse në kufirin e saj. Paratë u liruan pas ndërhyrjes së Kongresit. 

Trumpi u fajësua më pas nga Dhoma e Përfaqësuesve, por u lirua nga Senati. 

Skepticizmi i Trumpit për Ukrainën shkoi përtej telefonatës. Gjatë mandatit të parë, ai pranoi gjithashtu një teori konspirative të diskredituar prej kohësh që e lidh Ukrainën, e jo Rusinë, me ndërhyrjen e vitit 2016 dhe hakimin e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe akuzoi vazhdimisht FBI-në për një hetim të dobët që çoi në fajësimin e Kremlinit.

Çfarë më pas?

Pasojat afatgjate të grindjes në Zyrën Ovale -  në të cilën Trump e quajti Zelenskyn “të parespektueshëm” në një prej grindjeve publike më armiqësore që mbahet në mend që ka ndodhur mes liderëve botërore në Shtëpinë e Bardhë – mbeten për t’u parë. 

Por, pasojat e menjëhershme janë të qarta. Zelensky u largua nga Washingtoni pa nënshkruar një marrëveshje për mineralet që Trump tha se do ta kishte afruar Ukrainën drejt përfundimit të luftës me Rusinë. 

Ai nuk është më i mirëpritur derisa të jetë “gati për paqe”, tha Trump në rrjetet sociale. 
Të hënën, presidenti i SHBA-së sulmoi përsëri liderin ukrainas pasi Zelensky kishte vënë në dukje se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është ende “shumë, shumë larg”. 

Me marrëdhëniet SHBA – Ukrainë tash në rrezik, Zelensky ka bërë një sërë postimesh në rrjetin social “X” për t’i shprehur falënderimet për popullin amerikan, për Trumpin dhe Kongresin për “gjithë mbështetjen”. 

Udhëheqësit evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, e kanë mirëpritur Zelenskyn pas grindjes në Shtëpinë e Bardhë. 

Në Rusi, zyrtarët po e shijojnë konfliktin, duke e parë një mundësi për t’u afruar më shumë me SHBA-në dhe për të ndaluar dërgimin e ndihmave amerikane për Kievin. Ajo dritare u duk se u hap muajin e kaluar kur SHBA-ja, në një ndryshim dramatik, u nda nga aleatët evropianë duke refuzuar ta fajësojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, në votimin e rezolutave të OKB-së që kërkonin fundin e luftës. 
Në një intervistë për televizionin shtetëror rus që u transmetua të dielën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se administrata e re e SHBA-së “po ndryshon me shpejtësi të gjitha konfigurimet e politikës së jashtme”. 

“Kjo përkon kryesisht me vizionin tonë”, tha ai.