Botë

E djathta ekstreme në kërkim të “rritjes së madhe” në zgjedhjet e Gjermanisë

Alice Weidel

Alice Weidel

Foto: Associated Press

Një lëvizje e madhe politike po prek Gjermaninë. Kjo është ajo në të cilën partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) beson fuqishëm.

Etiketohet si “radikale”, “raciste” dhe “anti-demokratike” nga rivalët politikë, ndërsa shërbimi inteligjent gjerman thotë se partia është “anti-kushtetuese”.

Por, nëse sondazhet janë të sakta, AfD-ja me kandidaten Alice Weidel do të bëhet forca e dytë më e madhe politike pas zgjedhjeve federale të së dielës.

Kjo do të ishte një dridhje e madhe e pllakave tektonike, jo vetëm brenda, por në mbarë Evropën.

Mirëpo pse është AfD-ja kaq çështje e madhe aktualisht? Partitë populiste të spektrit të djathtë kanë rritur mbështetjen pothuajse në mbarë kontinentin e vjetër.

Qëndrimet e AfD-së janë në përputhje me qëndrimet e presidentit amerikan Donald Trump. Ata kanë pikëpamjen e njëjtë kundër ndryshimit të normave kulturore dhe janë të ashpër ndaj migracionit. Janë të gatshëm të ndalin dërgesat e armëve për Ukrainën, dhe të shtensionojnë raportet me Rusinë.

Administrata Trump i mbështet – publikisht, pavarësisht acarimit të shumë gjermanëve.

Çështja është se, Gjermania nuk është thjesht një vend i rëndomtë.

Është ekonomia më e madhe në Evropë, njëri nga shtetet më me ndikim në skenën ndërkombëtare. Vazhdon të mbajë barrën për të kaluarën e vet naziste. Së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën, është pjesë e treshes së madhe që ka ndihmuar në formësimin e rendit liberal dhe strukturave mbrojtëse në Evropë gjatë periudhës të pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë.

Asnjëherë më herët në Gjermaninë e pasluftës, nuk ka pasur ndonjë parti të së djathtës ekstreme që ka qenë kaq e suksesshme, duke marrë parasysh se etiketohet si rrezik për Republikën Federale dhe kushtetutën liberale të vendit.

Liderja opozitare franceze, Marine Le Pen, partia e të cilës gjithashtu kualifikohet si e djathtë ekstreme, e ka distancuar veten nga AfD-ja në skenën evropiane, sepse i gjykon pozicionet dhe reputacionin etno-nacionalist të kësaj partie si skajshmërisht radikale.

Supozimi i mbajtur prej kohësh si brenda ashtu dhe jashtë vendit, kishte qenë se e  kaluara e errët e Gjermanisë e ka imunizuar kundër çdo flirtimi serioz me të djathtën ekstreme.

Por ka shumë gjëra rreth këtyre zgjedhjeve që po i shtyn vëzhguesit të ndryshojnë pikëpamjet mbi Gjermaninë.

Gjermania e goditur

Gjermanët kanë pësuar një goditje fatale – në kuptimin e imazhit dhe reputacionit ndërkombëtar të vendit.

Për vite me radhë, ata ishin mësuar të vlerësoheshin si superfuqia ekonomike e Evropës.

“Vorsprung durch technik”, që përkthehet si “progres nëpërmjet teknologjisë”, ishte një slogan i reklamuar në veturat e kompanisë gjermane Audi në vitet e ‘80-ta. Slogani në fjalë, kishte ndërtuar reputacionin e Gjermanisë brenda imagjinatës ndërkombëtare.

Vendi është perceptuar si modern, dinamik dhe teknologjikisht i zhvilluar. Industria automobilistike ishte njëra prej arterieve kryesore që ka prodhuar pasuri në zemrën ekonomike të Gjermanisë.

Por, defekte thelbësore në modelin ekonomik të Gjermanisë kanë dalë tanimë në sipërfaqe.

Modeli ekonomik gjerman njihet gjerësisht si “kaputt” (i marrë fund) – i varur kryesisht nga industri me energji intensive dhe industri të vjetra sikurse ajo e veturave dhe industria kimike.

Kritikët e vendosin në pikëpyetje shkurtpamësinë e Gjermanisë, ose aftësinë e saj për të ecur me kohën. Ku janë investimet serioze në kërkim dhe zhvillim? Në teknologji të reja? Në inteligjencë artificiale?

Për t'i bërë gjërat edhe më keq, gjatë mandatit 16 vjeçar të Angela Merkelit – ajo u largua nga posti i kancelares në vitin 2021 – Gjermania ka krijuar varësi nga: (1) eksportet drejt Kinës, (2) gazin e lirë prej Rusisë, (3) ombrellën mbrojtëse të Amerikës.

E gjithë kjo e ka lënë Gjermaninë shumë të ekspozuar.

Donald Trumpi tani thotë se Evropa nuk mund të varet më në mbështetjen dhe garancitë e Shteteve të Bashkuara.

Kina ka zhvilluar në hapa të shpejtë industrinë e saj automobilistike dhe dominon teknologjinë e makinave elektrike. Prandaj, nuk ka nevojë më për importe gjermane.

Dhe pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 e la Gjermaninë duke kërkuar për burime alternative të energjisë. Blerja e gazit natyror, nga SHBA-ja dhe vendet e tjera, është shumëfish më e shtrenjtë, duke çuar në tendosje financiare për shumë biznese gjermane me energji intensive.

Rezultati: Ekonomia e Gjermanisë është e ngadaltë dhe ngjitëse. Si anëtari më i madh i monedhës së eurozonës, kjo ka ndikim shumë përtej kufijve të saj. Aleatët evropianë janë të nevrikosur.

Dobësia ushtarake

Ushtria e Gjermanisë është gjithashtu burim acarimi, midis fqinjëve evropianë. Berlini është lojtar kyç në aleancën ushtarake, NATO. Rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, nënkupton se evropianët duhet të fuqizojnë kapacitetet e veta.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka premtuar “zeitenwende” – një pikë kthimi – për ushtrinë e varfër të vendit, pas agresionit rus në Ukrainë.

Megjithatë, ushtria e Gjermanisë mbetet në gjendje të dobët – më pak e gatshme për betejë, sipas BBC-së, se para tre vjetëve.

Pjesërisht për shkak të donacioneve që i ka dhënë Ukrainës.

Gjermania, pas Shteteve të Bashkuara, ka qenë donatori kryesor, sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe pjesa më e madhe e partive politike në Gjermani janë të pajtimit për të vazhduar përkrahjen e Ukrainës.

AfD-ja mban qëndrim diametralisht të kundërt. “Paqe” është shenja më e shpeshtë që shihet në tubimet e tyre.

Ata duan afrim me Rusinë, për të ndaluar menjëherë dërgimin e armëve në Ukrainë, në mënyrë që të përdorin burimet ekonomike për të konsoliduar forcat ushtarake të vendit.

Infrastruktura e shkatërruar

Mbi 4,000 ura në Gjermani janë të prishura ose në gjendje të dyshimtë. Kjo është shifra e raportuar në një vend, infrastruktura e të cilit është shkatërruar në heshtje prej vitesh për shkak të investimeve të pakta – si në sektorin publik dhe në atë privat.

Përpikëria e trenave në Gjermani është e tmerrshme - më keq se në Britaninë e Madhe.

Digjitalizimi është gjithashtu për të ardhur keq. Valët e telefonit celularë janë të dobëta jashtë qyteteve dhe njerëzit ende dihet se përdorin faksin!

Por edhe nëse qeveritë e fundit gjermane kishin dashur të investonin më shumë, ato u përballën me kufizime ligjore në shpenzime.

Një kufi borxhi u shënua në kushtetutën gjermane pas krizës financiare të viteve 2008/09, me një kufizim për borxhin e ri prej jo më shumë se 0.35% të bruto produktit vendor, me përjashtim të rasteve të emergjencës kombëtare.

Gjermanët nuk u besonin më politikanëve të tyre.

Ata kishin parë shpenzime të pakontrolluara të qeverisë brenda dhe jashtë vendit. Monedha euro, nga e cila varet Gjermania, pothuajse kishte kolapsuar.

Por ajo që u dukej votuesve si shtyllë e stabilitetit financiar në atë kohë, tani për shumë njerëz, duket si bllok për rritjen ekonomike.

Përplasjet rreth reformimit të tavanit të borxhit ishin goditja e fundit që çoi në rënien e koalicionit në largim të Gjermanisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme këtë të diel.

Por, qeveria e re gjermane duhet të ketë kujdes: Duhet shumicë prej dy të tretash në parlament për të ndryshuar kushtetutën gjermane.

Migracioni

Migracioni është problem i madh për Gjermaninë. Dhe një makineri votash për AfD-në.

Është larg prej të qenit vendi i vetëm që shqetësohet për nivelet e migracionit në Evropë, mirëpo Gjermania e vetme ka pranuar një milion azilkërkues, kryesisht nga Siria dhe Afganistani, gjatë krizës së migrantëve në Evropë në vitet 2015/2016.

Vendi gjithashtu i ka hapur dyert për 1.2 milionë refugjatë ukrainas.

Shumë gjermanë ishin krenar për atë që e quanin “kulturë mikpritëse”.

Por një seri sulmesh nga azilkërkuesit nga Lindja e Mesme dhe Afganistani ka rindezur debatin rreth asaj se sa të hapur duhet të jenë kufijtë e Gjermanisë.

Ka pasur sulme me thikë, sulm me hanxhar, makinë që përplaset me civilë në një treg Krishtlindjesh dhe përsëri në një demonstratë të fundit të sindikatave në Munih, u vra një tjetër fëmijë i vogël.

AfD-ja këmbëngul se nuk është raciste apo kundër imigracionit dhe se kushdo është i mirëpritur në Gjermani nëse arrin me mjete ligjore, siguron vend pune, kontribuon në shoqëri dhe respekton normat dhe kulturën lokale.

Partia thotë se do t’i dëbojë menjëherë të gjithë emigrantët që kryejnë një krim dhe këdo që arrin ilegalisht.

Ky qëndrim u duartrokit nga mbështetës të shumtë të AfD-së, duke përfshirë vajza të reja që më thanë se nuk ndiheshin më të sigurta në rrugë.

Në maj, një gjykatë gjermane konstatoi se “të paktën një pjesë e konsiderueshme e AfD-së” besonte se kushdo me prapavijë migrantësh nuk ishte “gjerman i vërtetë” - edhe nëse kishte nënshtetësi gjermane. Gjykata doli në përfundimin se AfD-ja synonte “t'u jepte shtetasve gjermanë me prejardhje emigrante vetëm status të pavlefshëm ligjërisht”. Kjo binte ndesh me kushtetutën gjermane.

Qeveria e ardhshme e Gjermanisë

Të shqetësuar se mund të humbin votuesit nga AfD-ja për çështjen e migrimit dhe kufijve, qendra e majtë dhe qendra e djathtë e Gjermanisë kanë lëvizur djathtas në retorikën e tyre. Kjo është një fitore për AfD-në, pavarësisht se cili del të jetë rezultati i zgjedhjeve.

Edhe nëse bëhet forca e dytë më e madhe në parlament, siç parashikohet, ka tepër pak gjasa që të hyjë në qeverinë e ardhshme të Gjermanisë.

Sistemi politik i pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani është krijuar në mënyrë që asnjë parti e vetme të mos mund të dominojë parlamentin siç bënë nazistët pasi u votuan për herë të parë, në 1933.

Ndërtimi i koalicionit është loja kryesore. Dhe ka ekzistuar një i ashtuquajtur “mur politik” që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore – në kuptimin e një konsensusi ndërpartiak për të mbajtur të djathtën ekstreme jashtë qeverisë.

AfD-ja këmbëngul se është konservatore dhe liridashëse, jo një forcë radikale e krahut të djathtë.

Ajo tregon për bazën e saj në rritje të mbështetjes, në Gjermaninë perëndimore dhe atë lindore dhe midis votuesve të rinj gjithashtu. Ajo akuzon kundërshtarët se po përpiqen ta mbyllin dhe ta mbajnë jashtë pushtetit. Kjo, thotë ajo, është antidemokratike.

Elon Musk mori vëmendjen e mediumeve në mbarë Evropën kur deklaroi në dhjetor se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë.

Përgatiti: Ideal Zhubi