Të paktën 50 persona dyshohet se janë mbytur pasi një anije e cila po lundronte rrugën e Atlantikut, nga Afrika perëndimore për në Evropë, u përmbys në ishullin Kanari.
Nëntë persona u shpëtuan nga anija herët të hënën pasi një transportues me shumicë njoftoi shërbimin e shpëtimit të Spanjës, Salvamento Marítimo, i cili dërgoi një varkë të shpejtë dhe një helikopter nga baza e saj në Tenerife, raportoi The Guardian.
Një zëdhënës i Salvamento Maritimos ka thënë se “helikopteri ka arritur, ka shpëtuar nëntë persona nga anija, dhe i ka dërguar ata në aeroportin El Hierro, ku janë kontrolluar nga stafi mjekësor”.
Zëdhënësi ka thënë se nëntë personat e shpëtuar ishin nga Afrika sahariane.
Ai ka shtuar se Roja Civile e Spanjës ka bërë të ditur se 60 persona raportohet të kenë qenë në anije kur ajo ishte nisur nga qyteti Mbour i Senegalit, nëntë ditë më parë.
Në tetor të vitit 2020, 140 persona që ishin nisur nga porti i njëjtë, kishin vdekur, pasi anija e tyre ishte përmbysur me t’u nisur nga bregdeti i Senegalit.
Dhjetëra e mijëra njerëz që largohen nga lufta, varfëria dhe jostabiliteti në Afrikën sub-sahariane, provojnë të arrijnë në Spanjë përmes rrugës Atlantike çdo vit, derisa shumë prej tyre vdesin gjatë përpjekjes.