Botë

Dy të vrarë nga sulmet ruse në Kherson të Ukrainës

Kherson

Foto: Associated Press

Dy civilë janë vrarë në sulmet ruse të dielën në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson, i cili goditet rregullisht nga artileria, dronët dhe raketat ruse, ka bërë të ditur guvernatori rajonal.

Një i moshuar është vrarë pasi u hodh eksploziv nga një dron dhe një tjetër është vrarë në një sulm tjetër, ka bërë të ditur në Telegram guvernatori Oleksandr Prokudin, raporton Reuters.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të dielën se Rusia ka përdorur më shumë se 1,100 bomba ajrore, 560 dronë sulmues dhe rreth 20 raketa gjatë javës së kaluar kundër Ukrainës.

"Rusia nuk ndalet në terrorin e saj kundër Ukrainës. Agresioni i përditshëm kundër popullit tonë, qyteteve dhe fshatrave tona. Sulme me lloje të ndryshme armësh”, ka thënë Zelensky, i cili u kërkoi aleatëve të Kievit të shtunën të intensifikojnë presionin ndaj Moskës. 

Ushtria e Ukrainës ka thënë më herët të dielën se mbrojtja e saj ajrore kishte rrëzuar 41 nga 80 dronë rusë të lëshuar gjatë natës, duke shtuar se sulmet nuk kishin shkaktuar viktima apo dëmtime në infrastrukturën kritike.