Lufta në Ukrainë

Dy të vdekur nga sulmet ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës

Raketat ruse goditën rajonin Lviv

Foto: Al Jazeera

Një sulm rus me raketa në infrastrukturë energjetike në rajonin perëndimor të Lvivit të Ukrainës la të vdekur dy persona, thanë zyrtarët të dielën, raporton agjencia “AP”.

Sulmi shkatërroi një ndërtesë dhe shkaktoi zjarr, ka shkruar guvernatori Maksym Kozytskyi në rrjetin social “Telegram”.  Ai tha se operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar.

Ndërkohë, mijëra banorë në rajonin Odesas të Ukrainës mbetën përkohësisht pa rrymë të dielën, pasi mbetjet e një droni rus shkaktuan zjarr në një objekt energjetik, tha guvernatori Oleh Kiper.

Rreth 170 mijë shtëpi mbetën pa rrymë si rezultat i sulmit, njoftoi operatori më i madh privat i energjisë elektrike në Ukrainë, DTEK.

Forca ajrore ukrainase  ka bërë të ditur se rrëzoi nëntë nga 11 dronët “Shahed” të lëshuara nga Rusia gjatë natës, si dhe nëntë raketa lundrimi.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës ditët e fundit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa rajone.

Kompania ukrainase e energjisë,  “Centrenergo”, njoftoi të shtunën se termocentrali Zmiiv, një nga termocentralet më të mëdha në rajonin lindor të Kharkivit, u shkatërrua plotësisht pas bombardimeve ruse javën e kaluar. Oraret e ndërprerjeve të energjisë ishin ende në fuqi për afro 120 mijë njerëz në rajon.

Ndërkohë dhjetë raketa “Vampire”, të prodhuara nga Çekia, patën cak rajonin kufitar rus të Belgorod të dielën, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Një grua u lëndua kur një zjarr shpërtheu pas sulmit, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.