Botë

Dy motra kundër Japonisë

Wishma Sandamali vdiq më 6 mars 2021 në një qendër paraburgimi imigracioni në Nagoya. Ajo u ndalua atje për shtatë muaj, pasi kishte kërkuar statusin e refugjates. Wishma ishte e huaja e 18-të që vdiq në paraburgimin e imigracionit japonez që nga viti 2007, sipas raporteve të mediave. Vendi ka një nga nivelet më të ulëta të pranimit të refugjatëve në botë dhe vdekja e saj ka rritur presionin ndaj zyrtarëve për të reformuar mënyrën se si trajtohen njerëzit e mbajtur në qendra të tilla

(BBC) - Tempulli Myotsuji ndodhet në Aisai, një qytet pak i njohur në prefekturën japoneze të Aichit.

Tempulli, më shumë se 9 mijë km larg nga shtëpia e saj në distriktin Kadawatha të Sri- Lankës, është vendi i prehjes së Ratnayake Liyanage Wishma Sandamali.

Wishma vdiq më 6 mars 2021 në një qendër paraburgimi imigracioni në Nagoya, kryeqyteti i Aichit. Ajo u ndalua atje për shtatë muaj, pasi kishte kërkuar statusin e refugjates.

“Edhe në ëndrrat tona, ne shohim motrën tonë”, tha 30-vjeçarja, Wayomi Ratnayake për BBC-në. “Ajo ishte vetëm 33 vjeçe kur vdiq. Ajo mund të kishte jetuar edhe për shumë vjet të tjerë”.

Wishma ishte e huaja e 18-të që vdiq në paraburgimin e imigracionit japonez që nga viti 2007, sipas raporteve të mediave. Vendi ka një nga nivelet më të ulëta të pranimit të refugjatëve në botë dhe vdekja e saj ka rritur presionin ndaj zyrtarëve për të reformuar mënyrën se si trajtohen njerëzit e mbajtur në qendra të tilla.

Ajo humbi 20 kg në paraburgim për shkak të një problemi me stomakun, të shkaktuar nga stresi. Sipas aktivistëve që e vizituan, shëndeti i saj vazhdoi të përkeqësohej nga stresi ekstrem. Në ditët e saj të fundit, Wishma po villte gjak.

Ajo kërkoi vazhdimisht që të dërgohej në spital dhe t'i jepej lirimi i përkohshëm, por këto kërkesa u refuzuan.

Një raport hetimor nga Agjencia e Shërbimeve të Imigracionit të Japonisë në gusht të 2021-tës arriti në përfundimin se stafi në qendrën e paraburgimit nuk kishte arritur të tregonte detaje për sëmundjen e saj. Në raport thuhet se disa oficerë të paraburgimit mendonin se të arrestuarit po shtireshin si të sëmurë për të siguruar lirimin e përkohshëm.

Megjithatë, prokurorët nuk pranuan të ngrinin akuza kundër 13 oficerëve në objektin e Nagoyas për vdekjen e saj. Një panel i pavarur gjyqësor, më vonë, vendosi se ky vendim ishte i padrejtë.

Në krye me motrat e Wishmas, Wayomi dhe Poornima, 28 vjeçe, familja Ratnayake ka paditur qeverinë japoneze duke kërkuar dëmshpërblim me pretendimin se nuk i ka siguruar Wishmas ushqimin dhe kujdesin e duhur shëndetësor. Rasti ishte në pritje për shqyrtim që nga marsi i vitit 2022.

“Nëse ajo do të kishte marrë mjekimin e duhur, ajo nuk do të kishte vdekur”, tha Wayomi. “Ne duam drejtësi për motrën tonë. Qeveria japoneze është përgjegjëse për atë që i ndodhi”.

Janë rreth 295 orë filmime me kamera CCTV të Wishmas, të marra në objektin e Nagoyas në ditët para vdekjes së saj.

Pesë orë nga ato pamje janë paraqitur në një gjykatë në Nagoya si provë. Avokatët e familjes publikuan disa prej tyre për publikun në muajin prill.

Image

“Unë do të vdes sot”

Në videot e shfaqura për BBC-në, nga avokatët e familjes Wishma shihet shumë e dobët, e mbuluar me një batanije teksa shtrihet në shtrat dhe bisedon me stafin e objektit. “Unë nuk mund të pi asgjë”, thotë ajo. “Unë nuk mund të marr frymë. Unë do të vdes”.

Mediat japoneze raportuan gjithashtu se më 23 shkurt, Wishma kishte kërkuar vazhdimisht që të dërgohej në spital pas të vjellave: “Unë do të vdes sot”. Një rojë i përgjigjet: Mos u shqetëso, unë do të përballesha me probleme po të vdisje ti. Le të mendojmë diçka tjetër".

Në ditën e vdekjes së saj, dy anëtarë të stafit shihen duke u përpjekur të rikthenin në jetë Wishman. “Unë mendoj se gishtërinjtë e saj janë paksa të ftohtë”, thotë njëri nga anëtarët e stafit. Një tjetër bërtet: “Zonja Sandamali! A më dëgjoni?”

Ishte e rëndë për Poorniman që të shihte motrën teksa vdiste. Ajo u lejua të shikonte disa nga klipet në gjykatë, por nuk mund të duronte ta bënte këtë vazhdimisht. “Ajo duhej të ishte në spital. Njerëzit në qendrën e paraburgimit nuk kujdeseshin për të”.

Wayomi shtoi: “Duhet të ketë një ndryshim në sistemin japonez në mënyrë që të burgosurit në qendrën e paraburgimit të mbrohen”.

Vdekja e Wishmas shkaktoi një bujë në Japoni, duke e detyruar qeverinë të anulojë një projektligj të diskutueshëm të imigracionit.

Vetëm dy vjet më vonë, ndryshimet e propozuara në Aktin e Kontrollit të Emigracionit dhe Njohjes së Refugjatëve u miratuan në dhomën e ulët të parlamentit dhe do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm. Këto ndryshime lejojnë deportimin e atyre që aplikojnë në mënyrë të përsëritur për statusin e refugjatit.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 202 nga 3772 aplikantë u njohën si refugjatë nga Japonia vitin e kaluar.

Teppei Kasai i “Human Rights Watch” i tha BBC-së: “Nëse Qeveria japoneze do të kishte ndërmarrë hapa konkretë për t'i dhënë fund ndalimit të pacaktuar të Emigrantëve dhe azilkërkuesve, vdekjet [e të huajve në paraburgim], përfshirë Wishma Sandamalin, mund të ishin parandaluar”.

Ai më herët vuri në dukje se politikat e imigracionit dhe refugjatëve të Japonisë kanë qenë prej kohësh të zhytura në burokraci dhe “masa kufizuese të panevojshme”. Disa aplikantë për refugjatë mbahen për periudha të gjata në qendrat e paraburgimit pa mbikëqyrje gjyqësore, ndonjëherë pa qasje adekuate në shërbimet mjekësore”, shtoi ai.

Dashuria për Japoninë

Wishma mbërriti në Japoni në qershor të vitit 2017 me një vizë studentore me kohëzgjatje prej 15 muajsh, për të studiuar në një shkollë të gjuhës japoneze në prefekturën Chiba.

Një adhuruese e serialeve dramatike japoneze si “Oshin”, mësuesja e anglishtes e donte kulturën japoneze dhe të jetonte në Japoni, kujton Wayomi. “Ajo ishte shumë e pafajshme dhe e ndjeshme. Ajo ishte si një nënë për ne, shumë e kujdesshme dhe e vëmendshme”.

Poornima, e cila ishte më e afërta me Wishman, kujton me mall motrën e saj më të madhe. “Ne gatuanim së bashku dhe na pëlqente të kërcenim”.

Motrat flisnin në telefon çdo ditë, ndonjëherë edhe dy herë në ditë. Wishma më vonë filloi të bashkëjetonte me të dashurin e saj nga Sri-Lanka, të cilin e takoi në Japoni.

Sipas raportit hetimor të siguruar nga autoritetet, Wishma ndërpreu studimet në maj të 2018-s dhe u përjashtua nga shkolla muajin pasardhës.

Më pas ajo filloi të punonte në një fabrikë në Shizuoka dhe aplikoi për statusin e refugjatit në shtator. Kërkesa e saj u refuzua në janar të 2019-s.

Gushtin e ardhshëm, ajo u dorëzua në polici, me pretendimin se ishte përballur me abuzim në familje. Megjithatë, ajo u arrestua për tejkalim të afatit të vizës dhe u ndalua në Nagoya.

Wishma fillimisht donte të kthehej në Sri-Lanka, por nuk ishte në gjendje të nisej për shkak të masave të Covid-19. Pasi ndryshoi mendje, në dhjetor të vitit 2020 ajo mbeti në paraburgim.

Ajo filloi të kishte probleme shëndetësore që nga janari i vitit 2021, thuhet në raport, dhe gjendja e saj filloi të përkeqësohej muajin e ardhshëm.

Image

“Ne menduam se ishte një gabim”

Por e gjithë kjo ishte e panjohur për Ratnayakes. Nëna e tyre foli për herë të fundit me Wishman në mes të vitit 2018, ku ajo i tha familjes që të mos shqetësohej nëse ajo nuk kontaktonte me të.

Wayomi mori një mesazh nga Wishma në tetor të 2019-s, ku e uroi atë për martesën. Përpjekjet e mëvonshme për të kontaktuar me të ishin të pasuksesshme.

Më pas, më 8 mars 2021, familja u informua nga policia e Sri-Lankës për vdekjen e Wishmas. “Ne ishim shumë të tronditur. Nuk ka fjalë për të përshkruar pikëllimin tonë”, tha Wayomi.

Kur motrat shkuan në Japoni, në maj, për të identifikuar trupin e motrës së tyre, ato nuk mund ta njihnin atë. “Kur pamë Wishman, fytyra e saj dukej si e gjyshes sonë”, kujton Wayomi. “Ajo kishte humbur shumë peshë”.

Ishte hera e parë që ato e kishin parë në dy vjet e gjysmë. Ato nuk mundën ta dërgonin trupin e Wishmas në shtëpi, për shkak të kufizimeve të Covidit, si dhe kostos së lartë.

Kështu trupi i saj u dogj në Nagoya. Motrat morën pjesë në varrim, por nëna e tyre jo. “Ajo nuk ishte në gjendje që të shihte trupin e Wishmas”, tha Wayomi.

Motrat hoqën dorë nga puna në Sri-Lanka - Wayomi ishte arkëtare, Poornima mësuese në çerdhe - për të ndjekur penalisht çështjen e motrës së tyre. Ato janë aktualisht duke qëndruar në apartamentin e një shoqeje në Japoni. Shpenzimet e tyre të jetesës, si dhe procesi gjyqësor, po financohen nga donacionet e qytetarëve japonezë.

Në Sri-Lanka, rasti i Wishmas është diskutuar gjerësisht, me klipe të pamjeve CCTV që qarkullojnë në internet. Opozita dhe figura të tjera i kanë kërkuar gjithashtu qeverisë të merret me këtë çështje me Japoninë.

Për motrat e Wishmas lufta vazhdon. “Ne nuk do të heqim dorë nga kjo. Ne do të luftojmë deri në fund”.

Përktheu: Forca Jashari