Venezuela do të inaugurojë kreun e shtetit të premten – por janë dy persona që mendojnë se janë udhëheqësit legjitim, ka raportuar CNN.
Nicolás Maduro, presidenti në detyrë, me 10 janar do të bëjë betimin për mandatin e tretë, edhe pse shumë vende të botës mohojnë se ai i ka fituar zgjedhjet në korrik.
Sfiduesi i tij Edmundo González Urrutia, i cili ka qenë në azil në Spanjë që nga shtatori, është i vendosur të kthehet në kryeqytet më 10 janar për të marrë detyrën, edhe pse është nën rrezik të arrestimit nga autoritetet e qeverisë së tanishme.
Si arriti gjendja në këtë situatë?
Maduro dhe González thonë se kanë fituar zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut.
Këshilli Kombëtar Elektoral i Venezuelës, një institucion i mbushur me aleatët e Maduros, formalisht shpalli Maduron si fitues të zgjedhjeve pa e dëshmuar rezultatin e votimeve.
Opozita nuk e pranoi rezultatin dhe shpërndau dhjetëra mijëra rezultate nga vendvotimet në të gjithë vendin, duke thënë se e kanë dëshmuar fitoren e González me një diferencë të madhe.
Mbikëqyrësit e pavarur dhe analiza e CNN-it dolën me përfundimin se rezultatet e publikuara nga opozita janë me shumë gjasa të sakta, si dhe disa shtete duke përfshirë edhe SHBA-në e njohin Gonzálezin si president të zgjedhur.
Pas zgjedhjeve pati protesta dhe përplasje me policinë me thirrjen për transparencë.
Pushteti u përgjigj duke ndjekur penalisht anëtarët e opozitës, duke arrestuar më shumë se 2,000 njerëz, përfshirë qindra të mitur, në javën e parë pas zgjedhjeve.
Pastaj Zyra e Prokurorit Publik të Venezuelës lëshoi një urdhërarrest për Gonzálezin, duke e shtyrë të largohet nga vendi, si dhe lideren tjetër të opozitës Maria Corina Machado të fshihet.
González qysh herët ka premtuar se do të kthehet në Venezuelë për të formuar një qeveri të re dhe të parandalojë një mandat të ri të Maduros. Më herët gjatë javës ai i kishte bërë thirrje ushtrisë ta njohë si komandanti në detyrë dhe t’i japë fund udhëheqjes së Maduros që është në fuqi që nga viti 2013.
Çfarë ndodh ditën e inaugurimit?
González mund të provojë të hyjë në kryeqytetin e Venezuelës me mbështetësit e tij.
Ish-presidenti i Kolumbisë Andrés Pastrana tha për CNN-in, se bashkë me tetë ish-liderë nga Amerika Latine do ta shoqërojnë Gonzáles për në Karakas, por nuk dha detaje më shumë.
Hyrja në Venezuelë mund të jetë e rrezikshme.
Të hënën, ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, deklaroi se nëse González shkon në Venezuelë do të arrestohet bashkë me çdo ish-president që e shoqëron.
Maduro ka marrë ftesë nga Asambleja Kombëtare për ceremoninë e betimit të premten.
Në ditët para inaugurimit, Venezuela deklaroi se ka arrestuar më shumë se 125 njerëz – në mesin e tyre edhe të huaj nga disa shtete si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ishin akuzuar si “mercenarë’’ dhe të përfshirë në “veprime destabilizuese’’. Po ashtu kanë integruar policitë dhe milicitë brenda ushtrisë, duke dërguar trupa rreth vendit për të mbajtur rendin para ceremonisë së betimit.
Efekti ndërkombëtar
Nëse Maduro merr detyrën përsëri, do të vazhdojë të përkeqësojë marrëdhëniet diplomatike me fqinjët.
Shumë shtete në rajon kanë refuzuar ta pranojnë Maduron si president duke mbështetur Gonzálezin.
Gjatë qeverisë së tij ai ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me disa vende që kanë vënë në pikëpyetje rezultatet, dhe disa shtete kanë tërhequr vetë diplomatët duke mohuar fitoren e tij.
Gjatë Presidencës së Maduros, rreth 8 milionë njerëz janë larguar nga Venezuela, si pasojë e varfërisë së skajshme dhe keqmenaxhimit ekonomik nga qeveria.