Botë

Dy britanike tregojnë për tmerrin e përjetuar nga vëllezërit Tate

Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan Foto: AP

Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan Foto: AP

Influencuesi, Andrew Tate është vendosur në arrest shtëpiak nga një gjykatës rumun, ndërsa prokurorët po i hetojnë akuzat e reja dhe serioze ndaj tij dhe vëllait të tij, Tristan, përfshirë marrëdhëniet seksuale me një të mitur dhe trafikimin e të miturve. Tash disa gra britanike kanë dhënë rrëfime të hollësishme të përdhunimit dhe dhunës seksuale që pretendohet se është kryer nga Andrew. Ato janë duke e paditur Andrew Tate, dhe rasti i tyre pritet të mbahet në Gjykatën e Lartë të Londrës.

Dy gra, që pretendojnë se janë përdhunuar dhe u është zënë fryma nga influencuesi i rrjeteve sociale, Andrew Tate, kanë folur me BBC-në për tmerrin e përjetuar.

Njëra grua ka pretenduar për herë të parë se është përdhunuar nga vëllai i vogël i Andrew Tate, Tristan – gjithashtu influencues me miliona ndjekës.

Vëllezërit Tate, të moshave 37 dhe 36-vjeçare, për momentin po përballen me akuza në Rumani për trafikim të qenieve njerëzore dhe formim të një grupi të organizuar për t’i shfrytëzuar seksualisht gratë. Andrew Tate gjithashtu është i akuzuar për përdhunim.

Nëse shpallen fajtorë, të dy burrat mund të burgosen për më shumë se 10 vjet. Ata i mohojnë fuqishëm akuzat ndaj tyre.

Andrew Tate për momentin është nën arrest shtëpiak në Rumani. Përveç akuzave, me të cilat përballet, prokurorët po i konsiderojnë edhe pretendimet e reja kundër tij, përfshirë marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe trafikimin e të miturve. Të dy vëllezërit po hetohen për trafikimin e 34 grave të tjera.

Dy gra britanike, që nuk janë përfshirë në çështjen rumune kundër vëllezërve Tate, kanë dhënë rrëfime të hollësishme të përdhunimit dhe dhunës seksuale që pretendohet se është kryer nga Andrew Tate. Sulmet pretendohet se janë kryer të paktën 10 vjet më parë, kur Tate jetonte në Luton të Anglisë.
Një grua tjetër britanike ka bërë pretendime të reja të përdhunimit kundër Tristan Tate, duke thënë se ai ia ka vendosur duart në fyt teksa e përdhunonte.

Anna ka thënë se është takuar me Andrew Tate në Luton, në vitin 2013. Pas disa takimeve, ajo ka thënë se ka shkuar në shtëpinë e tij.

“Ai filloi të më puthë... e shikoi tavanin dhe më tha, ‘Po e debatoj nëse duhet të të përdhunoj apo jo’. Papritmas më kapi për fyti, më shtyu në krevat, duke më ngufatur tepër shumë”, ka thënë ajo.
Anna ka thënë se pastaj ai e ka përdhunuar. Sipas saj, Tate i ka dërguar mesazhe shqetësuese dhe mesazhe me zë për përdhunimin dhe dhunën seksuale.

“A jam person i keq? Sepse sa më pak të pëlqente ty, aq më shumë më pëlqente mua”, ka thënë ai në një mesazh me zë. Në një mesazh ai ka shkruar: “Më pëlqen të të përdhunoj”.

Anna ka thënë se ai është përpjekur ta kthejë në shaka ngufatjen: “A je seriozisht e ofenduar që të ngufata pak?”. Kur është pyetur për mesazhet, Tate nuk ka dashur të komentojë.

Në vitin 2014, Anna i ka thënë policisë së Bedfordshire për sulmin e supozuar. Dy gra të tjera kanë bërë pretendime të ngjashme dhe hetimi është marrë në dorë nga policia e Hertfordshire.
Në vitin 2019, një dosje i është dërguar Prokurorisë Britanike, por ishte vendosur se nuk ka mjaftueshëm prova për të ngritur aktakuzë.

Dëshmitarja “Sienna” Foto: BBC

Një grua tjetër, Sienna, ka përshkruar një histori të ngjashme.

Ajo ka thënë se së pari është takuar me Andrew Tate një dekadë më herët në Luton. “Kaluam shumë mirë dhe pimë disa pije”, tregon ajo.

Ajo ka thënë se ata ishin siç e ka përshkruar ajo “të përkryer për ta kaluar një natë së bashku”.
Disa muaj më vonë, Sienna ka thënë se është takuar me Tate përsëri. Ajo ka pretenduar se në këtë rast, ai e ka sulmuar atë.

“Ne shkuam në dhomën time... dhe filluam të kryejmë marrëdhënie seksuale”, ka thënë ajo. “Atëherë ai m’i vendosi duart rreth fytit”.

Sienna ka thënë që ka luftuar për të marrë frymë dhe pastaj i ka humbur vetëdija. Kur është zgjuar, ai akoma ka qenë duke kryer marrëdhënie me të. 

“Isha shumë e tmerruar”, ka thënë ajo. “Vetëm më kujtohet që nuk mund të merrja frymë... Ishte përdhunim”.

Në mëngjes, ajo ka thënë se syrin e kishte të gjakosur.

“Pjesa e bardhë e syrit tim ishte bërë e tëra e kuqe - me sa duket është mjaft e zakonshme në rastet e abuzimit në familje ku ka pasur ngufatje”.

Një mik i Siennas e ka konfirmuar se ajo i ka treguar për incidentin në atë kohë. Ai gjithashtu ia ka parë lëndimin e syrit.

Sienna nuk ka shkuar në polici dhe ka thënë se i ka rënë pishman.

BBC-ja ka njohuri për pesë gra në Mbretërinë e Bashkuar që thonë se janë ngufatur nga Tate gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.

Kur Tate është intervistuar në qershor nga BBC-ja, ai e ka mohuar se ka ngufatur ose se ka kryer marrëdhënie seksuale me një grua pa pëlqimin e saj.

“E di se nuk e kam lënduar askënd. Nuk është në natyrën time t’i lëndoj njerëzit”, ka thënë ai.
Në gjysmën e dytë të dekadës së kaluar, Andrew Tate ka filluar ngjitjen drejt famës online.
Videot e mizogjenit të vetëshpallur në YouTube dhe TikTok, si dhe postimet në Twitter, i kanë fituar atij miliona ndjekës dhe një profil të njohur në mbarë botën.

Ai ka predikuar mesazhin që synohej për djemtë dhe të rinjtë se gratë duhet të dominohen.
Në një video, ai ka thënë se gratë janë “dembele” dhe ka shtuar: “Nuk ka asnjë mënyrë që ta dini realitetin dhe të mos jeni seksistë”.

Tate është trajtuar ndryshe nga autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar për efektin që ka pasur në përhapjen e mizogjinisë në internet.

Videot e tij kanë shfaqur gjithashtu stilin e jetës, që ai ka pretenduar se kishte në Rumani. Andrew dhe Tristan Tate mendohet se janë zhvendosur në vend, rreth vitit 2016.

Ata kanë qenë duke e udhëhequr një biznes me uebkamera në Luton, ku gratë bisedonin dhe zhvisheshin online për para.

Rumania ka një nga industritë më të mëdha të uebkamerave në botë, me gjysmë milioni punonjës në sektor. Zhvendosja e vëllezërve atje bëri që biznesi të zhvillohej.

Në një pikë, Andrew Tate ka pretenduar se po fiton rreth 400 mijë funte në muaj nga biznesi me uebkamera dhe se “75 gra kanë punuar për të në momentet kulmore të biznesit”.

Megjithatë, kur ai ka folur me BBC-në vitin e kaluar, ai i ka ulur shifrat dhe mburrjet, duke supozuar se kanë qenë ekzagjerime dhe gënjeshtra.

Biznesi i të rriturve është kryesori për çështjen penale të ngritur kundër tyre në Rumani.

Prokurorët pretendojnë se vëllezërit po i trafikonin gratë në vend – me fjalë të tjera, duke i rekrutuar, duke ua bërë gati transportin dhe duke u siguruar akomodim në Bukuresht për qëllime shfrytëzimi. Dy nga gratë në dosjen penale janë sjellë në Rumani nga Mbretëria e Bashkuar.

Një tjetër grua britanike, që nuk është e përfshirë në asnjë nga procedurat ligjore, ka treguar për eksperiencën e punës për vëllezërit Tate. Kjo është hera e parë që ajo ka folur publikisht.

Daisy ka thënë se në vitin 2017 ajo ka qenë duke u takuar me Tristan Tate në Mbretërinë e Bashkuar, kur ai e ka inkurajuar të punojë për biznesin e vëllezërve me uebkamera në Bukuresht. Ka prova se Tristan ia ka rezervuar fluturimin për në Bukuresht.

Policia rumune jashtë rezidencës së Tate Foto: AP

Daisy ka shkuar me dëshirën e saj, duke e ditur dhe duke pranuar të përfshihej në biznesin e uebkamerave. Ajo ka përshkruar mjedisin kontrollues ku ajo dhe gratë e tjera jetonin dhe punonin së bashku.

“Vajzat i kishin dhomat e tyre, por nuk kishin hapësirë personale. Gjithçka ishte e Tristan dhe Andrew, dhomat, në të cilat punonin vajzat ishin gjithashtu dhomat, në të cilat flinin vëllezërit”, ka thënë ajo.
Ka pasur rregulla të rrepta për të gjitha gratë, ka thënë Daisy, ku të gjitha aspektet e jetës së tyre ishin të monitoruara. 

Ky përshkrim lidhet me atë të modeles rumune të uebkamerave, e cila gjithashtu është intervistuar nga BBC.

“Raluca” ka thënë se ka qenë e punësuar e vëllezërve Tate në vitin 2021. Ajo ka pretenduar se “kontrolli dhe manipulimi” ka luajtur rol primar në modelin e tyre të biznesit.

Shumica e modeleve që punonin për vëllezërit ishin “në lidhje me ta”, sipas Ralucas. Ajo ka shtuar se disa nga gratë janë sjellë nga Mbretëria e Bashkuar.

Prokurorët rumunë kanë thënë se kanë pretendime nga tri gra që përshkruajnë se janë ndier “të kontrolluara” nga vëllezërit. Në dosjen e rastit, disa nga gratë kanë thënë se nuk u është lejuar të dalin nga shtëpia “të vetme”.

Kur Andrew Tate ka folur për BBC-në vitin e kaluar, ai i ka mohuar akuzat e tilla dhe ka pretenduar se gratë kanë punuar për vete. Ai ka thënë se roli i tij ishte vetëm t’u “ndihmonte të gjenin një kameraman”.

Disa ditë pasi ka arritur në Rumani, Daisy ka thënë se ajo është ndarë nga Tristan Tate, por ka pretenduar se kjo nuk e ka ndaluar atë nga përpjekjet për të kryer marrëdhënie seksuale.
“I kam thënë atij, ‘jo’ 10 deri në 15 herë që nuk doja”.

Ai ia ka vendosur duart rreth qafës dhe e ka përdhunuar, ka thënë ajo.

Daisy nuk e ka raportuar në polici.

BBC-ja ka folur me një nga shokët e saj, e cila ka thënë se kur Daisy është rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ishte e mërzitur dhe i ka thënë atij se Tristan Tate e ka detyruar të kryente marrëdhënie me të.

Kur Tristan Tate është pyetur për akuzat ndaj tij, ai nuk ka dhënë koment. 

Telashet legale të vëllezërve Tate janë përkeqësuar këtë vit.

Përveç akuzave ekzistuese në Rumani, dhe hetimit të ri të lajmëruar muajin e kaluar, ata ballafaqohen edhe me një numër të kërcënimeve të tjera ligjore.

Në Mbretërinë e Bashkuar, policia e Bedfordshire ka filluar procedurat e ekstradimit ndaj dy vëllezërve nën akuzat e përdhunimit dhe trafikimit njerëzor, që datojnë që nga viti 2012-2015. Asnjë nga këto nuk ka lidhje me gratë e intervistuara nga BBC-ja.

Dhe në një rast civil në Britani, një gjykatës pritet të vendosë muajin e ardhshëm nëse vëllezërit Tate kanë borxh miliona taksa të papaguara ndaj bizneseve të tyre në internet.

Sienna dhe Anna janë duke e paditur Andrew Tate, dhe rasti i tyre pritet të mbahet në Gjykatën e Lartë të Londrës. Së bashku me dy gra të tjera, ato e akuzojnë atë për përdhunim dhe sulm seksual. Ai synon t’i kundërshtojë pretendimet.

Kur është pyetur për pretendimet, Andrew Tate ka refuzuar të komentojë.

“Mezi pres të dalë e vërteta. Mezi pres që të dalë e vërteta që Andrew Tate nuk është fajtor, sepse nuk kam bërë kurrë diçka të gabuar”, ka thënë Tate për BBC-në vitin e kaluar.