Botë

Duterte mburrej se po vret kriminelë, tash po akuzohet për krime kundër njerëzimit

Rodrigo Duterte

Ish-presidenti filipinas Rodrigo Duterte është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Manilas të martën, bazuar në fletarrestimin e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Duterte ishte akuzuar për krime kundër njerëzimit, për shkak se gjatë kohës sa ishte president i Filipineve (2016-2022) kishte filluar një fushatë vdekjeprurëse të luftës kundër drogës, nga e cila mbetën të vdekur civilë të pafajshëm. Menjëherë pas arrestimit, ai është transferuar drejt selisë së GJNP-së në Hagë të Holandës

Një lider i zgjedhur, i njohur me pseudonimin “ndëshkuesi”, është dërguar në Hagë që të ballafaqohet me akuzat për krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet se i ka shkaktuar gjatë luftës brutale kundër drogës. Është një kthim i papritur i fatit për politikanin që dikur mburrej haptazi për vrasjen e njerëzve dhe vendosjen e kundërshtarëve në lista.

Rodrigo Duterte udhëhoqi me Filipine për gjashtë vjet, kohë gjatë së cilës ai mori vendim për të filluar luftë brutale kundër drogës, haptazi kanosi kritikët e tij me vdekje dhe sulmoi verbalisht një grup të liderëve botërorë, nga papa e deri te presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama.

Një ish-prokuror, kongresist dhe kryebashkiak, Duterte ndërtoi reputacionin e tij në qytetin jugor filipinas të Davaos. Ai u bë president në vitin 2016 mbi një premtim popullist e popullor për ta filluar luftën kundër drogës dhe kundër trafikantëve në mbarë vendin. 

“Të gjithë ju që merreni me drogë, ju bij k..., unë do t’ju vrasë”, kishte thënë Duterte para një turme të madhe gjatë njërit prej fjalimeve të tij karakteristike në fushatën zgjedhore të vitit 2016. 

“Unë nuk kam durim, unë jam i pakompromis. Ose ju më vrisni ose unë do t’ju vras”.

Pasi mori pushtetin, ai themeloi atë që grupet e të drejtave të njeriut i quajnë “grupe të vdekjes”, në mënyrë që të shfaroste trafikantët e drogës – me shumicën e viktimave që ishin djem të rinj nga qyteza të varfra, të cilët u gjuajtën nga policia dhe vrasës të jashtëligjshëm si pjesë e fushatës që synonte trafikantët e drogës.

Të dhënat e policisë tregojnë se 6,000 persona ishin vrarë. Disa grupe të të drejtave të njeriut konstatojnë se shkalla e vdekjes shkon deri në 30,000 persona, me civilë të pafajshëm dhe dëshmitarë që u kapën në mes të shkëmbimeve të zjarrit. 

Presidenca gjakatare e Dutertes përfundoi në vitin 2022. Tri vjet më vonë, vetëm 8 policë u dënuan për 5 të vrarë gjatë luftës kundër drogës, sipas dokumenteve të gjykatës.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pati filluar një hetim mbi pretendimet për “krime kundër njerëzimit” të kryera nga Duterte në kohën sa ishte lider shtetëror dhe njëkohësisht kryebashkiak i Davaos.

Duterte ka mohuar akuzat për abuzim me të drejtat e njeriut për një kohë të gjatë, dhe ka pretenduar se çështja e drogës është një çështje që duhet trajtuar nga organet e rendit. Ai ka përsëritur vazhdimisht se nuk do të gjunjëzohet para juridiksionit ndërkombëtar dhe ka tallur GJNP-në, duke iu bërë thirrje prokurorëve që të “nguten” dhe ta arrestojnë. 

Dy ditë para arrestimit, ai goditi GJNP-në në njërin prej fjalimeve të tij të zjarrta para mbështetësve në Hong-Kong.

“Prej informatave të mia, ka një fletarrestim për mua...prej GJNP-së...ata bij k... janë duke më ndjekur për një kohë të gjatë. Çfarë të keqe kam bërë?” - ka thënë ai.

Arrestimi i papritur

Mirëpo situata ndryshoi krejt papritmazi. Autoritetet po e prisnin Duterten derisa ai po kthehej nga Hong-Kongu, dhe e arrestuan atë në aeroportin e Manilës, duke prodhuar skena kaotike.

Kur lajmet dolën, shumë njerëz mbetën të shokuar.

Disa u mblodhën në kishat e vendit me shumicë katolike për të marrë pjesë në meshën e papritur për të nderuar mijëra viktimat e luftës së Dutertes kundër drogës, duke e parë arrestimin e ish-presidentit si hapin e parë për drejtësi.

Dhe pak para mesnatës, Duterte u kthye në aeroplan – kësaj radhe në drejtim të Holandës, në atë që duket si fundi befasues i një periudhe të turbullt dhe të dhunshme në krye të politikës së Filipineve.

Pse tani?

Arrestimi i tij, sipas të gjitha gjasave ka të bëjë më tepër me pozicionimin e gabuar të Dutertes në mosmarrëveshjet ndërmjet dy familjeve me profil të lartë në Filipine, sesa me autoritetin e GJNP-së, e cila nuk mund të kryejë arrestimet e vetme. Si rrjedhojë GJNP-së i duhet bashkëpunimi me qeveritë shtetërore për të zbatuar fletarrestimet.

Klani i Dutertes ishte paraprakisht në aleancë me dinastinë politike të familjes Marcos, me vajzën e tij Sara Duterte-Carpio që po shërben si zëvendëspresidente aktuale e Filipineve, nën drejtimin e Ferdinand Marcos Jr.

Por në muajt e fundit, aleanca kolapsoi dhe denigroi në përplasje verbale.

Në tetor, Duterte-Carpio kishte paraqitur një listë ankesash kundër presidentit në një konferencë shtypi të transmetuar drejtpërsëdrejti për dy orë, duke thënë se “do të doja t’ia prisja kokën”.

Më pastaj, ajo kishte thënë në një konferencë për media më 23 nëntor se kishte kontraktuar një vrasës me pagesë për ta vrarë Marcosin, gruan e tij dhe kryeparlamentarin Romualdez në rast se ajo do të vritej - kërcënim i cili sipas saj nuk është shaka.

Marcosi ka thënë se Filipinet do të “shkëputeshin” nga çdo kontakt me GJNP-në, sepse Manila zyrtare nuk e njeh autoritetin e gjykatës ndërkombëtare mbi çështjet e sovranitetit kombëtar.
E kjo erdhi si pasojë e vendimit të mëhershëm të Dutertes për t’i tërhequr Filipinet nga GJNP-ja në vitin 2019.

Sidoqoftë, në kuadër të mekanizmit të tërheqjes, gjykata e ruan juridiksionin mbi krimet e kryera gjatë periudhës sa një shtet ka qenë anëtar.

Por, presidenti Marcos ka thënë se është i obliguar të zbatojë kërkesën e INTERPOL-it për arrestimin e Dutertes.

“Interpoli kërkoi ndihmën tonë, dhe ne pranuam sepse kemi obligime ndaj Interpolit, të cilave duhet t’i përmbahemi. Nëse nuk e bëjmë këtë, ata nuk do të na ndihmojnë me raste të tjera që përfshijnë të arratisurit nga Filipinet jashtë vendit”, ka thënë Macros para mediave në orët e vona të mbrëmjes, pak momente pasi që aeroplani në të cilin ndodhej Duterte u nis.

Çfarë vjen pas kësaj?

Carlos Conde, hulumtues filipinas në organizatën prestigjioze “Human Rights Watch” (HRW) ka thënë se arrestimi dhe largimi i Dutertes ishte “befasi e këndshme”, që i ka zënë plot njerëz të papërgatitur.
“Viktimat e luftës kundër drogës – me mijëra viktima – pak a shumë i kanë humbur shpresat në llogaridhënien e mekanizmave të brendshëm në Filipine. Kështu që, ata po mbanin shpresa në Gjykatën Ndërkombëtare Penale”, ka thënë ai për CNN-in.

Fituesja e çmimit Nobel, Maria Ressa, i ka thënë CNN-it se arrestimi i Dutertes shënon moment vendimtar për vendin dhe sinjalizon se vitet e pandëshkueshmërisë kanë përfunduar.

“Është historike për Filipinet, është hera e parë që një president filipinas arrestohet për krime kundër njerëzimit. Arrestimi i udhëhequr nga INTERPOLI i dha fund periudhës së pandëshkueshmërisë nën presidentin Duterte, i cili po shkon tani në Hagë”, ka thënë Ressa. 

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Aurora Parong, ka deklaruar për CNN-in se shumë aktivistë dhe familjarë të viktimave nga lufta kundër drogës kanë përjetuar një ndjenjë të çlirimit pasi dëgjuan se Duterte ishte arrestuar.

“Por ka ndjenja të përziera të lumturisë e shpresës dhe ankthit sepse nuk e dimë se cili do të jetë fundi. A do të ketë me të vërtetë llogaridhënie?” - ka thënë Parong.

Ajo paralajmëroi po ashtu se do të ishte një rrugë jashtëzakonisht e gjatë për drejtësi.

“Kërkon kohë. Do të duhen vite derisa të arrijë verdikti prej Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Pritja është me të vërtetë e vështirë për viktimat dhe familjet e viktimave të luftës së përgjakshme kundër drogës”, ka shtuar ajo.

Çka është GJNP-ja?

Me seli në Hagë të Holandës, Gjykata Ndërkombëtare Penale heton dhe dënon individë të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krime të agresionit mbi territorin e ndonjë vendi anëtar të gjykatës. Gjykatën e përbëjnë 125 vende anëtare.

Arrestimi dhe transferimi i Dutertes është fitore e jashtëzakonshme për trupin gjyqësor ndërkombëtar. Gjykata nuk mund t’i kryejë arrestimet e vetme dhe varet drejtpërsëdrejti nga bashkëpunimi me qeveritë kombëtare për të zbatuar fletarrestimet – me bashkëpunimin që zakonisht varet nga politikat e brendshme dhe vullneti politik.

Shumë persona në listën e të kërkuarve mbeten ende të lirë, të pacenuar nga akuzat serioze që janë ngritur kundër tyre.

Gjykata është sulmuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se ka lëshuar fletarrestim për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nën akuzat për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në relacion me veprimet ushtarake të ushtrisë së Izraelit në Gazë, që erdhën si pasojë e sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas.

Njëkohësisht, GJNP-ja ka lëshuar fletarrestim edhe për liderët e Hamasit, duke përfshirë Yahya Sinwarin, i cili më vonë u vra nga përplasjet me ushtrinë izraelite.

As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk janë anëtare të GJNP-së.

Gjykata ka lëshuar gjithashtu fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës, megjithëse shihet si e pamundur që urdhri të zbatohet së shpejti. Putin udhëtoi në Mongoli, një anëtare e GJNP-së, vitin e kaluar, por nuk u arrestua.