LAJMI I PËRDITËSUAR - “Operacioni Premtimi i Vërtetë” i Iranit ka rezultuar me nisjen e dronëve drejt Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për sulmin e pretenduar izraelit në konsullatën iraniane në Damask. Në orët e para të së dielës, zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se disa prej dronëve janë ndaluar. Irani ka thënë se tani “çështja mund të konsiderohet e mbyllur”, por ka kërcënuar Izraelin që “të mos bëjë tjetër gabim, pasi përgjigja do të jetë dukshëm më e ashpër”
Edhe mbrojtja ajrore e Izraelit ka ndalur disa sulme të dronëve iranianë mbi Jerusalem. Sirena e shpërthime në qiell janë dëgjuar në orët e para të së dielës në Jerusalem.
Irani ka thënë se sulmi i tij mbi Izraelin është përgjigje për sulmin e pretenduar izraelit në konsullatën e Iranit në Damask dhe se tani “çështja mund të konsiderohet e mbyllur”.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në New York ka thënë të dielën herët se sulmi ishte “përgjigje ndaj agresionit izraelit ndaj diplomacisë sonë në Damask”.
Sistemet e mbrojtjes ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme kanë ndaluar disa dronë iranianë, sipas dy zyrtarëve amerikanë.
Burimet nuk kanë specifikuar se si i ka penguar SHBA-ja dronët dhe se ku, shkruan CNN-i.
Irani ka nisur sulme me dronë dhe raketa lundruese drejt Izraelit, kanë thënë të shtunën në mbrëmje Forca e Mbrojtjes e Izraelit si dhe zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti si dhe është konfirmuar nga Garda Revolucionare Iraniane.
Televizioni izraelit Channel 12, ka thënë se pret që dronët t’i afrohen Izraelit në orët e para të së dielës, sipas kohës lokale.
Ushtria ka thënë se forcat janë në dispozicion duke përcjellë gjithçka. Ndërkaq një zyrtar amerikan, në kushte anonimiteti, ka thënë për Associated Press se Irani ka lëshuar dronët. E zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Adrienne Watson, ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, është duke u njoftuar për situatën çdo minutë nga ekipi i tij. Ajo ka thënë se SHBA-ja është në kontakt të vazhdueshëm me Izraelin. Ka përsëritur qëndrimin e Bidenit se SHBA-ja qëndron krah sigurisë së Izraelit.
“Presidenti Biden ka qenë i qartë: Përkrahja jonë për sigurinë e Izraelit është e hekurt. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me popullin e Izraelit dhe përkrahin mbrojtjen e tij kundër kërcënimeve nga Irani”, ka thënë ajo.
Ndërsa në një njoftim të shkurtër të Gardës Revolucionare Iraniane është thënë shkurtër se janë nisur “dronët e raketat” në drejtim të territorit izraelit. Irani e quan sulmin “Operacioni Premtimi i Vërtetë”.
Izraeli ka qenë në alarm që kur një sulm javën e shkuar vrau dy gjeneralë iranianë në Siri. Irani e ka akuzuar Izraelin se qëndron prapa sulmit dhe është zotuar për hakmarrje. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Pas njoftimit për lëshimin e dronëve nga Irani, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se sistemet e mbrojtjes së Izraelit janë në nivel gatishmërie.
“Jemi të gatshëm për çfarëdo skenari, si në mbrojtje si në ofensivë. Shteti i Izraelit është i fortë. IDF-ja (Ushtria) është e fortë. E vlerësojmë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës krah Izraelit, si dhe përkrahjen e Britanisë, Francës e shteteve të tjera”, ka thënë ai.
“Jemi të vendosur në parim të qartë: Kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë”, ka thënë Netanyahu.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë kanë thënë se shteti planifikon që t’i ndalë dronët ende pa arritur në qiellin mbi Izrael.
Dronët besohet se janë nisur drejt Izraelit vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, është kthyer në Washington “për t’u konsultuar me ekipin e sigurisë kombëtare për zhvillimet në Lindje të Mesme”, lidhur me tensionet e larta mes Izraelit dhe Iranit. Biden ishte planifikuar të kalonte fundjavën në Delaware, mirëpo të shtunën pasdite është kthyer pas një njoftimi të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë.
Bideni ka thënë të premten se pret një sulm iranian ndaj Izraelit së shpejti, ndonëse e ka paralajmëruar Teheranin të mos veprojë ashtu. Më herët gjatë së shtunës, paramilitarët e Gardës Revolucionare të Iranit e kanë konfiskuar një anije të lidhur me Izraelin në Ngushticën e Hormuzit. Operatori i anijes, grupi italiano-zviceran MSC, ka konfirmuar se autoritetet iraniane kanë fituar qasje në anije përmes helikopterit. Shtëpia e Bardhë e ka dënuar kapjen e anijes që është nën pronësi britanike.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka biseduar të shtunën me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, për të diskutuar për kërcënimet urgjente rajonale në Lindje të Mesme dhe ka përsëritur mbështetjen e palëkundur amerikane për mbrojtjen izraelite, sipas Pentagonit.
Distanca nga Irani në Izrael është 1800 kilometra.
Edhe rajoni në Lindjen e Mesme është alarmuar. Jordania ka shpallur gjendjen emergjente pas nisjes së dronëve nga Irani në drejtim të Izraelit, ka raportuar “Reuters”. Libani e Iraku kanë mbyllur hapësirën ajrore.
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit në disa raste, prej nisjes së luftës Izrael-Hamas, në tetor të vitit të kaluar. Më 7 tetor, Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1200 njerëz. Si pasojë e ofensivës së Izraelit kundër Hamasit në Gazë janë vrarë më shumë se 33.600 palestinezë, shumica gra e fëmijë. Irani është konsideruar si mbështetës i Hamasit dhe disa grupeve tjera luftarake në rajon, përfshirë Hezbollahun në Liban, të cilat kryejnë sulme të shpeshta kundër izraelitëve.