Londër, 2 dhjetor (CNN) – Një grup mjekësh të vijës së parë të veprimit, skajshmërisht të rraskapitur, rrinin strukur bashkërisht gjatë një videkonference, teksa njeriu më i pushtetshëm i Kinës ngre dorën lart për t’i përshëndetur. Është 10 shkurti në Pekin dhe presidenti Xi Jinping, i cili prej javësh kishte munguar në sytë e publikut, po i adresohet stafit të spitalit në qytetin e Wuhanit, derisa ai po luftonte për ta frenuar përhapjen e koronavirusit të ri ende jozyrtarisht të emërtuar.
Nga dhoma e sigurt mbi 1.200 kilometra larg epiqendrës, Xi u shprehu keqardhjen për të vdekurit nga sëmundja. Kërkoi komunikim më të gjerë publik, meqë bota përreth po bëhej përherë më e shqetësuar rreth kërcënimit potencial të dergjës së re.
Po atë ditë autoritetet kineze raportuan për 2.478 raste të reja të konfirmuara – duke e çuar totalin global në më shumë se 40 mijë, me më pak se 400 raste jashtë Kinës. Por CNN-i mëson se dokumentet zyrtare që qarkuan brenda vendit e shpërfaqnin vetëm njërën anë të medaljes.
Dështime, gabime e jotransparencë
Në një raport të shënjuar si “dokument i brendshëm, ju lutemi mbajeni konfidencial”, autoritetet lokale shëndetësore në krahinën Hubei, ku virusi u detektua për herë të parë, një listë prej gjithsej 5.918 rasteve të reja, detektuar më 10 shkurt, ishin më se dyfishi i shifrës zyrtare dhënë për publikun. Kjo shifër e lartë asokohe nuk qe zbuluar, pasi që sistemi i llogaritjes i Kinës, në tollovinë e javëve të hershme të pandemisë dukej se po e minimizonte peshën e shpërthimit. Shifrat e papublikuara më herët shpalosen në dosjet prej 117 faqesh të rrjedhura nga Qendra krahinore e Hubeit për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Krejt në total, dokumentet përbëjnë rrjedhën më të rëndësishme nga brendia e Kinës qëkur pandemia filloi, dhe ato e ofrojnë një pasqyrë të parë më të qartë se çfarë dhe kur dinin autoritetet lokale.
Qeveria kineze i hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverive perëndimore se i ka fshehur qëllimshëm informatat rreth virusit.
Sidoqoftë, ani pse dokumentet nuk ofrojnë dëshmi për tentimet e qëllimshme të ngatërrimit të gjetjeve, ato po e zbardhin paqëndrueshmërinë e shpeshtë për atë çfarë autoritetet besonin se po ndodhte dhe çfarë po i zbulonin publikut.
Dokumentet, të cilat e mbulojnë tetorin 2019-s deri në prillin e këtij viti zbulojnë atë që duket të jetë një sistem shëndetësor i papërkulshëm dhe i mbytur fund e krye në burokraci, e pa pajisjet e duhura për luftimin e një krize në ardhje. Në disa momente kritike të fazës së hershme të pandemisë, dokumentet e CNN-it i shpërfaqin veprimet qartësisht të gabueshme dhe dështimet e njëpasnjëshme institucionale.
Një prej tyre është procesi i ngadaltë i diagnostikimit të pacientëve lokalë me COVID-19.
Megjithëkëtë, Kina ka mbrojtur me vendosmëri mënyrën e saj të menaxhimit me gjendjen. Në një konferencë për media të 7 qershorit, Këshilli shtetëror i Kinës publikoi një Dokument të Bardhë, duke pretenduar se Qeveria i ka publikuar të dhënat lidhur me epideminë “me kohë, në mënyrë të hapur dhe transparente”.
CNN-i u është drejtuar Ministrisë së Jashtme, Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, si dhe Komisionit Shëndetësor të krahinës Hubei, por nuk ka marrë përgjigje. Ekspertët shëndetësorë pretendojnë se dokumentet tregojnë qartë pse ajo që Kina dinte në muajt e hershëm ishte tepër e rëndësishme të dihej nga të tjerët.
“Është e qartë se kanë bërë gabime – dhe jo vetëm gabime që ndodhin kur keni të bëni me një koronavirus të ri – por edhe lëshime burokratike e politikisht të motivuara, në menaxhim”, ka thënë Yanzhong Huang, anëtar për shëndetin global në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë. “Gabime të pasojave globale. Kurrë nuk mund të garantoni 100 për qind transparencë. Por edhe sikur të ishin 100 për qind transparentë, kjo gjë nuk do ta ndalonte pandeminë”.
Vërtetësia e dokumenteve
Të martën e 1 dhjetorit u shënua njëvjetori i shfaqjes së pacientit të parë me simptoma të sëmundjes në kryeqytetin e Hubeit, Wuhan, thuhet në një studim të revistës “Lancet”.
Në të njëjtën kohë kur virusi besohet të jetë shfaqur, dokumentet tregojnë se një tjetër krizë shëndetësore po shpërfaqej: Hubei po përballej me shpërthim serioz të gripit. Ai ndikoi që rastet të rriten 20 fish prej nivelit të një viti më herët.
“Epidemia e gripit”, siç zyrtarët cekën në dokument, “jo vetëm se ishte e pranishme në Wuhan gjatë dhjetorit, por ishte më e madhe në qytetet Yichang dhe Xianning”. Mbetet e paqartë se çfarë ndikimi apo lidhjeje kishte grupi me shpërthimin e COVID-19. Dhe derisa nuk ka sugjerime në dokument se dy krizat paralele ishin të lidhura, nuk ka as informatat lidhur me magnitudën e shpërthimit të gripit të Hubei.
Zbulimet e rrjedhura shërbejnë si mjet presioni nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian ndaj Kinës, për të bashkëpunuar plotësisht me hetimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth origjinës së virusit, i cili që atëherë është përhapur në çdo cep të globit, duke infektuar më shumë se 60 milionë persona dhe duke lënë mbi 1.46 milionë të vdekur.
Por deri më tani qasja për ekspertët ndërkombëtarë në të dhënat shëndetësore të spitaleve dhe ato të përgjithshme në Hubei është kufizuar, teksa OBSH-ja ka bërë të ditur javën e shkuar se ka marrë “garanci nga kolegët e qeverisë kineze se udhëtimi në terren” do të lejohet si pjesë e hetimeve.
Dokumentet i janë prezantuar CNN-it nga një sinjalizues, i cili ka kërkuar anonimitet. Aty pretendohet se ato janë përpiluar përbrenda sistemit shëndetësor kinez dhe ishin përpjekje për ekspozimin e së vërtetës së censuruar. Nuk dihet saktë se si janë siguruar dokumentet apo pse janë seleksionuar dokumentet specifike.
Mirëpo ato janë verifikuar nga gjashtë ekspertë të pavarur, të cilët e ekzaminuan vërtetësinë e përmbajtjeve të tyre në emër të CNN-it. Një ekspert me lidhje të afërta me Kinën ka raportuar t’i ketë parë disa raporte gjatë kërkimit konfidencial, në fillim të këtij viti. Një zyrtar i sigurisë evropiane, me njohuri për dokumentet dhe procedurat kineze, ka konfirmuar për CNN se dosjet janë të vërteta.
Dosjet përmbajnë emrat e zyrtarëve në detyrë në CDC si modifikues dhe autor të dokumenteve.
Sarah Morris, nga Njësia e Forenzikës Digjitale në Universitetin britanik të Cranfieldit, ka thënë se në dosje nuk ka dëshmi se të dhënat janë ngatërruar. Ajo ka shtuar se dosjet më të vjetra dukej se ishin përdorur vazhdimisht brenda një periudhe të gjatë kohore.
Më shumë optimizëm sesa realitet
Dokumentet zbulojnë një gamë të gjerë të dhënash gjatë dy ditëve specifike, më 10 shkurt dhe 7 mars, të cilat ishin në përplasje me ato që zyrtarët asokohe thanë publikisht. Diskrepanca dukej të ishte një gërshetim i sistemit thellësisht jofunksional të raportimit dhe instinktit momental për të shtypur lajmet e këqija, kanë bërë të ditur analistët. Këto dokumente e shpërfaqin shtrirjen e gjerë të dijenisë së zyrtarëve, të cilët kanë zgjedhur të mos flasin publikisht.
Më 10 shkurt, kur Kina raportoi 2.478 raste të reja në shkallë vendi, dokumentet treguan se Hubei faktikisht kishte qarkuar një bilanc të ndryshëm me 5.918 raste të reja. Numri i brendshëm ishte veçuar në nënkategori, duke ofruar një shikim më të gjerë në shtrirjen e plotë të metodologjisë së atëhershme të diagnozës në Hubei.
Numri i “rasteve të konfirmuara është 2.345, “i rasteve klinikisht të konfirmuara” 1.772 dhe i “rasteve të dyshuara” 1.796.
Kriteri strikt dhe i kufizuar shpiu drejt shifrave çorientuese, kanë thënë analistët.
“Shumë prej rasteve të dyshuara aty do të duhej të përfshiheshin tek rastet e konfirmuara”, ka thënë Huang, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, i cili ka rishikuar dokumentet dhe ka konstatuar të jenë autentike. “Ata ishin të kujdesshëm kur i jepnin numrat dhe kjo reflekton se sa ngatërruese, komplekse dhe kaotike ishte situata”, ka shtuar ai.
Atë muaj zyrtarët në Hubei e paraqitën numrin ditor të “rasteve të konfirmuara” dhe e përfshinë në të më vonë shifrën e “rasteve të dyshuara”, pa e specifikuar bilancin e pacientëve të sëmurë rëndë që ishin diagnostikuar nga mjekët si “klinikisht të diagnostikuar”. Shpeshherë në shifrat mbarëkombëtare zyrtarët i paraqisnin rastet e reja “të konfirmuara” ditore dhe e jepnin bilancin e përgjithshëm të “rasteve të dyshuara”. Dhe kjo mënyrë e komunikimit të rasteve e minimizoi peshën e rëndë të sëmundjes së pacientëve që mjekët i kishin kontrolluar dhe diagnostikuar si të infektuar, sipas kriterit strikt, kanë thënë ekspertët.
(Vijon)
