Njëra prej pjesëtarëve të trupit gjykues në rastin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trumo, ka dhënë dorëheqje të enjten, pasi ka thënë se ndihej e frikësuar sepse pjesë të identitetit të saj ishin bërë publike, raporton Reuters.
Juristja ka deklaruar se familja, miqtë dhe kolegët kishin kontaktuar me të pasi kishin konstatuar përmes raporteve të shtypit se ajo ishte pjesë e jurisë.
“Unë nuk besoj se në këtë pikë do të mund të jem e drejtë dhe e paanshme”, është shprehur juristja, e cila ishte një nga shtatë anëtarët e përzgjedhur të trupit gjykues.
Tani kanë mbetur gjashtë anëtarë të trupit gjykues në rastin gjyqësor kundër Trumpit dhe nevojiten edhe 11 të tjerë për të shërbyer në panelin që do të marrë vendim mbi rastin.
Të enjten do të vazhdojë përzgjedhja e anëtarëve të trupit gjykues, të cilët do të vendosin mbi fatin e Trumpit.
Trumpi është deklaruar i pafajshëm në vazhdimësi për 34 akuzat që rëndojnë mbi të lidhur me falsifikimin e të dhënave të biznesit.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattanit pretendon se Trumpi e udhëzoi ish-avokatin e tij, Michael Cohen, që ta paguante aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, me 130 mijë dollarë në këmbim të heshtjes në lidhje me marrëdhëniet e dyshuara seksuale që ish-presidenti mohon se kishin ndodhur.
Ky rast është vetëm një nga katër çështjet penale me të cilat përballet ai. Por mund të jetë i vetmi me të cilin Trumpi do të përballet përpara zgjedhjeve presidenciale të 2024-s, raporton BBC.
Nëse dënohet, Trumpi do të jetë kandidati i parë nga partitë kryesore që do të garojë për president në cilësinë e një të dënuari. Asnjë ligj nuk e ndalon që ta bëjë këtë.