Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ukrainë, Bridget Brink, është dorëhequr nga posti i saj pasi afro tri vjetësh në Kiev, në mes të pasigurive mbi përpjekjet e administratës së Trumpit për të arritur një marrëveshje paqeje për të përfunduar luftën Rusi-Ukrainë, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Departamenti i Shtetit të enjten tha se Bridget Brink do të largohet nga posti i saj në të ardhmen e afërt, edhe pse nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të largohet. Brink e ka marrë postin nën administratën e ish-presidentit Joe Biden dhe ka qenë avokuese e vendosur e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën.
Dorëheqja e saj është pritur, sidomos duke marrë parasysh ndryshimin e qasjes së administratës amerikane ndaj Rusisë dhe përfundimit të luftës.
“Ambasadorja Brink është dorëhequr. Ajo ka qenë ambasadore në Kiev për tri vjet – kjo është kohë e gjatë në zonë lufte. Dhe lufta ka zgjatur shumë”, kanë deklaruar nga Departamenti Shtetit. “Problemi i vërtetë është nëse rusët dhe ukrainasit janë të gatshëm për të bërë çfarë është e nevojshme për të ndaluar luftën”.