Botë

Donald Trump: Rikthimi i pazakontë

Donald Trump

Në verën e vitit 1946, në Queens të Nju-Jorkut, u lind Donald Trump, tash  kandidati republikan për t’u rikthyer si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një larmi e profesioneve të ndryshme e ka përcjellë që nga fëmijëria e deri te mosha 78-vjeçare.
Puna e parë që do t’i krijonte një jetë fitimprurëse ishte në vitin 1968. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Pensilvanisë iu bashkua kompanisë së babait të tij që merrej me pasuri të paluajtshme.
Në vitet 1970-80, Trump zgjeroi biznesin duke blerë prona jashtë qytetit të Nju-Jorkut dhe duke ndërtuar kompleksin e apartamenteve 36-katëshe të quajtur “Trump Plaza”.

Përveç profilit afarist, Trumpi u sfidua gjatë jetës edhe në të tjera fusha. 

Ai njihet edhe si autor i disa librave e po ashtu ishte edhe pjesë e ekranit televiziv. Për 11 vjet rresht ai drejtoi dhe prodhoi shfaqjen e njohur televizive “The Apprentice”.

Prej vitit 1996 deri më 2015 ishte drejtor i konkurseve të bukurisë “Miss USA”, “Miss Teen USA” dhe “Miss Universe”.

E derisa organizonte gara të bukurisë, Trumpi i hyri një gare edhe më sfiduese – asaj të politikës.
Më 16 qershor 2015, ai shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, derisa pranoi nominimin republikan në korrik të 2016-s. 

Me këtë konkurs, Trumpi u tregua pishman për një deklarim të tij të vitit 1980. Në një intervistë atëkohë, ai e përshkruante politikën si një jetë shumë të keqe dhe thoshte se njerëzit e aftë zgjedhin botën e biznesit në vend të politikës. 

Më 8 nëntor të vitit 2016, Trumpi u zgjodh presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke fituar garën ndaj kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Zgjedhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë solli drama të shumta për demokracinë amerikane. 
Por, një mandat 4-vjeçar nuk i mjaftoi Trumpit, ambiciet e të cilit u shtuan në politikë duke synuar edhe një mandat tjetër. 

Pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar si president, në verën e 2020-ës, Trumpi rishpalli kandidaturën dhe do ta sfidonte Joe Bidenin, kandidatin e demokratëve që arriti ta fitonte garën ndaj Trumpit.
Por rezultati i atyre zgjedhjeve nuk ishte kapërdirë lehtë nga republikani, që insistonte se zgjedhjet janë vjedhur dhe e kontestonte rezultatin. 

Trumpi kështu bëri thirrje për protesta në mënyrë që të pengohej certifikimi i Bidenit gjatë seancës së Kongresit. 

Si pasojë e tyre më 6 janar 2021, Capitoli u sulmua nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump. Katër persona mbetën të vdekur, ndërsa mbi 50 persona ishin arrestuar.

E 2 vjet pas, më 2 gusht 2023, ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara ishte ngritur aktakuzë për komplot për mohim të disfatës elektorale të vitit 2020.

Kjo s’është përballja e vetme e Trumpit me drejtësinë. Më 30 maj 2024, ai u bë presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale. Ish-presidenti u shpall fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesorë për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të. 
E, përkundër telasheve me sistemin e drejtësisë, Partia Republikane ia ka besuar postin e kandidatit për president sërish në garën e 5 nëntorit.

Trumpi e nisi garën me Bidenin, por pasi e mposhti në debat ai u tërhoq dhe tani ish-presidenti përballet me zëvendëspresidenten aktuale, Kamala Harris.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump - Kamala Harris

S’ka befasi në bastione, shtetet e papërcaktuara pritet ta vonojnë procesin