Zyrtarët evropianë dhe ukrainas këtë javë kanë refuzuar disa propozime të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë se si të përfundojnë luftën e Rusisë në Ukrainë, duke bërë kundërpropozime në çështje nga territori deri te sanksionet, sipas dokumenteve të propozimeve, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Propozimet nga bisedimet në mes zyrtarëve SHBA-së, evropianë dhe ukrainas më 17 prill në Paris dhe më 23 prill në Londër, nxorën në pah punët e brendshme të “shuttle diplomacy” të presidentit amerikan, Donald Trump, që synon të arrijë fund të shpejtë të luftës.
Dallimet më të mëdha në dy dokumentet janë mbi zgjidhjen e çështjes së territorit, largimin e sanksioneve ndaj Rusisë, garancione të sigurisë dhe madhësinë e ushtrisë ukrainase.
Dokumenti i parë thotë se “kushtet përfaqësojnë ofertën finale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj të dy palëve”. Përmban propozimet të vendosura nga i dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff ndaj zyrtarëve evropianë në Paris që i janë kaluar palës ukrainase, sipas disa burimeve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka përshkruar propozimet si “korniza e gjerë” për të identifikuar dallimet në mes palëve, edhe pse zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance më vonë ka thënë se SHBA-ja ka dhënë propozim të qartë për të dy palët dhe ishte koha të pranojnë apo Washingtoni do të tërhiqej.
Dokumenti i dytë u publikua këtë javë, nga bisedimet në mes zyrtarëve evropianë dhe ukrainas në Londër dhe i cili i është dhënë palës amerikane.
Të premten Wtikoff ka arritur në Moskë për bisedime dhe është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Diplomacia është përpjekja më e bashkërenditur për të ndaluar luftimet që nga muajt e parë të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të 2022-tës. Forcat ruse tani kontrollojnë pothuajse një të pestën e Ukrainës.
Në kontrast, dokumentet evropiane dhe ukrainase shtyjnë diskutimin e detajuar rreth territorit derisa të arrihet armëpushimi, duke mos përmendur në dokument njohën e kontrollit rus mbi asnjë territor të Ukrainës.
Tensionet mbi çështjen e Krimesë janë rritur këtë javë, kur Trumpi kritikoi Zelenskyn pasi lideri ukrainas përsëriti se Kievi nuk do të njohë gadishullin si rus.
Trumpi ka thënë në një intervistë për revistën Time të publikuar të premten se “Krimea do të qëndrojë me Rusinë” dhe se “nuk mendoj se (Ukraina) mund të hyjë ndonjëherë në NATO”.
Mbi garantimet afatgjate të sigurisë të Ukrainës, dokumenti i Witkoffit thotë se Ukraina do të ketë “garancione të forta të sigurisë” me shtetet evropiane dhe shtetet tjera miqësore që do të reagojnë si garantues. Nuk jep më shumë detaje rreth kësaj, por thotë se Kievi nuk do të synojë të hyjë në NATO.
Dokumenti i dytë është më specifik, duke theksuar se nuk do të ketë limit për forcat ukrainase dhe nuk do të ketë ndalesa mbi stacionimin e forcave aleate të Ukrainës në territorin ukrainas – një provizion që me shumë gjasë që do të irritojë Moskën.
Propozon garantime të forta të sigurisë për Kievin duke përfshirë nga SHBA-ja me një marrëveshje “sikur artikulli 5”, një referencë e klauzolës së mbrojtjes së përbashkët të NATO-s.
Në masat ekonomike, propozimi i Witkoffit thotë se sanksionet e vendosura mbi Rusinë që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 do të largohen si pjesë e marrëveshjes që po diskutohet.
Kundërpropozimi thotë se “sanksionet e vendosura nga SHBA-ja mbi Rusinë që nga viti 2014 mund të jenë subjekt i lehtësimit gradual pasi të jetë arritur një paqe domethënëse” dhe ato mund të rivendosen nëse Rusia i thyen kushtet e marrëveshjes së paqes.
Dokumentet evropiane dhe ukrainase po ashtu propozojnë që Ukraina të pranojë kompensim për dëmin e shkaktuar, nga asetet e ngrira ruse jashtë vendit. Teksti i Witkoffit thotë vetëm se Ukraina do të kompensohet financiarisht, pa specifikuar burimin e parave.
Edhe Kievi edhe Moska janë duke u përpjekur t’i shfaqin Trumpit se janë duke bërë progres drejt qëllimit për marrëveshje të shpejtë për paqe pasi SHBA-ja kërcënoi se do të braktisë përpjekjet për paqe.