Botë

Dodiku betohet si president i Republika Srpskas

Politikani separatist Milorad Dodik të martën është betuar si president i pjesës së drejtuar nga serbët në Bosnjë, duke u zotuar të ndjekë marrëdhëniet e mira me Rusinë, Kinën dhe shtetet e tjera që mendojnë njëjtë.

Dodik tha gjatë ceremonisë së inaugurimit të martën se serbët e Bosnjës "kanë Serbinë tonë, Rusinë tonë dhe partnerët tanë (të tjerë) në Hungari, Kinë", raportoi AP.

Nga ana tjetër, Dodiku veçoi Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë si vende që punojnë kundër serbëve të Bosnjës dhe interesave të tyre.

Dodiku u zgjodh president i pjesës serbe në Bosnjë, Republika Srpskas, në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në tetor.

Dodik është lideri serb i Bosnjës më me ndikim për gati dy dekada pavarësisht se është i sanksionuar nga Perëndimi pasi kërkoi ndarjen e Republika Srpskas nga pjesa tjetër e shtetit.

Rusia ka mbështetur Dodikun, duke nxitur frikë në Perëndim se Moska mund të tentojë të krijojë jostabilitet të mëtejmë në shtetin ballkanik për ta shmangur pak vëmendjen nga lufta në Ukrainë.

Ambiciet separatiste në mesin e serbëve etnikë ndezën luftën shkatërruese të Bosnjës 1992-95, e cila vrau më shumë se 100,000 njerëz, zhvendosi miliona dhe shkatërroi vendin për vitet në vijim. Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja që i dha fund luftës krijoi entitetet serbe dhe boshnjako-kroate.