Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka paralajmëruar zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit Gabriel Escobar, para takimit të paralajmëruar për të hënën.
Escobar pritet të arrijë sot në Bosnjë-Hercegovinë dhe të hënën do të zhvillojë takime të ndara me anëtarët e Presidencës.
“Nëse faktori ndërkombëtar vërtetë qëndron që Bosnjë-Hercegovina të mbijetojë, atëherë ata dhe ne kemi një zgjedhje mjaft të qartë, kjo është Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës, të cilën askush nuk e kundërshton”, ka thënë Dodik raporton “Dnevni Avaz”.
Dodik ka thënë se Escobari me rrëfimin për korrupsionin dhe pasurinë e politikanëve po mundohet të demoralizojë qytetarët në Republika Srpska.
“Nëse ai mendon se kriza në të cilën gjendet Bosnjë-Hercegovina është shkaktuar që Dodiku ta ruajë pushtetin dhe pasurinë, atëherë dëshiroj t’i them menjëherë se ka ardhur kot”, ka shtuar Dodik, ndërsa a thënë se Escobar vet me një pikëpamje të tillë po i kontribuon atrofisë së Bosnjë-Hercegovinës.
Ai ka shtuar se amerikanët, përmes Përfaqësuesit të Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese në Bosnjë-Hercegovinë e kanë modeluar Bosnjën sipas dëshirës së myslimanëve.
Dodik në anën tjetër ka thënë se forca e faktorit ndërkombëtar nuk kalon në këtë vend.