Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, u është drejtuar deputetëve në seancën e veçantë të Kuvendit Popullor të Repulika Sërpkas, të mbajtur të hënën me sloganin “Lamtumirë Bosnjë, mirë se erdhe RS-exit”, bëri të ditur agjencia “B92”.
Kjo paraqitje e tij është në vijë me iniciativën e paraqitur më herët se “Republika Sërpska do të ndahet nga Bosnja dhe se këtë nuk mund ta kundërshtojë as SHBA-ja”.
Dodik në seancën e mbajtur të hënën, ka thënë se Kuvendi i Republika Sërpskas (RS) është vendi i të gjitha vendimeve dhe se vetëm aty, sipas tij, mund të flitet për fatin e banorëve të RS-së, transmeton Koha.net.
“Ne nuk guxojmë të hezitojmë të marrim vendime të rëndësishme për të ardhmen tonë. Kësaj here jemi seriozë dhe nuk do të pranojmë të ndërrojmë drejtim”, ka thënë Dodik.
Sipas tij, RS-ja dhe banorët serbë nuk kanë të ardhme në Bosnjë-Hercegovinë, pasi Sarajeva nuk po i pranon dhe po i urren.
Dodik tha se politikanët boshnjakë në Sarajevë kanë bindjen se ndërkombëtarët do të shpëtojnë Bosnjën, por kjo është naive, sipas tij.
“Seanca e sotme është thirrur pasi populli serb është mashtruar”, tha Dodik. “Po mundohen të na bëjnë më pak të rëndësishëm, duke menduar se vetëm ata e dinë se çfarë është e mirë për ne”.
Ai tha se shumë prej Perëndimit mendojnë se RS-ja nuk është në gjendje të merret me veten. Po ashtu ka falënderuar partitë serbe për unifikimin rreth kësaj çështje.
“Për 60 ditë do të shihemi. Besoj se do të jemi aty ku unë kam thënë në fillim”, tha Dodik, duke iu referuar deklaratës së mëhershme, se RS-ja do të shpallë pavarësinë nga Bosnja.