Komisioni Evropian

Dobësohen shanset e von der Leyenit për rizgjedhje pasi punësoi aleatin e saj

Ursula von der Leyen

Foto: EPA

Kandidimi i Ursula von der Leyenit për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian është kritikuar nga disa njerëz të nivelit të lartë në Bruksel. Ajo është akuzuar për favorizim kur përzgjodhi një anëtar të partisë për një punë. 

Zyrtarë, përfshirë shefin e diplomacisë, Josep Borrell, dhe komisioneri francez, Thierry Breton, i kanë shkruar von der Leyenit duke iu ankuar se zgjedhja e Markus Pieperit si këshilltar special “ka ngrehur pyetje mbi transparencën dhe paanshmërinë e procesit të nominimit”. 

Pieper, i cili vjen nga radhët e partisë së njëjtë si von der Leyeni, u caktua si i dërguar special për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Por, zyrtarët kanë ngrehur pyetje nëse ai ishte kandidati me performancën më të lartë në procesin e përzgjedhjes, raportoi Guardian. 

Sipas raporteve, puna ku është përcaktuar Pieper ka një pagë prej 17,000 euro në muaj. 

Komisioni e ka mbrojtur emërimin e tij duke thënë se “është i sigurt se procesi u krye në përputhje me procedurat”. 

Ndërhyrja e politikanëve të lartë të BE-së është shenja e parë e telasheve për kandidaturën e von der Leyenit për një mandat të dytë pesëvjeçar.