Botë

Dita e Falënderimeve lehtëson amerikanët

Më shumë se 2.2 milionë udhëtarë kaluan nëpër pikat e kontrollit të aeroportit të premten e kaluar, e cila ishte dita më e ngarkuar që nga pandemia që prishi udhëtimin në fillim të vitit të kaluar. Nga e premtja deri të martën, numri i njerëzve që fluturuan në SHBA ishte më i madh se dyfishi i numrit që udhëtuan në ditët e njëjta të vitit të kaluar dhe më pak se 9% më i ulët se të njëjtat ditë më 2019

Të vendosur për të rikthyer traditat e Ditës së Falënderimeve që u ndaluan vitin e kaluar nga pandemia, miliona amerikanë do të ngarkojnë makinat e tyre ose do të grumbullohen në avionë për t’u mbledhur përsëri me miqtë dhe familjen.

Numri i udhëtarëve ajrorë këtë javë pritet t’i afrohet apo edhe t’i tejkalojë nivelet para pandemisë, dhe autoklubi AAA parashikon që 48.3 milionë njerëz do të udhëtojnë të paktën 50 milje larg shtëpisë gjatë periudhës së pushimeve, një rritje prej afro 4 milionë krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht çmimeve të larta të benzinës.

Shumë ndihen të guximshëm nga fakti se gati 200 milionë amerikanë tani janë plotësisht të vaksinuar. Por, kjo gjithashtu do të thotë të heqësh mënjanë shqetësimet për një virus që mund të ringjallet në një kohë kur SHBA-ja tani po numëron mesatarisht 100.000 infeksione të reja në ditë dhe spitalet në Michigan, Minesota, Kolorado dhe Arizona po shohin rritje alarmante të pacientëve.

Mesatarja shtatëditore e rasteve të reja të raportuara u rrit gati 30% në dy javët e fundit deri të martën, sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins. Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se njerëzit e pavaksinuar nuk duhet të udhëtojnë, megjithëse është e paqartë nëse ky rekomandim është duke pasur ndonjë efekt.

Më shumë se 2.2 milionë udhëtarë kaluan nëpër pikat e kontrollit të aeroportit të premten e kaluar, e cila ishte dita më e ngarkuar që nga pandemia që prishi udhëtimin në fillim të vitit të kaluar. Nga e premtja deri të martën, numri i njerëzve që fluturuan në SHBA ishte më i madh se dyfishi i numrit që udhëtuan në ditët e njëjta të vitit të kaluar dhe më pak se 9% më i ulët se të njëjtat ditë më 2019.

Image

Përmirësimi i shëndetit

Në aeroportin ndërkombëtar të Newark Liberty në New Jersey, Christian Titus po shkonte për ta vizituar familjen e gjerë në Kanada. Titus thotë se ai ka kaluar shumë kohë nga pandemia brenda, por është i gatshëm të rrezikojë të fluturojë në një aeroplan të mbushur me njerëz, sepse i mungon të jetë afër familjes së tij. Ai mori një dozë përforcuese për të rritur mbrojtjen e tij.

“Shëndeti im mendor përmirësohet duke qenë rreth familjes sime gjatë këtyre kohërave”, ka thënë Titus. “Po, është e rrezikshme. Kështu që bëni gjithçka që mundeni për të qëndruar të sigurt rreth njerëzve që ju i doni”.

Meka Starling dhe bashkëshorti i saj ishin të emocionuar që shumë anëtarë të familjes së tyre të gjerë të takonin djalin e tyre 2-vjeçar, Kaiden, për herë të parë në një mbledhje të madhe të Falënderimeve në Linden, New Jersey.

“Ne kemi vendosur fotografi në ‘Facebook’, kështu që shumë prej tyre kanë parë foto të tij, por për të arritur për ta prekur atë dhe të flasin me të, më bën të ndihem i emocionuar”, tha Starling, 44 vjeç, nga West Point, Mississippi.

Nga ana e tyre, linjat ajrore shpresojnë të shmangin një përsëritje të anulimeve masive të fluturimeve - më shumë se 2.300 secila.

Prishjet nisën nga moti i keq në një pjesë të vendit dhe dolën jashtë kontrollit. Në të kaluarën, linjat ajrore kishin mjaft pilotë, stjuardesa dhe punëtorë të tjerë për t'u rikuperuar nga shumë çrregullime brenda një ose dy ditësh. Megjithatë, ata po e kanë më të vështirë të rikthehen tani, sepse janë dobësuar pasi kanë shtyrë mijëra punonjës të largohen nga puna kur udhëtimet dështuan vitin e kaluar.

American, Southwest, Delta dhe United kanë qenë dukë punësuar kohët e fundit, gjë që u jep linjave ajrore dhe vëzhguesve të industrisë shpresë se fluturimet do të qëndrojnë në rrugën e duhur këtë javë.

“Linjat ajrore janë përgatitur për pushime”, ka thënë Helane Becker, një analiste e linjave ajrore për firmën e shërbimeve financiare Cowen. “Ata shkurtuan numrin e fluturimeve, industria ka pilotë të mjaftueshëm, ata po vendosin më shumë stjuardesa nëpër akademitë e tyre (trajnuese) dhe po u paguajnë stjuardeseve një çmim shpërblim – atë që unë do ta quaja pagesë për detyra të rrezikshme – për t’i inkurajuar njerëzit që të mos e lënë punën”.

Linjat ajrore kanë pak hapësirë gabimi për momentin. Linja ajrore “American” pritet të mbushë më shumë se 90% të vendeve të saj me klientët që paguajnë të martën. Ky është një rikthim në udhëtimet e pushimeve përpara pandemisë.

“Nuk ka shumë hapësirë për të vendosur njerëzit në një fluturim tjetër nëse diçka shkon keq”, ka thënë Dennis Tajer, një pilot i linjës ajrore dhe një përfaqësues i Sindikatës së pilotëve amerikanë.

Linjat ajrore

Nga mesdita e së mërkurës në Bregun Lindor, linjat ajrore në SHBA kishin anuluar rreth 70 fluturime, një numër i ulët i pazakontë, sipas kompanisë “FlightAeare”. Administrata Federale e Aviacionit raportoi shumë pak aeroporte të prekura nga vonesa të mëdha.

Casey Murray, president i Sindikatës së pilotëve në jugperëndim, tha se gjërat dukej se po shkonin mjaft mirë deri në mëngjesin e vonshëm të së mërkurës. Ai tha se për disa ditë nuk kishte marrë asnjë raport për incidente të mëdha që përfshijnë pasagjerë të padisiplinuar.

“Nuk mendoj se do të këtë video që do të marrë vëmendje, gjë që është e mirë”, ka thënë Murray. “Kjo është vetëm një shtresë tjetër stresi, kompleksiteti dhe lodhjeje mbi gjithçka tjetër që po ndodh”.

Në Aeroportin Ndërkombëtar Sky Harbor në Phoenix, qindra udhëtarë prisnin në linjat e sigurisë. Terminalet ishin të mbushura me njerëz dhe me të gjitha vendet e zëna, udhëtarët uleshin në dysheme, ndërsa prisnin fluturimet e tyre. Kishte edhe radhë të gjata për ushqim gjatë një kohe kur disa punonjës të aeroportit të Phoenixit ishin në grevë për një mosmarrëveshje mbi pagat dhe përfitimet.

Në aeroportin e Denver-it, Rasheeda Golden mbërriti nga Houston me të dashurin dhe motrën e tij, të cilët ishin në rrugën e tyre për një ekskursion me motor dëbore për Ditën e Falënderimeve.

“Është emocionuese të udhëtosh tani, veçanërisht me gjërat që po hapen përsëri, po ndihet njëfarë ndjesie normaliteti që unë e mirëpres”, tha ajo.

Golden shtoi se ajo nuk është e shqetësuar për fluturimin, por ajo bën kujdes kur është në “një grup me shumë njerëz”.

“Për aq sa ne kemi maskat e vendosura, unë kam kryer detyrën time”, tha ajo. “Pjesa tjetër është të shijoj pushimet e mia”.

Çmimet e larta

Për udhëtarët e pushimeve që udhëtojnë me makinë, brenga më e madhe mund të jetë çmimet më të larta në pikat e karburanteve. Të martën mesatarja mbarëkombëtare për benzinë ishte 3,40 dollarë për galon, sipas AAA, më shumë se 60% më shumë se Ditën e fundit të Falënderimeve.

Këto çmime mund të jenë një nga faktorë e shumtë që do të dekurajojnë disa udhëtarë për pushime. Në një sondazh të kryer nga Gasbuddy, i cili gjurmon çmimet e pompës, rreth gjysma e përdoruesve të aplikacionit që u përgjigjën thanë se çmimet e larta do të ndikojnë në planet e tyre të udhëtimit këtë javë. Rreth dy të pestëve thanë se nuk po bëjnë aq shumë udhëtime për një sërë arsyesh.

Presidenti Joe Biden urdhëroi të martën 50 milionë fuçi naftë të lëshuar nga rezerva strategjike e Amerikës për të ndihmuar në uljen e kostove të energjisë, në koordinim me vendet e tjera të mëdha konsumuese të energjisë. Veprimi i SHBA-së ka për qëllim tregjet globale të energjisë, por edhe për të ndihmuar amerikanët që të përballen me inflacionin më të lartë dhe rritjen e çmimeve para udhëtimeve të Ditës së Falënderimeve dhe pushimeve dimërore.

Çmimi në pompë ishte paksa tronditës për Tye Reedy, i cili fluturoi në California nga Tennessee dhe huazoi kamionin e mikut të tij për disa vizita. Gazi shkonte 5 dollarë për gallon në Chevron në Alameda dhe kushtonte 100 dollarë për të mbushur kamionin.

“Ne nuk udhëtuam vitin e kaluar për shkak të kufizimeve të virusit COVID”, tha Reedy. “Por, duke qenë të vaksinuar dhe duke marrë parasysh situatën e tanishme me virusin, ne u ndiem rehat për të udhëtuar”.

Përktheu: Marigona Avdimetaj