Botë

Dita 3: Kievi nën sulmet ruse

“Po zhvillohet lufta e vërtetë për Kievin”, ka thënë presidenti Volodymyr Zelenskyy, në një videomesazh në të cilin ka akuzuar Rusinë se ka si cak infrastrukturën dhe civilët. “Ne do të fitojmë”, ka insistuar presidenti ukrainas. Mediat e huaja, kanë raportuar se gjatë ditës ushtria e Putinit nuk e ka pritur një rezistencë të tillë të ukrainasve. Por në orët e para të së dielës ka pasur shpërthime masive në Kiev, rreth 20 kilometra larg qendrës

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se qytetarët e Kievit edhe të shtunën kanë bërë gjumë në strehët nëntokësore, teksa Ushtria ruse ka vazhduar ta rrethojë kryeqytetin. Ndërkohë, lideri i Ukrainës ka premtuar se do të vazhdojë rezistencën nën thirrjet për më shumë ndihmë ndërkombëtare.

“Po zhvillohet lufta e vërtetë për Kievin”, ka thënë presidenti Volodymyr Zelenskyy në një videomesazh në të cilin ka akuzuar Rusinë se ka si cak infrastrukturën dhe civilët. “Ne do të fitojmë”, ka insistuar presidenti ukrainas.

Në bazë të raportimeve nga mediat ndërkombëtare, qendra e Kievit edhe të shtunën gjatë ditës ishte e qetë. Herë pas here janë dëgjuar të shtëna.

Por në orët e para të së dielës ka pasur shpërthime masive në kryeqendrën ukrainase. CNN-i ka raportuar se shpërthimi ka ndodhur në jugperëndim të Kievit, “rreth 20 kilometra larg qendrës”. “Qielli ka mbetur i ndritur për disa minuta”, ka raportuar ky medium.

Teksa Ushtria ruse ka bërë presion me grupe të vogla brenda Kievit, kryebashkiaku, Vitali Klitschko, ka vazhduar orët policore nga ora 17 deri në orën 8 të mëngjesit. Ka thënë se çdo qytetar që lëviz gjatë orës policore, do të cilësohet si pjesë e sabotazhit të armikut.

Rusia ka pohuar se sulmi në Ukrainë ka si cak ushtrinë, mirëpo ka goditur urat, shkollat dhe lagjet ukrainase. Që nga e enjtja kur ka nisur pushtimin, Rusia ka sulmuar me raketa, ndërkaq këmbësoria ka hyrë në Ukrainë nga veriu, lindja dhe jugu.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri të shtunën janë vrarë 198 ukrainas, përfshirë tre fëmijë, ndërkaq 1 mijë të tjerë janë plagosur nga bombardimet ruse. Sipas mediave ndërkombëtare, mbetet e paqartë nëse në këto shifra janë përfshirë ushtarët dhe civilët e vrarë.

Vëmendje të madhe mori sulmi ndaj një ndërtese shumëkatëshe në periferi të Kievit. Së paku 2 civilë janë raportuar të vrarë nga sulmi me raketë, ndërkaq 6 të tjerë janë lënduar.

Konflikti ka detyruar që mijëra ukrainas t’i braktisin shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se më shumë se 120 mijë ukrainas kanë ikur në drejtim të Polonisë, Moldavisë dhe shteteve të tjera fqinje.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka futur ushtrinë në Ukrainë pas disa javësh mohime të qëllimeve, ndërkohë ka tubuar gati 200 mijë ushtarë në kufijtë e shtetit. Ai ka pohuar se Perëndimi nuk i ka marrë seriozisht shqetësimet e Rusisë rreth NATO-s, Aleancë në të cilën aspironte të anëtarësohej Ukraina. Mirëpo, dikur ai kishte shprehur qëllimet se Ukraina nuk ka të drejtën e ekzistencës si shtet i pavarur.

Putini nuk i ka bërë të ditur planet e tij përfundimtare për Ukrainën, por zyrtarët perëndimorë besojnë se është i vendosur ta rrëzojë Qeverinë e Ukrainës dhe ta zëvendësojë atë me një regjim të tijin, duke rivizatuar hartën e Evropës dhe duke ringjallur ndikimin e Moskës si në epokën e Luftës së Ftohtë.

Ishte e paqartë në mjegullën e luftës se sa territor kanë kapur forcat ruse. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka bërë të ditur të shtunën se “shpejtësia e avancimit rus është ngadalësuar përkohësisht me gjasë si rezultat i vështirësive akute logjistike dhe rezistencës së fortë ukrainase”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane ka thënë, të shtunën, se më shumë se gjysma e fuqisë luftarake ruse që ishte grumbulluar përgjatë kufijve të Ukrainës kishte hyrë në Ukrainë dhe se Rusisë i është dashur të angazhojë më shumë furnizime me karburant dhe njësi të tjera mbështetëse brenda Ukrainës, sesa ishte parashikuar fillimisht. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar vlerësimet e brendshme të SHBA-së, nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës tha se një raketë ruse u rrëzua para agimit të së shtunës, teksa po shkonte drejt digës së rezervuarit të ujit që i shërben Kievit, dhe Ukraina tha se një autokolonë ushtarake ruse u shkatërrua afër qytetit herët të shtunën. Pamjet treguan ushtarë që inspektonin automjetet e djegura pasi brigada 101 e Ukrainës raportoi se shkatërroi një kolonë me dy automjete të lehta, dy kamionë dhe një tank. Pretendimi nuk mund të verifikohej.

Autostradat për në Kiev nga lindja ishin të mbushura me pika kontrolli të drejtuara nga trupa e uniformuara ukrainase dhe të rinj me rroba civile që mbanin pushkë automatike. Aeroplanë në fluturim të ulët patrulluan qiellin, megjithëse ishte e paqartë nëse ishin rusë apo ukrainas.

Image
Ushtarë ukrainas pas rrëzimit të një aeroplani në Kiev të premten...

Beteja për portet

Përveç Kievit, sulmi rus u përqendrua në vijën bregdetare të Ukrainës, e cila shtrihet nga porti i Odesës në Detin e Zi në perëndim deri përtej portit të Mariupolit në Detin Azov në lindje.

Nëse trupat ruse ia dalin, Ukrainës do t'i ndërpritet qasja në të gjitha portet e saj detare, të cilat janë jetike për ekonominë e saj. Në Mariupol, ushtarët ukrainas ruanin urat dhe bllokuan njerëzit nga bregu, mes shqetësimeve se marina ruse mund të nisë një sulm nga deti.

Luftimet u ndezën gjithashtu në dy territore në Ukrainën lindore që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Autoritetet në qytetin e Donetskut kanë thënë se furnizimet me ujë të ngrohtë për qytetin me rreth 900 mijë banorë janë ndalur për shkak të dëmtimit të sistemit nga granatimet ukrainase.

Qeveria amerikane i kërkoi Zelenskyyt herët të shtunën që të largohej nga Kievi, por hodhi poshtë ofertën, sipas një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane. Zelenskyy ka publikuar një video tjetër të shtunën në mëngjes, duke thënë se ndodhet në kryeqytet.

“Ne nuk do të lëmë armët. Ne do ta mbrojmë vendin”, ka thënë presidenti ukrainas. “Arma jonë është e vërteta jonë dhe e vërteta jonë janë toka jonë, vendi ynë, fëmijët tanë. Dhe ne do t’i mbrojmë të gjitha këto”, ka thënë ai.

Qindra e mijëra ukrainas kanë qenë në lëvizje, duke kërkuar siguri në perëndim të vendit ose më gjerë. OKB-ja vlerëson se deri në 4 milionë mund të largohen nëse luftimet përshkallëzohen.

Refugjatët që mbërritën në qytetin kufitar hungarez të Zahonyt kanë thënë se burrat midis 18 dhe 60 vjeç nuk po lejoheshin të largoheshin nga Ukraina.

“Djalit tim nuk i është lejuar të vijë. Zemra më është bërë copa. Po dridhem”, ka thënë 68-vjeçarja, Vilma Sugar.

Hungaria dhe Polonia kanë hapur kufijtë për ukrainasit. Në Medyka, ukrainasit kanë thënë të kenë ecur 35 kilometra për të arritur te kufiri.

“Nuk kishin bukë as çaj. Kanë qëndruar në mesin e një fushe, fëmijët po ngriheshin nga i ftohti”, ka thënë Iryna Wiklenko teksa priste për nipat dhe mbesat.

Zyrtarët në Kiev u kërkuan banorëve të kërkojnë strehim, të qëndrojnë larg dritareve dhe të marrin masa paraprake për të shmangur copat e raketave ose plumbat. Shumë e kaluan natën e së premtes në bodrume, garazhe nëntokësore dhe stacione metroje dhe u përgatitën të bënin të njëjtën gjë të shtunën.

Image
Për natën e tretë me radhë, qindra ukrainas kanë qëndruar në metrotë e Kievit për t’i shpëtuar bombardimeve nga Ushtria ruse që i është afruar kryeqytetit

Thirrja për Kryqin e Kuq

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ka ftuar Kryqin e Kuq Ndërkombëtar që të organizojë tërheqjen e mijëra ushtarëve të vrarë rusë.

Thirrja e zëvendëskryeministres ukrainase është bërë në ditën e tretë të pushtimit të Ukrainës kur Rusia ka përqendruar të gjitha forcat ushtarake drejt Kievit.

“Kërkojmë nga Kryqi i Kuq që të na ndihmojnë që të kthejmë në Rusi trupat e të vrarëve. Janë me mijëra trupa të pushtuesve. Kjo është një nevojë humanitare. Kërkojmë që trupat e pushtuesve të largohen nga territori i Ukrainës dhe të kthehen në Rusi”, ka thënë zëvendëskryeministrja Vereshchuk.

Të shtunën, Ushtria ruse ka bombarduar ndërtesa civilësh, por nuk është raportuar për të vdekur, ndërkaq mediat ndërkombëtare kanë raportuar për 800 ushtarë të vdekur rusë. Zëvendëskryeministrja ukrainase pati edhe një porosi për rusët.

“Përsëri u bëjmë thirrje rusëve që të kenë më pak trupa të djemve dhe njerëzve tuaj të vdekur, përndryshe do të ketë me mijëra prej tyre. E them përsëri, fitorja do të jetë e jona”, ka shtuar ajo.

Protesta nëpër botë

Nga Stambolli deri në Tokio është protestuar në dy ditët e fundit kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Dhjetëra protestues janë mbledhur të shtunën në Stamboll për të kundërshtuar pushtimin rus. Ata i kanë bërë thirrje Turqisë dhe botës që ta ndihmojnë Ukrainën.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta, me të cilat u bëhej thirrje NATO-s ta mbyllë hapësirën ajrore të Ukrainës.

Protestë pati edhe para Ambasadës ruse në Ankara. Protestuesit turq, pushtimin rus e kanë cilësuar si politikë cariste.

Kundërshtimi i pushtimit rus është bërë edhe të shtunën, kur vëmendje të madhe mori sulmi ndaj një ndërtese shumëkatëshe në periferi të Kievit. Së paku 2 civilë janë raportuar të vrarë nga sulmi me raketë, ndërkaq 6 të tjerë janë lënduar.

Ndërkohë, liderët e Ukrainës gjatë së shtunës kanë deklaruar se ushtria ka mbrojtur me sukses kryeqytetin, mirëpo kanë kërkuar ndihmë nga shtetet perëndimore.

Protesta janë mbajtur edhe brenda Rusisë. Dhjetëra protestues janë arrestuar në protestën e mbajtur në Shën Petersburg kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Protestues pati edhe në rrugët e ish-shtetit tjetër sovjetik, Gjeorgjisë. Qindra njerëz kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, i cili refuzoi t’u bashkohej shteteve perëndimore në nisjen e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë.

Protesta pati edhe në Tokio të Japonisë. Me thirrje për ndalje të luftës, qindra japonezë kanë kundërshtuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Shumë nga protestuesit kanë thënë se të afërmit e tyre i kanë në Ukrainë dhe nuk dinë për fatin e tyre.

Të premten, shtetet perëndimore kanë sanksionuar presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ndërkaq, NATO-ja ka dërguar edhe më shumë trupa në Evropën Lindore nga frika se lufta mund të zgjerohet në shtetet e tjera ish-sovjetike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s kanë dërguar armatim dhe ndihma të tjera në Ukrainë. Gjatë së shtunës kanë forcuar rripin lindor të NATO-s, por kanë përjashtuar mundësinë e angazhimit të ushtrisë në luftën e Ukrainës.

 

Kthesa gjermane

Image
Vëmendje të madhe mori sulmi ndaj një ndërtese shumëkatëshe në periferi të Kievit...

Ndërkaq tek të shtunën, Gjermania ka pranuar të dorëzojë armë vdekjeprurëse gjermane në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta. Ky veprim do të thotë se Holanda do të jetë në gjendje të dërgojë 400 raketa granatahedhëse gjermane në Ukrainë. Lëvizja shënon një ndryshim të madh në politikën gjermane dhe mund të lejojë rritje të ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën pasi shumë armë në Evropë janë të paktën pjesërisht të prodhuara nga Gjermania, që do të thotë se Berlini ka fjalën e fundit për përdorimin dhe eksportin e tyre.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i është referuar vazhdimisht kësaj politike javët e fundit, kur refuzoi të dorëzonte armë vdekjeprurëse në Ukrainë.

Ndërkaq, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione të gjera ndaj Rusisë, duke ngrirë asetet e bizneseve dhe të individëve rusë, përfshirë Putinin dhe ministrin e tij të jashtëm.

Zelenskyy ka apeluar për sanksione më të ashpra, duke u kërkuar vendeve në Evropë që të bien dakord për të hequr Rusinë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Një zyrtar i lartë rus të shtunën hodhi poshtë sanksionet si një reflektim i “pafuqisë politike” perëndimore.

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, paralajmëroi se Moska mund të reagojë ndaj sanksioneve duke hequr dorë nga pakti i fundit i armëve bërthamore, duke ngrirë asetet perëndimore dhe duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me vendet në Perëndim.

“Nuk ka nevojë të veçantë për ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike”, tha Medvedev. “Ne mund ta shikojmë njëri-tjetrin me dylbi dhe me shënjestra armësh”.

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund gjakderdhjes dukej se kishin dështuar. Zelenskyy ofroi të premten për të negociuar një kërkesë kryesore ruse: që Ukraina të deklarohet neutrale dhe ta braktisë ambicien e saj për t'u bashkuar me NATO-n.

Kremlini tha se pranoi ofertën e Kievit për të zhvilluar bisedime, por dukej se ishte një përpjekje për të shtrydhur koncesionet nga Zelenskyy i goditur, në vend të një gjesti drejt një zgjidhjeje diplomatike.